E Diel, 1 Nëntor 2026

Nevoja per vetedije tek aktoret ekonomike Nga Ardian Fullani*

Kriza globale e cila fillimisht u shfaq si krize e sistemit financiar shume shpejt u shnderrua ne nje krize te ekonomise reale. Per shkak te integrimit te larte te tregjeve financiare, ndikuar nga prania e institucioneve financiare me veprimtari nderkufitare dhe nga ekspozimet e shumta nderinstitucionale, nje krize e sistemit financiar mund te perhapet me shpejtesi ne vende te ndryshme. Nga ana tjeter, per shkak te rolit te pazevendesueshem ne ndermjetesimin financiar, nje krize e sistemit financiar mund te percjelle veshtiresi ne sektoret reale te ekonomise se vendit, duke e futur mekanizmin ekonomik ne nje spirale negative qe tenton te perforcoje vetveten. Keto zhvillime, me shume gjase mund te perfundojne ne nje situate kercenuese per qendrueshmerine e te gjithe sistemit financiar, duke u shoqeruar me pasoja te renda sociale qe rezultojne me kosto te medha te pasurise publike. Kjo pervoje e ketyre dy viteve, i ka dhene nxitje nje procesi te pershpejtuar te identifikimit te mekanizmave dhe te masave qe synojne parandalimin dhe trajtimin e ketyre situatave ne te ardhmen. Ne nivel me te pergjithshem ekonomik, masat synojne te reformojne kuadrin monetar nderkombetar dhe te ulin disekuilibrat ne kuadrin makroekonomik global. Politikeberesit e G-20, Komiteti i Bazelit, Bordi i Stabilitetit Financiar dhe institucionet financiare nderkombetare kane percaktuar disa masa te cilat ne fakt kane vetem nje synim: te kufizojne rrezikun sistemik dhe te krijojne kushte per administrimin e duhur te tij.
Ne nivel global, keto masa parashikojne:
reformimin e superstruktures mbikeqyrese me krijimin e institucioneve qe do te fokusohen ne vleresimin e rrezikut sistemik;
vendosjen e kritereve me te larta, ne sasi dhe cilesi, per kapitalin dhe likuiditetin e institucioneve financiare me rendesi sistemike, duke ulur oreksin e tyre per te ndermarre rreziqe te teperta;
percaktimin e mekanizmave qe zvogelojne prociklikalitetin ne veprimtarine financiare, kryesisht ne krijimin e fondeve rezerve (ne formen e kapitalit ose te provigjioneve) qe mund te perdoren per qellime kunderciklike;
forcimin e kapaciteteve te autoriteteve kombetare per trajtimin e krizave financiare sistemike. Per kete qellim, jane te nevojshme ndryshime ligjore qe rregullojne harmonizimin e marredhenieve nderinsitucionale brenda dhe jashte vendit. Ne menyre te permbledhur, do te evidentoja:
veprimet ndermjet autoriteteve mbikeqyrese te vendeve te ndryshme,
veprimet ndermjet autoriteteve publike brenda vendit, si dhe
zbatimin e veprimeve qe mundesojne daljen sa me te bute nga tregu te institucioneve financiare qe nuk mund te rigjallerohen.
Ne kete proces, bankat qendrore kane nje rol teper te rendesishem, i cili ne disa drejtime eshte unik dhe ekskluziv. Ne sferen monetare duhet te sigurohet plotesia dhe mjaftueshmeria e procedurave te injektimit te likuiditetit e te vleresimit te kolateraleve. Nderkohe, duhet te monitorohet e te sigurohet qendrueshmeria e infrastruktures me rendesi sistemike, me konkretisht, ajo e sistemeve te pagesave. Per me teper, nese banka qendrore ushtron edhe funksionin e licencimit dhe te mbikeqyrjes se sektorit bankar, kerkohet nje kuader mbikeqyres modern qe te parandaloje dhe te kufizoje rrezikun sistemik, sipas orientimeve te standardeve te reja nderkombetare. Autoritetet publike duhet te jene te pergatitura te veprojne ne situata te emergjences financiare, duke synuar te ruajne besimin e publikut ne sistemin financiar dhe te sigurojne perdorimin sa me te kufizuar dhe eficient te burimeve publike. Ne kuader te rolit te bankes qendrore qe ushtron nje politike monetare te pavarur, merr vecanerisht rendesi integrimi i konsideratave te stabilitetit financiar ne vendimmarrjen e politikes monetare. Vendet e rajonit tone kane ngjashmeri si ne strukturen e sistemit financiar, ashtu edhe ne ate te ekonomise. Bankat perbejne vellimin kryesor te aktivitetit dhe ato rregullohen e mbikeqyren nga bankat qendrore. Ne sektoret tone bankare operojne pothuajse te njejtat banka me shtrirje rajonale. Per kete arsye, zhvillimet jane te ngjashme dhe dinamika e shfaqjes dhe ecurise se rreziqeve eshte shpesh e njejte. Por, ekonomite tona kane edhe dallime, qe lidhen kryesisht me sferen monetare dhe aftesine per te aplikuar nje politike monetare te pavarur. Si ngjashmerite, ashtu edhe dallimet jane te rendesishme per te kuptuar rolin e institucioneve tona ne vleresimin dhe ne disponueshmerine e veprimeve qe kryhen per te ruajtur stabilitetin financiar. Pavaresisht prej arsenalit te ketyre veprimeve, bankat qendrore nuk mund ta kryejne te vetme kete mision. Bankat qendrore zoterojne nje arsenal te plote masash dhe instrumentesh, por zbatimi i tyre sado i plote dhe ne kohen e duhur, nuk mund te kete efektin e plote ne qofte se ato nuk jane te koordinuara dhe te mbeshtetura nga veprimet e aktoreve te tjere. Eshte e nevojshme qe per kete ceshtje te kete nje vetedije te plote tek te gjithe aktoret e rendesishem ekonomike, tek autoritetet publike dhe tek publiku i gjere dhe media. Pervec percaktimeve ligjore, kjo vetedije e ka te domosdoshme marrjen e nje informacioni te plote, te rregullt dhe ne kohen e duhur mbi zhvillimet qe mund ta kercenojne stabilitetin financiar dhe identifikimin e veprimeve te nevojshme mbrojtese. Instrumenti kryesor per ta realizuar kete detyrim eshte edhe publikimi i rregullt i raporteve qe i kushtohen stabilitetit financiar. Me lejoni tani te ndaj me ju pervojen e Bankes se Shqiperise. Sipas konceptit tone, pergjegjesia ligjore e Bankes se Shqiperise ne ruajtjen e stabilitetit financiar eshte e plote. Bankes se Shqiperise i njihet roli ekskluziv ne drejtim te licencimit dhe mbikeqyrjes se veprimtarise bankare, e drejta per te organizuar dhe monitoruar funksionimin e sistemeve te pagesave, funksioni i huadhenesit te fundit per bankat ne veshtiresi dhe ai i administrimit te situates se likuiditetit ne tregun nderbankar, si edhe roli percaktues ne politiken e kembimit valutor. Banka e Shqiperise ka detyrimin per te njoftuar publikun mbi zhvillimet qe mund te kercenojne qendrueshmerine e stabilitetit financiar. Ne fillim te vitit 2007, Keshilli Mbikeqyres i Bankes se Shqiperise e gjykoi te nevojshme te kishim nje mbulim me te mire te zhvillimeve te sistemit financiar, pra jo vetem te sektorit bankar, por njeherazi te perforcohej analiza e nderveprimit mes zhvillimeve makroekonomike dhe veprimtarise se sistemit financiar. Qellimi yne ishte vendosja e nje mekanizmi me te qendrueshem qe do te mundesonte shnderrimin e ketyre analizave, ne propozime per veprime konkrete, per te kufizuar rrezikun sistemik, jo vetem nepermjet veprimeve te Bankes se Shqiperise, por edhe te autoriteteve te tjera publike qe kane rol ne monitorimin e zhvillimeve te tregut financiar. Nga pikepamja institucionale, ne shtator te atij viti, Keshilli Mbikeqyres i Bankes se Shqiperise miratoi krijimin e Departamentit te Stabilitetit Financiar, me perzgjedhjen e kapaciteteve me te spikatura ne fushen e operacioneve monetare, te mbikeqyrjes bankare, te kerkimeve dhe te statistikave. Konkluzionet e analizes se ketij departamenti, do te diskutoheshin rregullisht ne nje nivel me te larte brenda bankes qendrore, duke ofruar edhe nje mekanizem te nevojshem filtrimi dhe pasurimi, perpara vendimmarrjes se Keshillit Mbikeqyres te Bankes se Shqiperise. Per kete arsye, ne nentor te vitit 2007 u krijua Komiteti Keshillimor i Stabilitetit Financiar (KKSF), i cili perfshin drejtuesit e larte te institucionit si edhe drejtuesit e departamenteve kryesore. Sipas rregullores se funksionimit te KKSF, ne mbledhjet e tij mund te ftohen te marrin pjese edhe perfaqesues te autoriteteve te tjera publike, kur ka nje interes te rendesishem per ceshtjet qe diskutohen. Ne rregullat e punes, Departamentit te Stabilitetit Financiar, krahas analizave per perdorim te brendshem, i jane percaktuar dy produkte kryesore per publikim: a) Deklarata e Stabilitetit Financiar, qe eshte edhe nje kerkese ligjore; dhe b) Raporti i Stabilitetit Financiar. Nga pikepamja institucionale e funksionimit, ky proces ka ecur mire. Departamenti i Stabilitetit Financiar u be funksional ne nje kohe te shpejte dhe Raporti i Stabilitetit Financiar, i cili u pergatit dhe u publikua qe ne vitin e pare te krijimit te departamentit, eshte publikuar rregullisht, me nje cilesi qe ka ardhur ne rritje te vazhdueshme. Megjithate, ne kete proces jemi ndeshur me disa sfida te cilat une mendoj se ekzistojne pavaresisht nese funksioni vleresues i stabilitetit financiar organizohet ose jo si nje strukture me vete brenda bankes qendrore. Nder to, vecoj:
domosdoshmerine e marrjes se nje informacioni sa me te plote nga te gjithe sektoret e ekonomise dhe krijimin e statistikave te plota, te besueshme dhe ne kohen e duhur,
domosdoshmerine e vendosjes se nje komunikimi sa me te mire midis departamenteve te ndryshme ne banken qendrore, si edhe midis bankes qendrore dhe institucioneve te tjera qe mund te kene rol ne monitorimin e tregut financiar. Ky komunikim krijon kushtet optimale per identifikimin e qarte dhe vleresimin e plote te ceshtjeve me te rendesishme qe kane ndikuar dhe pritet te ndikojne ne stabilitetin financiar gjate periudhave qe analizohen. Ne perfundim, nje komunikim i mire mundeson bashkepunimin nderinstitucional per trajtimin efektiv te problemeve qe mund te kercenojne stabilitetin financiar;
nevojen per te numerizuar rrezikun sistemik. Sigurisht qe ky eshte nje objektiv jo i lehte per t'u realizuar, por perpjekjet ne kete drejtim duhet te jene te vazhdueshme dhe te fillojne nga perqasjet me te thjeshta e konkrete.
krijimin e nje permbajtjeje sa me te ekuilibruar te Raportit te Stabilitetit Financiar. Ne Banken e Shqiperise, ne kemi synuar qe per kete ceshtje te perqendrohemi ne disa drejtime njeherazi.
Se pari, synojme qe raporti te identifikoje sa me qarte rreziqet kryesore te stabilitetit financiar, jo vetem ata qe krijohen si rezultat i veprimtarise se vete sistemit financiar, por edhe ata qe burojne prej nderveprimit te tij me mjedisin rrethues ekonomik.
Se dyti, raporti i stabilitetit financiar eshte nje element i rendesishem i vendimmarrjes se politikes monetare, duke i dhene kuptim real makroprudences. (Sllogani i stabilitetit me politiken monetare).
Se treti, synojme qe raporti te jete pjese e filozofise se trialogut midis Bankes se Shqiperise, Qeverise dhe tregut, me nje nivel transparence te pershtatshme mes medias dhe publikut te gjere.
Se katerti, synojme te mos mbetet thjesht pershkrues i situatave te kaluara, por ai te pasurohet, gradualisht e ne nje mase te caktuar, me analiza kerkimore dhe te perfshije elemente parashikues ne perberjen e tij.
Se pesti, raporti duhet te mberrije ne disa konkluzione per ceshtjet qe trajton, te cilat mundesojne evidentimin e rekomandimeve perkatese.
Se gjashti, permbajtja e raportit duhet te kete nje pjese kryesore qe duhet te jete e qendrueshme ne kohe per efekt te konsistences se analizes dhe krahasueshmerise se saj, si edhe nje pjese tjeter qe ofron nje liri me te madhe per te trajtuar ceshtje me specifike qe konkretizojne analizen kryesore.
Se fundi, kujdes i kemi kushtuar edhe gjuhes me te cilen shkruhet raporti duke synuar te perdorim nje gjuhe sa me te thjeshte e te kuptueshme, pa ekuivoke, e perdorshme jo vetem nga profesionistet e fushes por edhe nga publiku i gjere.
Ne jemi te vetedijshem qe ky eshte nje proces, ne te cilin ne duhet te synojme permiresimin e vazhdueshem.
*Guvernator i Bankes se Shqiperise

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›