“Ramiz Alia, përkrahësi i Edi Ramës, duhet të japë përgjigje për masakrën e “Tivarit”

Kryeministri kërkon që Parlamenti të mbajë qëndrim zyrtar për ngjarjen e rëndë
Kryeministri Sali Berisha në vijim të fjalës para deputetëve demokratë, u ndal dhe në rolin e opozitës në proceset e integrimit. Kreu i qeverisë solli në vëmendje se i njëjti person që do t’u deklaronte shqiptarëve ditën që do të merrnin ftesën për anëtarësimin në NATO, se nuk do t’i jepet Shqipërisë, i njëjti person u deklaroi shqiptarëve se vizat nuk do t’u jepen. Të njëjta grupe bënë gjithçka.
“Uroj dhe shpresoj që mësime të kenë nxjerrë edhe nga ato grupe apo individë që bën çdo gjë, për të bllokuar këtë proces, mobilizuan të gjitha bateritë e tyre të propagandës që kontrollojnë, se kjo nuk do të ndodhë. Ju e patë reagimin e paprecedentë në historinë e këtij vendi të elitës shqiptare, ndaj së ashtuquajturës grevë, ndaj kampingut që u ngrit para kryeministrisë sepse ishte e qartë, se u zgjodh ky moment pikërisht në prag të një vendimi historik. Zoti Rama bëri një letër pasi u mor vendimi. E ftoj zotin Rama të vazhdojë të bashkëpunojë në procesin e integrimit të vendit dhe në plotësimin e të gjitha atyre kërkesave që ka paraqitur Komisioni Evropian. Dhe është në interesin e tij më të mirë të realizojë, se ky vend ka një tërësi ligjesh, institucionesh, por mbi të gjitha ka një qëndrim demokratik të qytetarëve shqiptarë. Nuk ka arritje më të madhe për ne se ky qëndrim, jua u them unë, kjo është arritja më e madhe e këtyre 18 viteve”, tha kryeministri Berisha.
Gjithashtu, kryeministri tha se Rama nuk kishte mbështetës dhe se mbështetësi i vetëm i tij ishte Ramiz Alia, për të cilin siç tha kryeministri, duhet të japë llogari për masakrën e tmerrshme të “Tivarit”, ku humbën jetën 4300 rekrutë shqiptarë në përleshje me forcat policore serbe.
“Dëgjoni se është mjaft interesante. Në qoftë se nuk e përkrahu kush në vend dhe në botë këtë vendim dhe këtë akt të zotit Rama, një njeri e përkrahu publikisht atë dhe ky ishte Ramiz Alia, diktatori i fundit. Por nga ana tjetër dua të them dhe ndër më të ligjtë e diktaturës. Pse e them ndër më të ligjtë? Jo se ata ishin burra të mirë, por se ky ishte një vrasës tinëzar i tyre. Po, që nga rinia e tij, ky ka ngrënë njëri pas tjetrit, me spiunllëqe dhe me padi, inteligjencën shqiptar dhe ndonjë tek-tuk, siç është rasti i Llambi Ziçishtit, që e çoi para skuadrës së pushkatimit, për fajin e vetëm se tha: Mehmet Shehu nuk është vetëvrarë! Për të mos hyrë pastaj në kapitullin më të zi të këtij xhelati, se është xhelat, gjersa nuk zbërthehet për masakrën e “Tivarit”. Dhe parlamenti duhet të qëndrojë për masakrën e Tivarit. Ne jemi vend që kemi në fuqi ligjin kundër gjenocidit. është përgjigjur për disa krime, duhet të përgjigjet për masakrën e Tivarit. Masakra e Tivarit është krimi më monstruoz, i kryer në gadishullin e Ballkanit gjatë Luftës së Dytë Botërore, është një Katin i dytë dhe është bërë gjithçka me dijeninë dhe miratimin e tij”, u shpreh kryeministri Berisha.