E Shtunë, 31 Tetor 2026

Panairi për 2.000 vende të lira pune, profesionet e kërkuara

Çelet sot panairi "Tregu i Punës, Tiranë 2008", ku ofrohen mbi 2000 vende të lira pune nga data 23-24 tetor për të papunët në Tiranë, përmes panairit "Tregu i Punës, Tiranë 2008", në mjediset e Pallatit të Kongreseve.

“Këto kompani janë nga më të suksesshmet në treg. Ofertat e punësimit që këto biznese do të prezantojnë në hollin e Pallatit të Kongreseve, në një sipërfaqe prej rreth 2200 metër katrorë, i adresohen të gjitha kategorive të papunëve, duke nisur që nga ata me arsim të lartë, të mesëm dhe për ata punëkërkues që janë pa kualifikim”, - tha Helena Marku, shefe e formimit profesional në Drejtorinë e Zyrës së Punësimit në Tiranë.

Panairi

Helena Marku theksoi se panairi hapet ditën e sotme në orën 18:00 dhe ditën e nesërme nga ora 10:00 e mëngjesit deri në 20:00 të darkës. Ndërsa për sa u përket ofertave të punës, sipas saj, do të jenë të fushave të ndryshme, si në telekomunikacion, shërbimin bankar, linjave prodhuese, menaxhim, marketing, sektorin e ndërtimit, instalimeve hidraulike dhe elektrike etj.

Ajo theksoi se janë të pranuar të gjitha kategoritë pro në mënyrë të veçantë moshat e reja dhe studentët duhet të vizitojnë panairin, pasi në stendat e tij do të gjejnë oferta pune që u përshtatet aftësive të tyre profesionale.

Janë mbi 2000 vende të lira pune, të cilat do të promovohen në Tiranë. Ky aktivitet, i pari i këtij lloji në kryeqytet, organizohet nën kujdesin e Kryeministrit Sali Berisha, i cili e ka shpallur punësimin prioritet të programit të tij qeveritar.

Punësimi

Zyra e Punësimit nuk merr asnjë ofertë punësimi nga administrata shtetërore apo institucione të tjera publike. Të gjitha ofertat që i drejtohen kësaj zyre vijnë nga subjekte private. Këto të fundit së bashku me ofertat japin edhe kriteret që duhet të përmbushë secili kandidat për t’u pranuar në punë. Vetëm para pak kohësh është deklaruar se papunësia ka arritur në 13 për qind. Por ekspertët mendojnë se jo të gjithë faktorët janë përllogaritur në këtë statistikë, çka bën të besosh se papunësia në vendin tonë është më e lartë. Papunësia vazhdon të mbetet ende një ndër problemet më shqetësuese të shoqërisë sonë.

Rama nis dëgjesat për hartimin e buxhetit 2009

Në 11 njësitë bashkiake të Tiranës, kreu i bashkisë, Edi Rama, ka vendosur që të bëjë takime me qytetarët për të dëgjuar opinionin e tyre lidhur me hartimin e buxhetit të vitit 2009.

“Thuaj fjalën tënde”, është një nismë e cila i shërben inkurajimit për pjesëmarrjen e publikut në vendimmarrje, për shpërndarjen e fondeve publike në dobi të mirëqenies së komunitetit”, - tha Rama.

E reja që do të ketë këtë vit është fondi i komunitetit. 10% e fondit të investimeve të bashkisë do të jetë fondi i komunitetit, do të jetë komuniteti, grupe dhe pjesë të tij, qytetarë dhe qytetare të angazhuar për të sjellë transformimin, aty ku banojnë, tek blloku i tyre i banimit, tek rrugica e tyre, tek këndi që kanë nevojë të kthehet në një kënd sportiv, tek ajo pjesë e territorit pranë shtëpisë, nën dritare që mund të kthehet në një lulishte të vogël. Këtë do ta vendosnin qytetarët.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›