E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkupi edhe më tej hesht për varrezat masive me kosovarë

Shkup, 10 gusht - Ende nuk dihet ku qëndron problemi, pse nuk fillon me punë Komisioni i shumë përfolur i përzier në mes palës maqedonase dhe asaj kosovare, për gërmimet dhe hulumtimet të cilat duhet të bëhen mbi lumin Lepenc, i cili gjendet në afërsi të pikës kufitare me Kosovën. Në këtë lum supozohet të jenë varrosur trupat e shumë shqiptarëve nga Kosova të vrarë nga forcat serbe gjatë vitit 1999. Si pengesë kryesore mund të jetë edhe koha e pushimeve kur të gjithë funksionarët e lartë shtetërorë të të dyja vendeve gjenden nëpër plazhe, në pushime verore. Para disa kohe pala kosovare kishte kërkuar nga pala maqedonase, që të fillojnë hetimet e përbashkëta për këtë varrezë, mirëpo një kohë kërkesa e tyre ishte humbur në labirintet burokratike të Qeverisë së Maqedonisë, kur në gazetën “Koha Ditore”, publikisht u përgënjeshtruan deklaratat e zëdhënësve të Ministrisë së Drejtësisë, dhe atij të Ministrisë së Punëve të Jashtme, Mirjana Ilieva dhe Petar çulev. Qeveria e Kosovës, duke u bazuar në informacione të besueshme, ka kërkuar të gjurmohet nëse aty janë varrosur trupat e masakruar të shumë shqiptarëve të Kosovës nga lufta e armatosur e vitit 1999. Mirëpo për idenë që të dyja vendet të krijojnë ekipet punuese në nivel ekspertësh dhe të fillojnë gjurmimet rreth trupave të këtyre shqiptarëve në këtë kohë po heshtet. Kurse nga MPJ-ja e Maqedonisë pohojnë se kërkesa është përcjellë deri te Ministria e Drejtësisë, të cilët janë përgjegjës në themelimin e këtij komisioni. “Ne si Ministri kemi pas përgjegjësi vetëm ta dërgojmë shkresën të cilën e kemi pranuar nga pala Kosovare deri tek Ministria e Drejtësisë, të cilët më pas duhet të merren me formimin e ndonjë komisioni eventual”, tha Petar çulev, zëdhënës i Ministrisë së Punëve të Jashtme (MPJ).
Më tej ai pohoj se MPJ-ja do të jetë të gatshme të kontribuojmë në këtë drejtim nëse prej tyre do të kërkohet një gjë e tillë. “Në ekipet në nivel ekspertësh, të cilat duhet të krijohen, me siguri se do të inkorporohen më shumë ministri”, shtoi çulev.
Kurse nga Ministria e Drejtësisë nuk arritëm të kontaktojmë asnjë person kompetent. Ndërsa nga qeveria e vendit, pohuan që për këtë çështje as që është biseduar.
“Deri më tani në Qeverinë e vendit nuk është biseduar për këtë çështje, por nëse kërkohet që të bisedohet për këtë çështje, ne si qeveri do ta shqyrtojmë këtë kërkesë”, tha Muhamet Hoxha, zëdhënës i qeverisë. Kurse, ambasadori i Republikës së Kosovës në Shkup, Skender Durmishi, patë pohuar për gazetën tonë se konsultimet ndërshtetërore rreth kësaj problematike po vazhdojnë, me intensitet të shtuar.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›