E Shtunë, 31 Tetor 2026

Beja: Mbështetje për universitetet private

Ministri i Arsimit dhe i Shkencës, z. Fatos Beja, ka shprehur edhe një herë mbështetjen e tij dhe të qeverisë ndaj universiteteve jopublike në vend. Duke folur paraditen e djeshme në Komisionin parlamentar të Edukimit ai u shpreh se të gjitha universitetet që plotësojnë kriteret, do të kenë mbështetjen e institucionit që drejton. Sakaq, ministri vuri në dukje problemet e kushteve të universiteteve aktuale private, duke kërkuar shtimin e godinave dhe të stafit pedagogjik, në mënyrë që kushtet mësimore të jenë më të mira.

Një tjetër problem i cekur nga ministri Beja ishte dhe ai i mbipopullimit në shkollat e sistemit parauniversitar, për të cilat kërkoi mbështetje nga qeveria dhe Kuvendi. Ai deklaroi se do të kërkohen mjedise me qera, në mënyrë që t`i jepet fund mësimit me dy turne në shkollat tona.

Akreditimi

“Në sitën e komisionit kanë kaluar vetëm 4 universitete private nga më se 20 që janë gjithsej”, – deklaroi ministri i Arsimit, z. Fatos Beja. Duke komentuar situatën e krijuar, ku nga 23 universitete private janë akredituar vetëm katër, ndërkohë që të 13-të institucionet publike të arsimit të lartë e kanë kaluar këtë “sprovë”, ministri deklaroi se do të gjendet një zgjidhje sa më e shpejtë për këtë çështje.

Agjencia Publike e Akreditimit të Institucioneve të Arsimit të Lartë ka akredituar deri më tani 11 universitetet publike, dy akademitë në varësi të Ministrisë së Arsimit, të Arteve dhe të Sporteve, si edhe katër nga 23 institucionet private të arsimit të lartë. Ndërkohë që pas kërkesës së universiteteve private, do të nisë procedura e akreditimit edhe për dy universitete të tjera.

Përpara një jave, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, Kryeministri, z. Sali Berisha, kërkoi që të kontraktohet sa më shpejt një institucion i huaj akreditimi, në mënyrë që të kalojë në sitë të gjitha universitetet shqiptare, qoftë publike apo private, e si ato të akredituara, edhe ato që nuk kanë kaluar nga ky proces. Kryeministri kërkoi që kontraktimi të kryhet brenda vitit, në mënyrë që akreditimi të përfundojë brenda një kohe të shpejtë.

Shkollat e mesme

Gjatë fjalës së tij në Komisionin e Medias, ministri u përqendrua në shkollat e sistemit parauniversitar. Sipas z. Beja, situata e krijuar me shkolla me dy turne duhet të marrë fund dhe se Ministria e Arsimit është e gatshme të marrë masa për të hequr këtë “traditë” nga shkollat nëntëvjeçare dhe ato të mesme në të gjithë vendin.

"Këtë vit shkollor, rreth 307 shkolla të arsimit parauniversitar në rang vendi, e kryejnë mësimin me dy turne", - deklaroi ministri i Arsimit, z. Fatos Beja. Ai kërkoi që për të normalizuar gjendjen për shkak të mbipopullimit të klasave, të merren ambiente me qera, kryesisht për arsimin parashkollor dhe atë bazë. Ministri Beja e cilësoi si “mjaft problematike” situatën e krijuar në Tiranë dhe në rrethinat e saj, si Kamëz e Qesarakë, ku mësimi kryhet jo me një e dy, por me tri turne.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›