Pavarësia e Kosovës, Sejdiu-Tadiç përballen në OKB
Këshilli i Sigurimit i OKB-së, ka debatuar dje raportin e Sekretarit të Përgjithshëm, Ban Ki Mun, mbi rikonfigurimin e pranisë ndërkombëtare në Kosovë pas hyrjes në fuqi të Kushtetutës së saj. Ban Ki Mun ka propozuar një prani të zvogëluar të OKB-së dhe dorëzimin e disa përgjegjësive tek misioni i Bashkimit Europian, EULEX, duke parashikuar një fazë kalimtare prej afro katër muajsh. Sekretari i përgjithshëm i OKB-ve, Ban Ki Mun ka thënë në takimin e Këshillit të Sigurimit se shefi i ri i UNMIK-ut do të jetë Lamberto Zanier dhe Bashkimi Europian duhet të marrë disa përgjegjësi operative në Kosovë. “Situata në Kosovë ka ndryshuar, por nuk duhet humbur çfarë është fituar”,-është shprehur Ki Mun në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit në OKB kushtuar Kosovës. Ki Mun u shpreh me nota pozitive rreth punës së qeverisë. “Qeveria e Kosovës është konsoliduar”,-u shpreh ai para shteteve të Këshillit të Sigurimit. Të pranishëm në mbledhje ishin edhe Presidenti i Serbisë Boris Tadiç dhe Presidenti i kosovës Fatmir Sejdiu të cilët mbajtën nga një fjalim.
Në fjalën e tij, kreu i shtetit serb u shpreh kundër pavarësisë së Kosovës duke e quajtur atë të paligjshme. “Pavarësia e Kosovës është e paligjshme dhe kundër ligjeve ndërkombëtare. Serbia nuk do ta njohë asnjëherë Kosovën”,-tha Tadiç ku në këtë kontekst kujtoi se vetëm pak shtete e kanë njohur si shtet më vete Kosovën. Ndërkohë Sejdiu, i pari President i Kosovës që foli nën këtë funksion në KS të OKB-së i kujtoi Tadiçit se 2/3 e vendeve të BE-së brenda një kohe të shkurtër kanë njohur Kosovën të pavarur dhe kjo sipas tij është arritje e madhe. Ai kërkoi që Kombet e Bashkuara në Kosovë ti përshtaten Kushtetutës së re të Kosovës të miratuar më 15 Qershor. “Pavarësia e Kosovës dhe hyrja në fuqi e Kushtetutës sonë kanë krijuar një situatë të re, të cilës duhet t’i përshtatet Organizata e Kombeve të Bashkuara edhe njëherë. Populli i Kosovës e vlerëson iniciativën e sekretarit të përgjithshëm për ta rikonfiguruar praninë e OKB-së në vendin tonë”,-ka thënë presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu në takimin e Këshillit të Sigurimit të KB-ve në Nju Jork.
Ai bëri të ditur para KS-së se shqetësim aktual në Kosovë paraqitet ndarja funksionale. “Ndarjet në Kosovë në këtë mënyrë janë kërcënim për sigurinë e atjeshme”,-pohoi Sejdiu. Presidenti i Kosovës garantoi shtetet e Këshillit të Sigurimit në OKB se “Kosova është tashmë një shtëpi e minoriteteve”. Plani Sekretarit të përgjithshëm Ban Ki Mun Ban i dërguar me një letër para pak kohësh në Serbi e Kosovë është pranuar me pak hezitime në Prishtinë, kurse Beogradi zyrtar e ka cilësuar si të papranueshëm dhe në kundërshtim me Rezolutën 1244.
21 Qershor 2008