E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përfundoi muaji marian, në nderim të Zojës së Bekuar

Mbrëmjen e djeshme, qindra besimtarë përshkuan rrugëzat e Kopshteve të Vatikanit, duke thënë Rruzaren Shenjte, në përfundim të muajit marian. çdo vit, më 31 maj, qindra flakëza ndriçojnë rrugicat e bleruara të Vatikanit. Janë qirinjtë e besimtarëve, që luten e u këndon vetë zemra, në sa ecin nga Kisha e Shën Shtjefnit të Abisinëve, për të arritur tek Shpella e Lurdës, ku kremtohet Liturgjia e Fjalës së Zotit, kryesuar nga kardinali Anxhelo Komastri, Kryeprift i Bazilikës së Shën Pjetrit e Mëkëmbës i përgjithshëm i Shenjtërisë së tij për Qytetin e Vatikanit. Në përfundim të kremtimit, besimtarëve u foli edhe Benedikti XVI.
Pranë kësaj Shpelle simbolike tashmë mund të kundrohet edhe mozaiku i Zojës së Këshillit të Mirë, Pajtore e shqiptarëve.
E duke thënë Rruzaren, besimtarët kujtojnë lindjen e Jezusit dhe fëmijërinë e tij të parë, të udhëhequr në mënyrë pothuajse të dukshme nga Shpirti Shenjt. E Zemra e Zojës, në përkim të plotë me atë të Birit hyjnor, është tempull i Shpirtit të së vërtetës, ku çdo fjalë e çdo ngjarje ruhet me fe, me shpresë e me dashuri.
Prej këndej, dëshira për t’i përngjarë Nënës së Jezusit, sepse në shkollën e Marisë edhe ne mësojmë ta njohim praninë e Shpirti Shenjt në jetën tonë, ta ndjejmë frymëzimin që vjen prej tij e ta ndjekim përvujtërisht. Ai na bën të rritemi, sipas natyrës së Krishtit, e na dhuron frytet e mira, që Shën Pali Apostull i numëron në Letrën drejtuar Galatëve: “Dashurinë, gëzimin, paqen, shpirtmadhësinë, dashamirësinë, butësinë, besnikërinë, përvujtërinë, vetsundimin” (Gal 5,22).
Dita e fundit e muajit të Zojës kremtohet në qindra kisha e kapela, kushtuar Nënës së Krishtit në të katër anët e botës, edhe në Shqipëri e në Kosovë, posaçërisht në shenjtëroret kombëtare të Zojës së Këshillit të Mirë rrëzë Kështjellës së Rozafës e në shenjtoren e mirënjohur të Zojës në Letnicë.
Për muajin e qershorit, Papa u kërkon besimtarëve të luten për ‘grigjën e vogël’ të Azisë/Në ndjetin e përgjithshëm për muajin qershor 2010, Papa u kërkon besimtarëve të luten që çdo institucion kombëtar e mbikombëtar të impenjohet për të garantuar respekimin e jetës njerëzore, nga zënia deri në perëndimin saj të natyrshëm. “Të lutemi, që Kishat në Azi, grigjë e vogël ndërmjet popullsive jo të krishtera, të dinë ta komunikojnë Ungjillin e ta dëshmojnë me gëzim bashkimin e tyre me Krishtin”. Ky është ndjeti misionar i lutjes së Papës për muajin qershor. Për të flet, në mikrofonin e Radio Vatikanit, ipeshkvi indian imzot Feliks Entoni Makado: “Grigjë e vogël, nuk do të thotë pa kurrfarë vlere. Të krishterët janë tejet të pranishëm në Kontinentin aziatik, pikërisht përmes kishave të tyre të vogla. Dëshiroj ta theksoj posaçe këtë pikë. Prania e Kishës, ndonëse grigjë e vogël, nuk është aspak e papërfillshme. Shën Toma Apostull erdhi këtu për të predikuar Ungjillin e për të themeluar Kishën. Prandaj nuk mund të bëhet fjalë vetëm për të krishterë të rinj, të kohëve të fundit, të ungjillëzuar pak kohë më parë. Këtu bashkësitë e krishtera kanë rrënjë të thella. Mbi bazën e tyre lulëzojnë të krishterët e rinj, gjithnjë më të shumtë. Pak nga pak Lajmi i Mirë po përhapet kudo në këtë pjesë të botës, Zoti është vërtetë i pranishëm, ashtu si hiri i Tij, sepse shumë prej besimtarëve janë edhe misionarë. Fjalët “grigjë e vogël” të Atit të Shenjtë, duhen lidhur me rrethanat, në të cilat jeton këto grigjë, vërtetë e vogël, por shumë e fuqishme, jashtëzakonisht e pranishme. është pikërisht kështu: e pranishme në të gjitha fushat e jetës.
Marrë nga Radio Vatikani

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›