“Përmeti Multikulturor 2008”, festivali i pakicave etnike
Prof.dr. Vasil S. TOLE
Nga data 23-25 qershor, ashtu si çdo herë këto shtatë vitet e fundit, në qytetin e Përmetit organizohet aktiviteti ndërkombëtar “Përmeti Multikulturor 2008”. Ky është festivali i vetëm ndërkombëtar i pakicave etnike, kulturore dhe gjuhësore i cili zhvillohet në Shqipëri nën siglën e CIOFF-it. CIOFF është komiteti ndërkombëtar i organizimit të Festivaleve Folklorike në të cilin është anëtarësuar edhe vendi ynë dhe seksioni shqiptar i CIOFF-it është gjithashtu me qendër në qytetin e Përmetit. Eshtë zgjedhur Përmeti pasi është qyteti që ka llojshmëri kulturore, atje bashkëjetojnë e ballafaqohen kulturat e etnive të ndryshme dhe është vendlindja e mjeshtrave të këngës popullore si Usta Laver Bariu, Mentor Xhemali, Remzi Lela, etj. Kjo veprimtari multikulturore, ku përveç shfaqjeve që zhvillohen në sheshin e qytetit, organizohen edhe veprimtari të tjera si simpoziume, ekspozita, promovime botimesh, etj. Festivali Folklorik Ndërkombëtar “Përmeti Multikulturor” është e vetmja veprimtari kulturore artistike që përfshin folklorin e pakicave dhe etnive që bashkëjetojnë në vendin tonë. Festivali gjallëron jo vetëm jetën kulturore të Përmetit dhe zonave rreth tij, por gjithashtu promovon dhe ballafaqon vlerat kulturore të etnive dhe pakicave në shkallë vendi dhe rajoni, duke nxitur frymën e paqes dhe të dashurisë mes grupeve etnike e popujve të rajonit, në dobi të integrimit evropian të Shqipërisë. Gjithashtu kjo veprimtari ka si qëllim të nxisë turizmin kulturor dhe të gjallërojë biznesin vendas. Në këtë veprimtari është realizuar me sukses si bashkëpunimi me pushtetin vendor ashtu edhe me shoqatën e biznesit të qytetit të Përmetit, si dhe është veprimtari që ndiqet me mjaft interes nga publiku vendas duke u kthyer në një festë të këngës, valles popullore dhe promovimit të vlerave të tyre. Komiteti organizues i festivalit shpërndan diploma pjesëmarrjeje. Me vendim të Këshillit Bashkiak të qytetit të Përmetit, në dhjetor 2006, u aprovua edhe Statuti i këtij festivali, si dokumenti ligjor i organizimit të këtij aktiviteti.
Këtë vit, gjatë ditëve të festivalit do të jepet edhe vlerësimi i lartë “Qytetar Nderi”, për Z. Përmet Vula, dëshmor i Atdheut, ish-pjestar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Përmes këtij akti qytetërues, Bashkia dhe Këshilli Bashkiak i Qytetit të Përmetit, memorizon në kujtesën e qytetit, aktin sublim të Përmetit për lirinë e Kosovës, të këtij qytetari-luftëtar (i vetmi me emrin Përmet në gjithë historinë e qytetit), i cili edhe pas vdekjes, ndikon së tepërmi edhe në përbashkimin e vlerave mes Shqipërisë dhe shtetit më të ri në botë: KOSOVËS. Ceremonia e dekorimit do të zhvillohet në ditën e fundit të festivalit, në sheshin e qytetit të Përmetit, në prani të familjes së dëshmorit, grupit artistik kosovar si dhe mijra qytetarëve përmetarë të cilët vlerësojnë aktin sublim të Përmet Vulës. Kjo veprimtari përbën një arritje të madhe për gjithë lëvizjen folklorike shqiptare pasi evidenton vendin tonë si një vend me pasuri të lakmueshme folklorike, integron traditat tona në skemën botërore të veprimtarive folklorike dhe krijon një pikë të rëndësishme referimi të CIOFF-it botëror në Shqipëri. Në aktivitetin e këtij viti marrin pjesë grupe artistike nga Shqipëria, Kosova, Greqia, Maqedonia dhe Mali i Zi. Festivali mbështetet nga MTKRS.
21 Qershor 2008