E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama në Kroaci, takon Presidentin dhe Kryeministrin kroat

Në ditën e dytë të vizitës së tij në Kroaci, numri një i selisë rozë, Edi Rama, ka zhvilluar takime të posaçme me zyrtarët më të lartë kroatë, Presidentin Josipoviç dhe Kryeministrin Milanoviç. Në Zagreb, lideri i opozitës shqiptare u prit në një takim miqësor nga kryeministri kroat, Zoran Milanoviç. Biseda 90 minutëshe me Kryeministrin kroat u përqendrua kryesisht në situatën politike rajonale, por edhe në politikat e reja për nxitjen e zhvillimit, punësimit dhe taksimit të ndershëm.
 

Rama e njohu kryeministrin Milanoviç me programin e Partisë Socialiste për një Rilindje Shqiptare, ndërkohë që Kryeministri kroat ofroi ndihmën dhe bashkëpunimin e tij për detajimin e programit qeverisës të opozitës shqiptare në fushat e turizmit, mbrojtjes së vijës bregdetare dhe zhvillimit portual e peshkimit. Një tjetër temë e rëndësishme e takimit ishte edhe procesi integrues ku gjendet Shqipëria. Kreu i PS-së, pasi shpjegoi rëndësinë që ka për Shqipërinë marrja e statusit të vendit kandidat, i kërkoi Kryeministrit kroat mbështetje për aspiratat europiane të Shqipërisë.
 

Një ditë më parë Rama pati një takim dhe me Presidentin, Ivo Josipoviç, në pallatin presidencial. Lideri i opozitës shqiptare e njohu kreun e shtetit kroat me zhvillimet më të fundit në politikën shqiptare dhe sidomos mbi procesin e integrimit europian. Rama kërkoi nga Presidenti kroat mbështetjen e plotë të vendit më të ri që do të bëhet pjesë e Bashkimit Europian ndaj rrugës së Shqipërisë drejt marrjes së statusit të vendit kandidat.

Nga ana e tij, Presidenti Josipoviç e garantoi liderin e opozitës për mbështetjen e vazhdueshme që shteti kroat do të japë ndaj Shqipërisë, por në të njëjtën kohë theksoi nevojën për reforma të cilat garantojnë mirëfunksionimin e shtetit të së drejtës dhe pavarësinë e institucioneve kushtetuese, reforma të cilat Presidenti Josipoviç i cilësoi si jetike për të përshpejtuar procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›