E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria, konfirmohet mungesa e Lorik Canës në Azerbajxhan

Lorik Cana është titullari i katërt që nuk do të udhëtojë me Shqipërinë në miqësoren e 19 nëntorit, kundër Azerbajxhanit. Lojtari i kërkoi leje trajnerit që të qëndronte pushim në datën e lirë të FIFA-s, për shkak të kalendarit të ngjeshur që ka me Olimpik Marsejën. Biseda ndërmjet trajnerit dhe mesfushorit u zhvillua vetëm pak ditë më parë në Tiranë, por vetëm dje tekniku holandez vendosi: Cana nuk do të vijë. "Trajneri u mendua për disa ditë dhe vendosi t‘ia plotësonte kërkesën Lorik Canës, duke e lënë pushim", konfirmuan burime pranë Federatës Shqiptare të Futbollit. "Zëvendësues? Jo, trajneri vendosi që mos të grumbullonte lojtarë të tjerë. Ai e pa të arsyeshme që në Baku, skuadra të përbëhet nga 18 lojtarë". Sipas faqes elektronike të FSHF-së, drejtuesi i stolit kuqezi ka thënë: "Është mundësia më e mirë, për të parë dhe ofruar lojtarë të rinj në ekipin përfaqësues. Alternativat janë gjithmonë të rëndësishme dhe nëpërmjet tyre, ne mund të përmirësohemi. Kjo është arsyeja që Cana, s‘do të jetë në ndeshjen kundër Azerbajxhanit në Baku". Megjithatë, fakti qëndron se nga lista fillestare me 20 lojtarë (nga e cila mungojnë edhe Arjan Beqaj, Altin Lala dhe Erjon Bogdani për shkak dëmtimesh), janë grumbulluar vetëm dy emra të rinj. Bëhet fjalë për dyshen e Tiranës, Andi Lila dhe Gjergji Muzaka. Nga titullarët nuk do të mungojnë Ervin Skela, Debatik Curri, Armend Dallku, Elvin Beqiri, Kristi Vangjeli dhe Klodian Duro. Nisja e delegacionit nga Shqipëria do të bëhet në orën 15:00 të pasdites dhe, pas dy orëve udhëtim, ata do të "zbarkojnë" në Stamboll. Në tokën turke, kuqezinjtë do të presin për afro gjashtë orë dhe më pas do të nisen drejt Azerbajxhanit. Miqësorja luhet të mërkurën në 20:00, me orën lokale (17:00 në vendin tonë).



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›