Nga 11 janari kthehen regjistrat kadastralë

Zv.kryeministrja njëherësh udhëheqëse e delegacionit të Kosovës në bisedimet teknike, Edita Tahiri tha se Qeveria e Kosovës po i bën të gjitha përgatitjet që të kompletohet databaza e kadastrës shtetërore, në mënyrë që të plotësohet vakumi që ka qenë deri tani sa i përket këtyre dokumenteve.
“Sipas marrëveshjes në Bruksel ne presim që më 11 janar të fillojë zbatimi i kësaj marrëveshje dhe kjo do të nënkuptojë që prej kësaj periudhe do të fillojë skanimi i origjinaleve të dokumenteve kadastralë dhe transferi në Kosovë përmes zyrës evropiane në Kosovë”, ka thënë ajo.
Zëvendëskryeministrja Tahiri dje e ka pritur në një takim zëvendësshefin e EULEX-it, Andy Sparkes, me ç’rast ky i fundit edhe i ka dorëzuar librin e parë të skanuar dhe certifikuar të Regjistrit Civil, ndërkaq mbesin edhe 14.076 libra tjerë për t’u certifikuar në të ardhmen.
Tahiri ka thënë se ky është një kontribut i mirë për pasurimin e të dhënave, porse Kosova nuk ka hequr dorë nga marrja e librave origjinalë.
Marrëveshja për Librat e Regjistrit Civil, është arritur me 2 korrik 2011. Sipas marrëveshjes librat origjinale do të skanohen dhe certifikohen nga EULEX-i. Deri më tani janë realizuar 7 takime të grupit punues për zbatimin e marrëveshjes, ndërkaq procesi i implementimit të marrëveshjes për Librat e Regjistrave Civil ka filluar të zbatohet më datën 5 dhjetor 2011.