Rexhepi: “Në Veri të Kosovës po veprojnë struktura paralele serbe”
Strukturat paralele të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë në Mitrovicë mund të bëhen shkak për tensionimin e situatës në veri të vendit. Kjo ka qenë deklarata e kryetarit të Komunës së Mitrovicës Bajram Rexhepi sipas të cilit ka informacione se pjesëtarë të strukturave paralele serbe të sigurisë kanë shtuar lëvizjet dhe aktivitetet e tyre, duke i ndalur dhe legjitimuar njerëzit në veri të qytetit, madje edhe duke u prezantuar haptas si pjesëtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme serbe. Me këtë rast Rexhepi u bëri thirrje përfaqësuesve të KFOR-it dhe UNMIK-ut, të cilët janë përgjegjës për sigurinë në veri të Kosovës, që të marrin masa dhe t’i neutralizojnë këto aktivitete që mund të ndikojnë në shkallëzimin e situatës. “Në Republikën e Kosovës nuk lejohet të veprojë asnjë strukturë tjetër, përveç KFOR-it, UNMIK-ut dhe SHPK-së”, - tha ai.
Sipas Rexhepit, nëse strukturat e KFOR-it dhe UNMIK-ut dështojnë në këtë drejtim do të shikohen alternativa të tjera. “Ne do të jemi të përmbajtur dhe nuk do të provokojmë, por edhe përmbajtja ka një kufi”,-tërhoqi vërejtjen Rexhepi. Situata e sigurisë në komunën e Mitrovicës sipas tij, për momentin është e qetë, por ekzistojnë mundësitë që gjendja të tensionohet për shkak të veprimit të strukturave serbe që veprojnë në veri të vendit, tha dje në Komitetin për Siguri në Mitrovicë Bajram Rexhepi. Lidhur me veprimet e këtyre strukturave ilegale të sigurisë në veri, komandanti i stacionit jugor të SHPK-së, kapiteni Bashkim Spahiu, tha se ditëve të fundit është rritur shqetësimi i popullatës, për shkak të aktiviteteve të këtyre strukturave. Spahiu tha se nuk kanë pasur ndonjë rast që dikush është adresuar me shkrim për legjitimim të strukturave ilegale, mirëpo ka ndodhur që ndonjëri të konfirmojë gojarisht se i ka ndodhur një gjë e tillë.
21 Qershor 2008