E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nga Dr.Adem Harxhi*

 

Tani e kam të qartë, ti zgjodhe kirurgjinë. Nuk di nëse ke menduar shumë dhe gjatë për këtë zgjedhje. Ka njerëz që mendojnë se kirurgjia, si art shërues, është një fenomen në kalim. Ajo tanimë e ka kapërcyer atë kohë të fitoreve të saj mahnitëse. Unë nuk do të çuditesha nëse këto fjalë do ta mërzisin një të ri që sapo ka hipur në anijen ku kirurgët bëjnë karrierë. Të kërkoj ndjesë për fjalët e mia dhe mos u ndje se po bëhesh mjeshtër i një arti të vdekur.

Por, ta dish mirë, këto që të thashë gëzojnë shumë njerëz të tjerë. Imagjino ata të sëmurë me gurë në tëmth që duan të shërohen pa u prerë me thikë. Imagjino ato miliona gra me kancer të gjirit, që e urrejnë mastektominë dhe evitimin e operacionit do ta konsideronin si bekim nga Zoti. Edhe kirurgu më makut, duhej të lutej për këtë bashkë me to. Kirurgjia që hiqte indet e shkatërruara nga tuberkulozi në mushkëri, që lulëzonte kur unë isha student e mjek i ri, tani i takon së kaluarës. Operacionet për sëmundjet e thyroides dhe ulcerave peptike, të cilat dy tre dekada më parë mbushnin sallat e operacioneve, sot janë një gjë e rrallë. Internistët, kardiologët dhe endokrinologët janë aftësuar gjithnjë e më shumë t'i vënë nën kontroll sëmundjet me anë të barnave, dietës dhe parandalimit. Nuk do të vonojë dita kur kirurgët do të shohin prapa, për të kujtuar ditët e kaluara, dhe do të ëndërrojnë për ato luftëra të vjetra. Vetëm në kirurgjinë plastike dhe rikonstruktive, si dhe në transplantimin e organeve do të mbijetojnë mbeturinat e kirurgjisë.

A e di ti cili është ndryshimi midis kirurgut dhe internistit? Kirurgu, i armatosur deri në dhëmbë, kërkon ta nënshtrojë dhe ta vërë nën kontroll trupin e të sëmurit. Mjeku internist përpiqet me pilula dhe solucione të bashkëpunojë me trupin dhe ndonjëherë kur duhet, bën edhe koncesione me sëmundjen. Pra, njeri ka zënë pozicionin e luftëtarit, tjetri atë të politikanit. Sa më shumë të jetë i prirur internisti nga teknologjitë e reja, aq më shumë i ngjan ai kirurgut, aq më shumë e largon veten nga qetësia e dhomës së vizitës dhe nga shtrati i të sëmurit. Fillon edhe ai të tundë hanxharin e tij. Ta mbrojë Zoti internistin. Ai nuk është i përgatitur për një punë të tillë me ngjyrën e gjakut. Zoti të mbrojë edhe pacientin e tij, që në vend të prekjes dhe të shikimit të mençur të doktorit, tani do të marrë tubin e një endoskopi nëpër fyt ose një kateter në zëmrën e tij. Para disa muajsh mua më propozuan një angiografi të zëmrës ,pa qenë nevoja për të. Kjo bëhej për para. A është ky roli i doktorit, që për para të rrezikojë të sëmurin e tij?

Nesër ti do të jesh doktor. Do të punosh ditë e natë. Nuk ka dyshim që do të jesh i lodhur. Doktori, ashtu si poeti është në dispozicion të natës. Natën në spital ose jashtë tij, praktikohet në mënyrë natyrale, njëlloj si dhe ditën procesi i mjekimit.

Për shumë vite, gjatë natës, u kam rënë tërthor korridoreve pak të ndriçuara të spitalit. Kam hyrë derë më derë duke shikuar plagët që janë fytyra dhe fytyrat që janë plagë. Kur je i lodhur natën vonë dhe pacientët që nuk të njohin të pyesin nëse ti je doktori, kjo është po ajo natë kur shokët e t'u jo mjekë, bëjnë dashuri. Nata është e aftë të shkatërrojë barrikadat e zemrës.

Disa njerëz gjithë jetën dëgjojnë tinguj melodiozë. Ato janë tinguj të domosdoshme për jetën, një element esencial si oksigjeni. Ndërsa ti zgjodhe të jetosh me zhurmën e sirenave të ambulancave, të aparateve të alarmit dhe monitorëve kardiake. Të jesh me punë në dhomën e urgjencës dhe të dëgjosh sirenat, është sikur të dëgjosh ardhjen e stuhisë ose diçka tjetër të frikshme, që kërcënon aty pranë. Ti shumë shpejt e kupton se je brenda dhe i angazhuar totalisht në këtë situatë. Sirena është një ulërimë, që edhe tani pas pesëdhjetë vjetësh, kur e dëgjoj, më rrëqeth. Do të ketë ditë që do të pendohesh pse zgjodhe sirenat në vend të melodive. Në këto momente ti do ta urresh spitalin me urgjencën, sallën e operacionit dhe morgun e tij. Kjo ngjan me ato ëndërrimet e bukura fëminore, kur jashtë tërbohet stuhia dhe ulërima e ujqve, ndërsa brenda kasolles zjarri i dashur në vatër. Ti zgjodhe stuhinë dhe jo kasollen e ngrohtë. Ti do ta ndjesh që ky spital është frymëmarrja dhe kocka jote, se pa këtë spital, ti nuk mund të jetosh.

Nesër do të jesh një doktor i ri. Ti do të ndeshesh me urdhrat konfliktuoze të shumë superiorëve në spital. Për shumë vite do të dëgjosh dhe do të zbatosh urdhrat e tyre. Unë duhet të të them se në çdo program trajnimi për kirurg, vështirësia nuk është lodhja nga puna ditën dhe natën, as nga shqetësimi për të sëmurët e tu, por nga mentaliteti feudal i disa kirurgëve. Këta lloj kirurgësh (tiranë), infestojnë spitalet si minjtë depot e drithit. Ata njihen që kur janë mjekë fare të rinj. Janë ata që u shesin moral studentëve dhe u lehin pa mirësjellje infermiereve. Janë këta që arrijnë të zënë, kudo, pozicionet më të mira. Këtu ky karakter malign, gjen terren të përshtatshëm të lulëzojë pa kufizim. Shpesh ata zotërojnë teknikën më të mirë dhe kanë kredenciale të paprekshme. Po qe se do që ta gjesh një nga këta kirurgë, shko atje ku dëgjohen gajasje. Ti do ta gjesh atë jashtë dhomës së një të sëmuri, i rrethuar nga shërbëtorë servile. Të gjithë të kënaqur me gjithë ato para që i morën "gërdallës" në shtrat. Më vonë ai do të qortojë ashpër një doktor pse nuk di të dhënat më të reja, kur ai vetë ato i ka mësuar një ditë më parë.

Ata janë trup mëdhenj. U duket vetja bukuroshë, me kollare të shtrenjta, që përpiqen ta venë në pah dukjen e tyre kur ajo u duhet. Ata kanë një shpirt të pazhvilluar, por për ta thuhet se që në lindje kanë qenë të veçantë. Këta njerëz kërkojnë të ç'vendosin më shumë ajër nga sa kanë vëllimin e trupit të tyre. Ata nuk kanë dhembshuri. Me superiorët janë të ngrohtë, me një përshtatje tepër të lustruar. Me të barabartët janë shumë të kujdesshëm, ndërsa me ata nën vete janë tepër abuzivë dhe të paturpshëm.

Bëj kujdes, mos u infekto nga këta kirurgë. Sëmundja e tyre është shumë ngjitëse. Po të zuri kjo sëmundje, nuk shërohesh dot. Atyre nuk duhet t'u a prekësh hundën. Kaloje kohën më të madhe me të sëmurët e tu. Kujdesu për ta ditën dhe natën. Kjo është e vetmja mënyrë për të shpëtuar nga këta njerëz me shpirt të vogël, por me pushtet të madh.

Njëherë vite përpara, një kolegu im, luante një pjesë në violinë. Unë shihja fytyrën e tij të butë, butësia e një njeriu që ka rënë në dashuri. Unë isha i çuditur nga forca rigjeneruese e shpirtit njerëzor. Në këtë moment një nga kirurgët që përshkrova më sipër u ngrit dhe me shumë keqdashje tha:

-"Muzikë bëjnë të gjithë, ne duhet të bëjmë kirurgji".

Unë u shtanga dhe për një çast mendova pse ka njerëz kaq të këqij në këtë botë. Më vonë, u kujtova se edhe Ferri është në rrugën e Parajsës.

Edhe pas këtyre që të thashë, e shoh që ti akoma dancon drejt kirurgjisë. Nuk më mbetet tjetër vetëm të të uroj suksese në shoqërinë e thikës. Fati të ndihmoftë. Por mos harro, një pishtar reflekton në ujë kur është mbi të, po tentoj të shkojë atje ku reflektohet, u shua.

Trajnimin në kirurgji do ta fillosh me gjërat më të thjeshta. Në fillim do të mësosh të lash duart dhe të vishesh steril. Pozicionin tënd në tavolinën operatore do ta përcaktojë kirurgu. Rregulli i parë i bashkëbisedimit në sallën e operacionit, është heshtja. Këtë rregull e thyen me lehtësi vetëm mjeshtri. Nga buron gjithë ky autoritet dhe kjo bindje e verbër në sallën e operacionit? Gjatë gjithë kohës kjo ka qenë një e vërtetë të cilën nuk kam mundur ta shpjegoj, por… e kam pranuar si të mirëqenë.

Shiko me kujdes lëvizjet e duarve të kirurgut.

Thika që është instrumenti më me rëndësi, duket sikur transmeton korrentin nervor të duarve të kirurgut në trupin e të sëmurit. Kur e përdor atë me ndrojtje efekti i saj zvogëlohet, kur bën shumë presion me të ajo bëhet e rrezikshme. Është mahnitëse ta shikosh atë në dorën e një kirurgu të stërvitur. Ai e ndryshon pozicionin e prerëses mbi lëkurë sipas punës që do të bëjë. Ai e mban atë drejt kur nuk do që njëra buzë e plagës të jetë më e trashë e tjetra më e hollë. Nga mënyra si punon thika në mish, mund të kuptosh kush është mjeshtri. Në duart e tij ajo thikë e vogël, bën me lehtësi atë që ai dëshiron të bëjë. Shikoje me kujdes thikën, ajo ka majën ka dhe barkun. Maja i duhet vrasësit, barku i duhet kirurgut

Shikoi duart e shkathët të kirurgut si lëvizin brenda barkut të hapur të të sëmurit, pa u kontrolluar nga sytë. Ai me gishtat e tij, prek e ndjen gjithçka brenda atij barku, që shumë kohë më parë kirurgët e quanin "varrin e tyre".

Mundohu të kuptosh se egoja e madhe, arroganca dhe vetëkënaqësia, që janë shfaqje që kudo nuk mirëpriten, në sallën e operacionit ato të kthejnë ty në zero. Nuk ka vend këtu për mosbindje, qoftë edhe të mençur.

Thika është si zjarri. Fëmijët shohin babanë që ndez shkrepëset pa telash, duan edhe ata të bëjnë si ai. E marrin shkrepësen nga xhepi i tij dhe fshehurazi e ndezin dhe kënaqen, por mund edhe të digjen. Ti që do të mësosh në kirurgji mos e bë këtë, mblidhi njohuritë duke i bërë reveranca mësuesit. Mbaj mënd se edhe nga një kirurg i keq, ke çfarë të mësosh. Ai të jep mundësinë të shikosh atë që nuk duhet ta bësh kurrë. Mos u trego i paduruar për të marrë në dorë bisturinë. Të bëhesh kirurg është një transformim shumë gradual që nuk kuptohet. Mos nxito të largohesh nga krahu i atij që të mëson, por qëndro me "mjeshtrin" deri sa ai të të thotë shko! Është zyra e tij, janë vizitat me të në dhomat e të sëmurëve dhe në sallën e operacionit që të ngrohin. Mbështetu tek ai deri sa të jesh rritur i fuqishëm për të qëndruar në këmbët e tua. Po, atëherë lere. Asnjë fidan nuk mund të rritet i plotë nën hijen e një peme të madhe.

Ti shpejt do të kuptosh ndryshimin midis një kirurgu të vërtetë dhe një të ashtuquajturi produkt i sistemit. Ka qenë si rregull që tek ne puna dhe pozicioni nuk i është dhënë atij që e bën atë më mirë, por atij që i duhet ky pozicion. Tek ne çdokush bëhej kirurg, mjaftonte të përfundonte programin akademik dhe të mbaronte një kurs trajtimi në kirurgji edhe kur ai nuk kish shkathtësinë e duhur as nga duart as nga temperamenti. Për mendimin tim edhe Demokracia nuk është filozofia shoqërore më e mirë e pa të meta në zgjedhjen e doktorëve që do të mësohen në kirurgji. Nuk është mirë që diplomat t'u jepen akoma të paaftëve dhe të keq-pajisurve me virtyt. Një njeri i paaftë shkakton konfuzion kur punon edhe tek sporteli ku paguhen faturat e telefonit, pa le po ta mendosh atë në kabinën e një aeroplani ose në sallën e operacionit. Peshoje vetë me shumë kujdes këtë çështje. Vendimi apo dëshira për t'u bërë kirurg, nuk sjell në mënyrë magjike shkathtësinë, dhembshurinë dhe qetësinë për ta bërë atë.

Që ditën e parë në sallën e operacionit, do të shikosh aty kirurgë të moshave të ndryshme. Kjo do të të ndihmojë të shikosh të ardhmen tënde, ditën tënde të fundit në atë sallë. Një kirurg i moshuar që ka humbur ndjenjën e prekjes dhe ndjenja të tjera, është si një luan plak që i janë topitur kthetrat, por jo dëshira për t'i përdorur ato. Duhet të kuptosh se kur duhet të largohesh nga ajo që tani është pasioni i jetës tënde. Që ta bësh këtë kërkohet kurajo. Por, duhet ta bësh. Mos mendo për paratë që do të humbasësh. As për forcën dhe famën që do të të zbehen, mos mendo. As mos mendo se do të mërzitesh pa bërë këtë punë. Po mendove kështu ti do të hezitosh të dorëzosh bisturinë. Që të ikësh me nder, do të thotë të ikësh kur akoma ke nder. Të vazhdosh me këmbëngulje, do të thotë të dëmtosh personalitetin dhe të turpërosh veten tënde.

Të uroj shëndet, suksese dhe sa më shumë dashuri për të sëmurët e tu.

*Artikulli i është dërguar drejtorit të gazetës, shoqëruar me shënimin: "...Thano, sot lexova në shtypin e ditës që një person ka sulmuar me thikë një kirurg. Marrëdhëniet mjek i sëmurë janë me shumë rëndësi. Para disa vjetësh djalit tim, që studionte Mjekësi në Sh BA i kam pas dërguar disa letra. Objekt i letrave janë sjellja e mjekut me të sëmurin. Në qoftë se i gjeni me vend, për "Shekullin", mund t'i botoni...".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›