E Hënë, 2 Nëntor 2026

Nga 2 Shtatori 2025, marrja e vizës amerikane do të kërkojë zhvillimin e intervistës për të gjithë aplikantët. Kategoritë që përjashtohen

Ambasada Amerikane në Tiranë ka njoftuar një ndryshim të rëndësishëm në procesin e aplikimit për viza jo-emigruese, i cili do të hyjë në fuqi nga data 2 shtator 2025. Sipas rregullave të reja, shumica e aplikantëve, përfshirë edhe ata që rinovojnë vizën, do të duhet të paraqiten për një intervistë ballë për ballë me një zyrtar konsullor.

Ky ndryshim prek një gamë të gjerë të kategorive të vizave dhe synon të përditësojë kriteret për heqjen dorë nga intervista.

Më parë, disa grupe aplikantësh mund të kualifikoheshin për ta shmangur intervistën, por tashmë këto përjashtime do të reduktohen ndjeshëm, shkruan rtsh.al.

Kush preket nga ndryshimi?

Ndryshimet e reja nënkuptojnë se pothuajse të gjithë aplikantët për viza jo-emigruese, përfshirë edhe ata nën 14 vjeç dhe mbi 79 vjeç, do të duhet të paraqiten personalisht për një intervistë.

Megjithatë, ka disa përjashtime të rëndësishme:

•     Diplomatët dhe Zyrtarët: Aplikantët që kualifikohen për viza të tipit A-1, A-2, C-3, G-1, G-2, G-3, G-4, NATO-1 deri në NATO-6, si dhe viza zyrtare apo diplomatike, nuk do të jenë të detyruar të intervistohen.

•     Rinovimi i Vizës B1/B2: Aplikantët që rinovojnë një vizë të plotë B-1/B-2 brenda 12 muajve nga data e skadimit mund të përjashtohen nga intervista. Kjo vlen vetëm nëse ata kanë qenë të paktën 18 vjeç në kohën e lëshimit të vizës së mëparshme dhe plotësojnë kritere të tjera shtesë, siç janë: aplikimi në vendin e shtetësisë së tyre, mos-refuzimi i mëparshëm i vizës dhe mungesa e arsyeve për papranueshmëri.

Pavarësisht rregullave të reja, zyrtarët konsullorë mbajnë të drejtën të kërkojnë intervistë ballë për ballë rast pas rasti, për çfarëdo arsye. Për informacion më të detajuar mbi procedurat dhe kërkesat e aplikimit, aplikantët këshillohen të vizitojnë faqen zyrtare të ambasadës ose konsullatës ku do të aplikojnë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›