Newborn i Prishtinës fiton “Luanin e Artë për Dizajn”
Madhështia e Newborn, simbolit të pavarësisë së Kosovës, sërish triumfon duke fituar çmimin Luani i artë për Dizajn (Gold Design Lion) në Festivalin e 55 Ndërkombëtar të Publicitetit, Luani 2008 (55th Cannes Lions 2008 International Advertising Festival) në Kanë të Francës, më 18 qershor 2008. “Luani i Artë është çmimi më prestigjioz në botë në fushën e publicitetit dhe dizajnit, që do të thotë shumë për ne, sepse po vlerësohemi ndër njerëzit më krijues në botë”, pohon Fisnik Ismaili, drejtori kreativ i agjencisë së marketingut Ogilvy Albania & Kosova dhe ideatori i skulpturës tipografike Newborn, që përjetësoi në qendër të Prishtinës ditën e Pavarësisë së Kosovës, 17 shkurt 2008. Nga 30 mijë pjesmarrës, vetëm një për qind e tyre arritën të fitojnë një çmim dhe një pjesë fare e vogël, kanë fituar luan të artë. Newborn, skulptura e bërë prej çeliku, me peshë rreth 9 ton, 3 metra e lartë, 22 metra e gjatë dhe 1 metër e trashë, ka triumfuar në konkurrencë me Adidas MI Qendrën e Inovacionit, Galerinë e Historisë dhe të Jetesës të Muzeut Kombëtar të Singaporit dhe Johnnie Walker Jazz Pioneers Walk Of Fame. Festivali Ndërkombëtar i Publicitetit, në Kanë mbledh çdo vit profesionistë të fushës së publicitetit nga e tërë bota dhe vlerësohet si më prestigjiozi për çmimet në këtë fushë. Kategoria e dizajnit – Design Lions, përfshin nënkategoritë e “Packaging Design”, Identitetit të Markës dhe Dizajnit Mjedisor si dhe kategori të tjera, dhe çmimi në këtë kategori nderon përdorimin krijues dhe inovativ të dizajnit për markat, komunikimin e produkteve dhe zhvillimin e tyre. Ajo ç’ka është vlerësuar më shumë gjatë përzgjedhjes së Newborn ka qenë krijueshmëria, origjinaliteti, ekzekutimi dhe angazhimi i publikut. Çmimet për këtë kategori u ndanë më 18 qershor së bashku me Press dhe Cyber Lions, në Kanë, Francë. Duke plotësuar të gjitha kriteret për çmimin e madh Gold Design Lion (Luani i Artë për Disenj), Newborn sërish vlerësohet për krijueshmëri, origjinalitet dhe realizim në kategorinë “Dizajni Mjedisor”. Ky është trofeu i dytë, që Newborn fiton brenda një harku të shkurtër kohor, pas çmimit Silver Clio Award në festivalin vjetor “Clio Award Festival” në Miami në 16 Maj të këtij viti, nga një prej trupave kryesore certifikuese në botë për publicitet, design dhe krijime interaktive. Ogilvy Albania-Kosova, është agjenci e specializuar në publicitet, krijimin e markës dhe identitetit, dizajnit grafik, media elektronike, marrëdhënie me publikun, promovime dhe organizim eventesh menaxheriale, studime tregu, konsulencë, trainime, etj. Pasuria kryesore e Ogilvy Albania-Kosova bazohet në individë me përvojë në marketing, publicitet, web, print, produkte multimedia, planifikim strategjik, menaxhim mediatik, studim tregu dhe konsumatori, etj. nga Anglia, SHBA, Italia, Norvegjia, Zelanda e Re, të cilët kanë punuar për kompani të mëdha si Apple, Oracle, NBA, Mattel, British Airways, Channel Four, Cisco Systems, P&G, Wal-Mart, DHL, UPS. etj. Ogilvy Albania dhe Ogilvy Kosova janë pjesë e Ogilvy & Mather Worlwide Network që prej 2006-s. Ogilvy & Mather Worldwide Network është pjesë e grupit WPP, një nga kompanitë më të mëdha të shërbimeve të komunikimit në botë, që punëson mbi 100,000 njerëz dhe ka mbi 2,000 zyra në 130 vende të botës.
21 Qershor 2008