Vizat, zgjedhjet dhe reformat, autostradat e suksesit të Shqipërisë
Kryeministri Sali Berisha klasifikon lëvizjen e lirë, përmbushjen e standardeve të zgjedhjeve dhe intensifikimin e reformave strukturore, si autostradat e rëndësishme që po e afrojnë vendin tek stadi i marrjes së statusit kandidat për anëtarësim të plotë në BE
Vendimtare apo më themelore në procesin e liberalizimit të vizave, kanë qenë zgjedhjet e 28 qershorit dhe reformat e ndërmarra nga qeveria në 5 vite. Kështu u shpreh dje kryeministri Sali Berisha gjatë mbledhjes së përjavshme të grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Kreu i qeverisë iu referua edhe njëherë vendimit të një jave më parë të Komisionit Evropian, për liberalizimin e vizave, duke deklaruar se ky proces erdhi në bazë të meritës dhe progresit të shënuar nga autoritetet shqiptare. “Vendimtare apo më themelore në këtë proces, kanë qenë zgjedhjet e 28 qershorit, në të cilat, ne u treguam vendeve anëtare të BE, vendeve anëtare të NATO-s, se ne kemi vullnet të hekurt, që të respektojmë vullnetin e lirë të qytetarëve shqiptarë dhe zhvilluam zgjedhjet të lira dhe të ndershme, zgjedhje në të cilat nuk pati asnjë provë për manipulim të rezultati, apo numërim të parregullt. Nuk pati asnjë provë dhe ky është vlerësimi më absolut që mund t’i bëhet një procesi zgjedhor. Këto zgjedhje ishin autostrada e këtij suksesi historik për çdo shqiptar”, tha kryeministri Berisha.
Kreu i qeverisë vuri në dukje se vendimi për vizat erdhi dhe në sajë të luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
“Ky proces erdhi si një proces i merituar, siç do të theksonte vetë komisionerja Mallstrom, e cila vuri theksin në suksesin e padiskutueshëm të reformave në Shqipëri. Ky proces nuk ka qenë i thjeshtë, ka qenë një proces shumë i vështirë. Vetëm 5 vite më parë, Shqipëria ngjallte pasiguri, frikë dhe më shumë se kaq. Mediat evropiane, analistët e kriminalistë, qarkullonin dokumente tronditëse për krimin e organizuar në Shqipëri. U shkruan vepra të tëra mbi mafien shqiptare dhe rrezikun e saj, mbi krimin trans-nacional shqiptar. E vërteta është se realiteti ishte më i hidhur se sa paraqitej në këto vepra, pasi qytetet të tëra, pse jo edhe qarqe, kontrolloheshin nga bosët e mafia, të cilët diktonin jo vetëm në rrugë, në shpellat e tyre, por diktonin gjerësisht në institucionet e këtij vendi. Nuk ka diskutim se nuk ka qenë e thjeshtë, eliminimi njëra pas tjetrës i këtyre bandave dhe këtu ka një meritë shumë të madhe policia e këtij vendi, institucionet e zbatimit të ligjit; kanë një meritë shumë të madhe në këtë luftë me zero tolerancë ndaj krimit të organizuar, të gjithë ata që bënë të mundur shpartallimin e këtyre bandave; kanë meritë të madhe prokuroria, gjykata e Krimeve të Rënda, shërbimet inteligjente, sepse qe veprimtaria e tyre që bëri që ata të identifikohen, të përballeshin me ligjin kudo që ndodheshin, nga shpellat e Alpeve në papafingot e pallateve në Ankara, nga hotelet me 5 yje në Shqipëri apo jashtë. Në qoftë se nuk do të shembej muri i korrupsionit vizat do të ishin thjesht një iluzion. Por vendosmërinë dhe përkushtimin, tolerancën zero që dëshmoi administrata shqiptare dhe institucionet në tërësi, hapja e një kapitulli të ri, kapitulli të ndëshkimit të korrupsionit, të parandalimit të tij me një seri reformash ndër më intensivet dhe më të suksesshme, ishin këto reforma që bënë të mundur vendimin e komisionerëve të Bashkimit Evropian për heqjen e vizave për Shqipërinë”, deklaroi kryeministri, duke theksuar se pa pasaportat biometrike, pa procedimin me shpejtësi në këtë proces, Shqipëria nuk do të mund të kishte përfituar, gëzuar, vendimin që u mor.
Kryeministri gjeti rastin edhe njëherë të ftojë opozitën që të bashkëpunojë me mazhorancën për projektin e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian, si projekt i të gjitha projekteve, si projekt, i cili mbështetet nga 94 për qind e shqiptarëve.
Kryeministri vlerësoi se në historinë e marrëdhënieve të kombit tonë, me kombet e qytetëruara të Evropës dhe botës, pas anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, ky është vendimi më i rëndësishëm, është vendimi më fisnik, është vendimi më miqësor, që është marrë ndonjëherë nga këto kombe, institucionet e tyre, për qytetarët e Shqipërisë, për Shqipërinë. “Duhet të shprehim mirënjohje të thellë, sepse kanë dëshmuar një akt të dashamirësisë dhe miqësisë së padiskutueshme ndaj nesh. Dihet që hapja e dyerve, nuk është një proces fare i thjeshtë, por faktikisht këto kombe, qeveritë e tyre, Komisioni Evropian, pasi kanë dhënë një ndihmë shumë të çmueshme në të gjitha fushat në këtë vend, morën vendimin historik, që u shpall me aq respekt dhe dashuri për shqiptarët nga komisionerja Mallstrom. Ndaj edhe mirënjohja, e parë u shkon të gjitha qeverive të vendeve anëtarë të BE, qytetarëve të tyre, presidentit të KE, komisionerëve, komisioneres Mallstrom, por një mirënjohje të veçantë dua t’i shpreh në emër të qeverisë dhe tuaj, Delegacionit të Parlamentit Evropian, për Evropën Juglindore, nënkomitetit për Shqipërinë, për mbështetjen e madhe, publike dhe zyrtare, që i dhanë këtij procesi”, tha ndër të tjera kreu i qeverisë, Berisha.
“Do i përgjigjemi çdo kërkese për të finalizuar procesin e liberalizimt të vizave në kohën e duhur”
Shefi i ekzekutivit Sali Berisha garantoi institucionet e Bashkimit Evropian se qeveria shqiptare do të mobilizojë çdo fond për t’ju përgjigjur kërkesave, për liberalizimin e vizave. Kryeministri theksoi se qeveria ka autorizimin e plotë të qytetarëve shqiptarë, për të marrë çdo vendim në interesin e tyre më të mirë.
“Me këtë vendim, i cili siç tha komisionerja Mallstrom, ngre në një nivel të ri përgjegjësinë e autoriteteve shqiptare dhe unë në emër tuaj dua të siguroj se tri kërkesa madhore të parashtruara do të plotësohen me përpikëri, si të gjitha të tjera dhe me vendosmërinë më të madhe”, tha kryeministri Berisha.
“Ne jemi të vendosur që t’i përgjigjemi çdo kërkesë, të marrim çdo vendim, të mobilizojmë çdo fond, të bëjmë gjithçka që procesi ashtu siç kanë parashikuar të finalizohet në kohën e duhur. Kërkesa për trajtimin e të rikthyerve, strategjia po përfundon ndër kohë dhe është nga më të mirat; kërkesa për ekipimin, rritjen e numrit të anëtarëve të policisë që merren me problemet kontrollit të kufijve, të luftës kundër trafikut, edhe kjo do të japë gjatë këtyre ditëve përgjigjen e merituar, sikundër çdo kërkesë tjetër. Ne kemi autorizimin e plotë të qytetarëve shqiptarë për të marrë çdo vendim në interesin e tyre më të mirë, që është lëvizja e lirë”, deklaroi kryeministri, duke theksuar se qytetarët shqiptarë do të lëvizin me dinjitet të plotë, do të lëvizin me dokumentet me moderne në Evropë dhe për ata që u dyndën mbi anije pas skëterrës së izolimit më të thellë në historinë e tyre, kjo përbën arritjen më të madhe pas anëtarësimit në NATO.