E Diel, 1 Nëntor 2026

“New look” për urbanët e Tiranës

Sedilje më komode me veshje të reja, ngjyra të veçanta për secilën linjë dhe punonjës me uniformë. Ndryshime të dukshme kanë filluar të bëhen pjesë e urbanëve të linjave qytetase, duke ofruar një tjetër pamje të këtij shërbimi. Këtyre të fundit do t’u shtohet edhe shpeshtësia më e madhe e autobusëve bashkë me orare të përcaktuar për secilën linjë.

Ndryshimet

Mëdyshjen dhe bezdisjen që ka çdo qytetar për të marrë urbanët e Tiranës pritet që të ndryshojnë panoramën e deritanishme. E gjitha kjo e stimuluar nga qëndrimet deri në 30 minuta të disa urbanëve në stacion, ndërsa në mesditë dhe pasdite dyndje të qytetarëve. Por sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës së Transportit Urban, Kujtim Hyka, pohon për “standard” se kjo gjendje do të ndryshojë dhe janë marrë masat për përmirësimin e parametrave që duhet të ofrojnë urbanët.

“Është ndërmarrë një plan për përmirësimin e kushteve. Fillimisht puna jonë ka nisur në linjat Tiranës së Re, Unazës, Laprakë dhe Porcelani”, - u shpreh Hyka.

Sipas tij, kjo do të ndikojë në disa drejtime, në mënyrë të veçantë në rritjen e shërbimit, gatishmërinë e urbanëve, gjithashtu në larjen e herëpashershme si nga brenda ashtu edhe nga jashtë të tyre.

Një tjetër ndryshim që do të pësojë më së shumti ka të bëjë me punonjësit. Kështu punonjësit e linjave të urbanëve do të kenë së shpejti një uniformë me stemën e Bashkisë së Tiranës. Ndërsa në stacionet qendrore do të ketë nga një tabelë të vendosur në shtyllë ku do të shkruhen të gjitha oraret e lëvizjes së urbanëve.

Kondicionerët

Një tjetër pikë tejet problematike si për stinën e verës ashtu edhe për atë të dimrit janë mungesa e kondicionerëve në urbanë. Sekretari i Shoqatës së Urbanëve, Hyka, shprehet se ky është ende një luks i papërballueshëm, të cilin nuk mund t’u ofrohet qytetarëve të kryeqytetit. “Urbanët me kondicioner kanë kosto shumë të larët dhe ne nuk e arrijmë dot ta përballojmë”.

Por për sa i përket faktit se disa prej urbanëve të linjave të ndryshme të kryeqytetit kanë mbushur vjetërsinë e qarkullimit dhe kjo vetëm që janë demode dhe jashtë çdo standardi për të lëvizur me ta, Hyka shpjegon për “standard” se është më se i qartë ky fakt dhe se po merren masat. Dhe në mënyrë të veçantë për secilën linjë është menduar që të sillen 2-3 autobusë të rinj. Për sa i përket shpeshtësisë së lëvizjes së urbanëve është një çështje akoma në diskutim.

Ndërsa për ato rrugë të cilat janë në rikonstruksion, Shoqata e Transportit Urban i ka kërkuar Bashkisë së Tiranës bërjen e korsive të veçanta për urbanët. Aktualisht e vetmja korsi për autobusët është nga mbikalimi i Kamzës e deri tek sheshi Rilindja.

Bashkia, 55 gjoba bareve zhurmues

Bashkia e Tiranës ka vendosur 55 gjoba në baret e natës, pasi ato kanë prishur qetësinë e kryeqytetit. Kjo nismë u ndërmor për shkak të shqetësimeve të banorëve të kryeqytetit, të cilët ankohen për zhurmat e shumta që këto lokale shkaktojnë gjatë natës, me muzikën shumë të lartë.

Burime nga Bashkia Tiranë bëjnë të ditur se “strukturat e Policës Bashkiake kanë gjobitur deri tani 55 lokale, për shkak të zhurmave të forta të natës, pas paralajmërime të shpeshta dhe të përsëritura për pronarët e lokaleve, kryesisht në katet e para të pallateve të banimit, të cilët, më shumë se për qytetarët, mendojnë për bizneset, sidomos në kushtet e larta të konkurrencës".

Sipas burimeve, "edhe pas inspektimeve të vazhdueshme të Policisë Bashkiake dhe kërkesave të qytetarëve për të eliminuar zhurmat nga lokalet, këta sërish nuk morën asnjë masë. Kjo e ka detyruar Policinë Bashkiake të vendosë gjobat, krahas paralajmërimit të fundit, se mosderdhja e tyre në arkën e bashkisë, do të sjellë deri dhe mbylljen e bizneseve të zhurmshëm". Kanë qenë banorët e zonave të prekura nga zhurmat, që kanë telefonuar në numrin e ankesave pranë Bashkisë së Tiranës, që vlerësohet si një nga numrat më "tingëllues", pasi pret deri në 800 telefonata në ditë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›