E Hënë, 2 Nëntor 2026

New York Times: Kriza, grekët po i kthehen traditës bujqësore

ATHINE - Kriza ekonomike po bën që shumë grekë të kthehen në provincë dhe të merren me punët e bujqësisë. 

Ky është thelbi i një shkrimi botuar në gazetën amerikane New York Times, e cila me një korrespondencë nga ishulli Hios, i referohet fenomenit që vërehet kohët e fundit në Greqi, ku është rritur numri i qytetarëve, që largohen nga qendrat e mëdha urbane drejt fshatit për shkak të papunësisë, në kërkim të kushteve më të mira për jetesë.

Në shkrim, vihet në dukje se për shkak të papunësisë që u rrit në 18% nga 12% që ishte një vit më parë, sektori i bujqësisë në Greqi po njeh një rritje të madhe, ndërsa siç shprehet Panos Kanelis, drejtor i shkollës bujqësore amerikane në Selanik, dy vitet e fundit janë trefishuar kërkesat për studime në fushën e përpunimit të bulmetit dhe prodhimit të verës.

Gazeta evidenton "realitetin e ri", me tendencën e shumë grekëve të krijojnë vetë shanse biznesi, në fushën e bujqësisë dhe të blegtorisë.

Konkretisht, përmenden raste njerëzish që me fantazi dhe vullnet i japin shpresë jetës së tyre, duke shfrytëzuar mundësitë e pakufishme që ofrojnë bujqësia, blegtoria dhe peshkimi.

31 vjeçarët, Nikos Gavalas dhe Aleksandra Tricha, vendosën vitin e kaluar të largoheshin nga Athina e të stabilizoheshin në Hios, ku tani merren me grumbullimin dhe eksportimin e kërmillit për ushqim.

Siç thekson shkrimi, ekonomia greke po zhytet përherë e më tepër në humnerë dhe ky çift përbën një shembull përfaqësues të kthimit në natyrë, duke e parë traditën e pasur të grekëve si një udhërrëfyes për të ardhmen.

Gavalas dhe Tricha përzgjodhën të vendosen në Hios, ku krijuan fermën e tyre me mijëra kërmij, duke përdorur 50 000 dollarët që përbënin kursimet e gjithë jetës të familjes së tyre.

Duke iu referuar intervistave dhe vlerësimeve, gazeta nënvizon se për brezin e ri të Greqisë, alternativa kryesore sot është vendosja e tyre në zonat rurale apo emigrimi në shtetet e tjerë, për të kërkuar punë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›