Thaçi: Drejtoria e Arsimit po i plaçkit nxënësit

Lidhja Demokratike e Kosovës, akuzoi të martën për keqpërdorime Drejtorinë e Arsimit në Prizren. Përfaqësuesi i Zyrës për informim të LDK-së, Abdullah V. Thaçi tha se DA-ja në Prizren, hapur ka filluar të shpërfaq keqpërdorimet, madje edhe ndaj nxënësve.
“Drejtoria e Arsimit në Prizren, e udhëhequr nga një person me disa dosje policore, dhe disa procese gjyqësore, është shndërruar në një poligon të keq qeverisjes, ku që nga niveli më i lartë në DKA e deri në nivelin më të ultë nëpër shkolla, hapur shpërfaqen keqpërdorimet”, tha Thaçi.
Sipas tij, në këtë fillimvit drejtoritë e shkollave në Prizren , kanë filluar t’i kërkojnë nxënësve nga një euro, në emër të pagës për punëtorin ndihmës për mirëmbajtjen e ngrohjes në shkolla.”Në shkollat fillore “Lidhja e Prizrenit” , dhe “Emin Duraku” nxënësit i kanë obliguar që për punëtorët e shkollave t’i paguajnë nga një euro. Prindërit e nxënësve janë paraqitur me ankesa në zyrat e Degës së LDK-së, të cilët hapur shprehin dyshimet për keqpërdorimin e këtyre mjeteve”, tha Thaçi, raporton preizrenpress.
Ai tha se në bazë të një matematike të thjeshtë në një nga shkollat e qytetit të Prizrenit, e cila i ka mbi 1500 nxënës del se për punëtorin ndihmës brenda një muaji mblidhen 1500 euro. “Shtrohet pyetja ku shkojnë këto mjete ?”, theksoi ai.
Grupi i Ekspertëve të LDK-së, kërkon nga drejtoritë e shkollave që ta ndërprenë praktikën e kërkimit të mjeteve nga nxënësit, sepse një hap i këtillë është diskriminues dhe antiligjor .
“Institucionet qendrore dhe ato lokale janë të obliguara që të sigurojnë mjete për të gjitha nevojat e shkollave, prandaj grupi i ekspertëve të LDK-së shpreh hapur dyshimin për keqpërdorimin e këtyre mjeteve, sepse ato mjete kundërligjshëm janë të arkëtuara, dhe janë bazë e mirë për keqpërdorim”, tha Thaçi .
Grupi i ekspertëve të LDK-së, sipas tij, kërkon po ashtu që përveç nga organet e drejtësisë edhe organet kompetente qendrore të ndërhyjnë në DKA-në e Prizrenit, për t’i hetuar keqpërdorimet e mëdha të kësaj drejtorie.
Drejtori i Arsimit Nexhat Çoçaj, ndërkaq ka reaguar kundër akuzave të LDK-së. “Drejtoria Komunale e Arsimit në Prizren, fuqimisht demanton shpifjet e LDK-së në lidhje tendencën për etiketimin e drejtorit të DKA-së, për faktin se edhe shpifja e radhës vjen e nënshkruar nga falsifikatori njohur për policinë dhe gjykatën në lidhje me nxjerrjen e dëshmive nga banka, për çka edhe është pushuar nga puna dhe po ndiqet penalisht”, tha Çoçaj. Sipas tij, deri më sot Drejtoria Komunale e Arsimit nuk ka pranuar asnjë ankesë të prindërve nga asnjë shkollë, në lidhje me grumbullimin e të hollave që pretendon LDK-ja ta adresojë në dy shkolla.
“Gjithashtu ua bëjmë me dije ekspertëve të LDK-së për arsim në Prizren, se para se ta dezinformojnë opinion ta lexojnë Udhëzimin Administrativ nr. 28/ 2012, gjegjësisht neni 6 pika 11, përmes të cilit udhëzim i jep kompetencë Këshillit të Prindërve që të merr vendime dhe iniciativa edhe për mbledhjen e të hollave nga vet ata (prindërit). Rasti konkret për SHFMU “Emin Duraku” në kryesi të Këshillit të Prindërve është anëtare e Kryesisë së LDK-së, e cila më së miri e di detyrën dhe kompetencat e Këshillit të Prindërve dhe ta thotë të vërtetën se për çfarë destinacioni ky këshill mbledh fonde nga prindërit e jo nga nxënësit apo edhe nga mësimdhënësit e ndonjë shkolle të caktuar”, tha Çoçaj
Ai ka porositur ekspertët e LDK-së, që të shkojnë nëpër shkolla dhe të informohen saktësisht se për çka është fjala e në asnjë mënyrë të mos e dezinformojnë opinionin. “Dezinformimet e Departamentit për informim të LDK-së në Prizren sikurse edhe më parë shihet qartë se në shërbim të kujt janë. Në shërbim të gjithkujt pos të shkollës shqipe, sepse sukseset e shkollave në Prizren janë duke i penguar këtyre ekspertëve, që para se të kërkojnë sqarime nga zyrtarët dezinformojnë opinionin”,tha Çoçaj./Indeksonline/