E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Nevojitet bashkëpunim për të ardhmen e vendit”

18/12/2009  Zëvendëskryeministri Meta kërkon takim Berisha-Rama
Për Metën politika duhet të lërë mënjanë retorikat luftarake
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm Ilir Meta ka kërkuar shuarjen e konfliktualitetit në politikën shqiptare, sidomos në këtë periudhë që Komisioni Europian dorëzoi pyetësorin. Për numrin dy të qeverisë kryeministri Sali Berisha dhe kryesocialisti Edi Rama duhet të ulen në një tavolinë për të biseduar mbi reformat në funksion të procesit të integrimit. “Pa asnjë diskutim që çdo takim mes kryeministrit Berisha dhe zotit Rama është shumë pozitiv dhe zoti Berisha e ka ftuar dhe jam i bindur se do ta ftojë vazhdimisht zotin Rama, si kryetar i partisë më të madhe opozitare, për të bashkëpunuar në këtë proces shumë të rëndësishëm për të ardhmen e vendit dhe të gjithë qytetarëve shqiptarë”, - ka theksuar Meta. Ai u shpreh i bindur se qeveria do të ecë në këtë drejtim konstruktiv dhe gjithëpërfshirës. Meta tha se edhe ai është dakord të takohet me Ramën. “Në çdo rast maxhoranca është shumë e hapur për të bashkëpunuar me opozitën, dhe me veprime konkrete dhe jo thjesht vetëm me deklarata. Por natyrisht që duhet vullnet nga të gjithë, sepse momenti është i rëndësishëm dhe historik dhe duhen lënë gjërat e vogla përpara aspiratës kryesore që bashkon shqiptarët. Integrimi nuk i ndan shqiptarët në të majtë e në të djathtë”, - deklaroi zëvendëskryeministri. Meta u shpreh se integrimi duhet kthyer në një aksion kombëtar nga gjithë klasa politike, duke lënë mënjanë gjërat e vogla dhe retorikat luftarake e të panevojshme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›