E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reforma e Lisbonës, samiti i BE-së nuk cakton afat



Kryetarët e shteteve dhe të qeverive të Bashkimit Europian kanë hequr dorë nga caktimi i një date për ratifikimin e marrëveshjes për reformën e BE-së. Se si do të vazhdohet më tej pas refuzimit të irlandezëve ndaj marrëveshjes së Lisbonës, unioni do të mblidhet për të diskutuar sërish në muajin tetor, thuhet në deklaratën përfundimtare të samitit të BE-së në Bruksel. Sipas planit marrëveshja duhej të hynte në fuqi në vitin 2009. Në deklaratën e samitit të BE-së nuk përmbahet as ndonjë apel direkt për vazhdimin e procesit të ratifikimit në vendet e tjera të BE-së. Konstatohet vetëm se deri tani dokumenti i marrëveshjes është ratifikuar në 19 vende. Presidenti i Francës Nikola Sarkozi, vendi i të cilit muajin e ardhshëm merr presidencën e radhës të BE-së është shprehur se procesi i zgjerimit të BE-së duhet të pezullohet deri në zgjidhjen e çështjes së reformave institucionale të bllokut. “Pa Traktatin e Lisbonës nuk do të ketë zgjerim. Nuk mund t’i thuhet jo reformimit dhe “po” zgjerimit”. Një diplomat që ka dashur të ruajë anonimatin e ka cilësuar deklaratën si një kërcënim dhe një sinjal të gabuar që u dërgohej irlandezëve por edhe kroatëve dhe turqve të cilët synojnë anëtarësimin në bllok. Ndërkohë presidenti çek Vaclav Klaus, i njohur për qëndrimin e tij skeptik ndaj Europës deklaroi se pas Jo-së së irlandezëve marrëveshja e Lisbonës është e vdekur dhe nuk mund të bëhet gjë për të. Në Republikën Çeke marrëveshja ndodhet aktualisht për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.

21 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›