E Shtunë, 31 Tetor 2026

ISSH: Kërkesë një vit përpara për të marrë pensionin

Procedura të reja për përfitimin e pensionit. Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka njoftuar dje se janë përcaktuar rregulla të reja për personat që janë në prag të daljes në pension pleqërie. Kjo kategori duhet të drejtohet në agjencitë lokale të sigurimeve shoqërore një vit përpara arritjes së moshës për pension për të plotësuar një kërkesë paraprake.

Ndryshimi

Dymbëdhjetë muaj para se të keni mbushur moshën e daljes në pension pleqërie, duhet që të merrni kërkesën paraprake përmes së cilës kërkoni që të dilni në pension. Këto janë rregullat e reja të miratuara nga Këshilli Administrativ i Institutit të Sigurimeve Shoqërore.

Përmes rregullores cilësohet qartë se personat të cilët janë në prag të daljes në pension pleqërie, kanë të drejtë që të aplikojnë në agjencitë lokale të sigurimeve shoqërore një vit para arritjes së moshës për pension për të plotësuar një kërkesë paraprake për pension, për të dorëzuar fotokopje të librezës së punës si dhe për të deklaruar historikun e punës.

Sipas ISSH-së, “rëndësia e këtij momenti është shumë e madhe, si për personin e interesuar për pension, ashtu edhe për administratën e sigurimeve shoqërore, pasi do të vlente për të verifikuar në kohë historikun e punës e cila në mjaft raste është në qendra të ndryshme të punës apo edhe në shumë raste, në qytete apo fshatra të ndryshme të Shqipërisë”.

Afati i caktimit të pensionit 45 ditë pas pranimit të kërkesës dhe dokumenteve për pension, një aplikim i tillë 12 muaj përpara mbushjes së moshës do të ndihmonte si aplikuesit për të plotësuar dokumentacionin, ashtu edhe strukturat e Institutit të Sigurimeve Shoqërore për verifikim.

Plotësimi i kërkesës paraprake për pension nga 1-12 muaj para mbushjes së moshës, fiton kohë për të caktuar pensionet dhe nga ana tjetër edhe për pretendentët për pension të cilët e përfitojnë menjëherë pensionin pas mbushjes së moshës.

Gjithashtu, është e nevojshme edhe dokumentacioni i vjetërsisë në punë, ka nevojë që të verifikohet në burim në origjinë, verifikimet të cilat duhet të kryhen në rrethe të ndryshme atje ku është dokumentacioni. Me qëllim që të koordinohen, të monitorohen, të mos vonohen verifikimet, është krijuar një post i ri pune, që është ai i Inspektorit të Përgjithshëm Koordinues.

Afati i përgjithshëm i caktimit të pensionit është i grafikuar, i shkallëzuar me ditë pune në secilën hallkë të procedurës së caktimit të pensionit, tek secili inspektor.

Ndërkaq, çdo aplikues duhet të kërkojë pajisjen me një mandat ku njoftohet data e tij e aplikimit. Aplikimi do të pranohet i firmosur nga vetë aplikuesi.

Somario

Dokumentet e nevojshme që shoqërojnë kërkesën paraprake janë:

Fotokopje e librezës së punës, në mungesë të saj deklaratë personale për vitet e punës.

Certifikatë lindjeje me fotografi

Certifikatë martese për kërkueset femra

Përmes rregullores së re, ISSH-ja synon përmirësimin e shërbimit me qëllim që çdo pension të jepet në kohë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›