Nexhat Demaku merr edhe një mandat

Nexhat Demaku ka arritur të marrë edhe një mandat në krye të Degës së PDK-së në Drenas. Ai ka mundur kundërkandidatin Bislim Zogaj, me 15 vota kundrejt 9. Vetë Zogaj e ka cilësuar votimin si të rregullt, megjithëse ka pasur një ankesë. Garë e fortë dhe e paparashikuar për kryetar pritet edhe në Prishtinë e Viti.
Kryesia 25-anëtarëshe e Degës së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Drenas, e ka (ri)zgjedhur Nexhat Demakun në krye të kësaj dege, pikërisht një muaj pas mbajtjes së Kuvendit Zgjedhor.
Demaku ka marrë 15 vota, kundërkandidati i tij, Bislim Zogaj ka marrë 9 vota, kurse një votë ishte e pavlefshme.
Vetë Zogaj e ka cilësuar votimin si të rregullt, megjithëse ka pasur një ankesë. “Mendoj se çdo gjë ka shkuar në rregull, përfshirë procedurën e votimit dhe zgjedhjen e kandidatit”, i tha Zogaj, Gazetës Jeta në Kosovë. Ai i ka uruar Demakut suksese në drejtimin e degës.
Por, ai ka bërë vërejtje për kohën e shkurtër të njoftimit të mbledhjes së Kryesisë për zgjedhjen e kryetarit, dhe pse nuk ka qenë askush prezent nga strukturat qendrore të partisë.
Kurse, Demaku tha se takimi i sotëm i Kryesisë është mbajtur në koordinim të plotë me qendrën. “Por, për shkak të angazhimeve të tyre, ata nuk kanë mund të jenë prezentë në takimin e sotëm”, i tha ai, Gazetës JnK.
Demaku tha se nga procesi zgjedhor janë bërë ndryshime të mëdha në këtë degë. Ndërsa, rizgjedhjen e tij e konsideron "një sfidë për arritje të tjera të degën e Drenasit”./Indeksonline/