E Diel, 1 Nëntor 2026

Nevzat Halili kërkon ndryshimin e statusit të shqiptarëve në Maqedoni

Tetovë, 9 gusht - Një ditë pasi përfaqësuesit e TMORO-VEP kërkuan kthimin e 90 % të siç u shprehen “territoreve të okupuara të Maqedonisë me Marrëveshjen e Bukureshtit të vitit 1913”, tani edhe Kryetari i Iliridës, Nevzat Halili, kërkon ndryshimin e statusin e shqiptarëve në vend, i cili, sipas tij, është në kundërshtim me vullnetin dhe historinë e popullit shqiptarë, raporton Alsat-m.
“Maqedonia të ridefinohet si union i dy shteteve dhe dy popujve, të shtetit të Republikës së Iliridës dhe shtetit të Republikës së Maqedonisë. Këtë e kërkojmë nga institucionet e Ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë. Nëse kjo kërkesë e jona nuk realizohet, ne kërkojmë shpalljen e Republikës së Iliridës si shtet të pavarur brenda kufijve ekzistues të Ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë”,  tha Nevzat Halili, Kryetar i Iliridës.
Halili gjithashtu kërkon nga bashkësia ndërkombëtare dhe gjitha subjektet politike dhe jopolitike shqiptare që të mbështesin siç shprehet “Institucionet e Republikës së Iliridës”.
“Apelojmë që Unioni Evropian, OSBE, ambasada e SHBA-së dhe tërë kori diplomatik i dislokuar në Shkup të përkrah kërkesat e institucioneve të Republikës së Iliridës. Po ashtu apelojmë deri tek të gjitha subjektet politike dhe jopolitike shqiptare, te shoqatat e organizatat e veteraneve të luftës së UçK-së dhe mbi të gjithë apelojmë te populli shqiptarë në përgjithësi dhe veçmas te populli i Republikës së Iliridës që të përkrah politikisht, financiarisht dhe në të gjitha mënyrat e mundshme realizimin dhe jetësimin e kërkesave të lartpërmendura”, kështu shprehet  Nevzat Halili, kryetar i Iliridës
 “Institucionet e Republikës së Iliridës” sipas Halilit përkrahin edhe letrën e intelektualëve të Tiranës zyrtare për dhënien e shtetësisë shqiptare,  gjithë shqiptarëve kudo që jetojnë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›