E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Lëvduar qoftë tranzicioni!"

 

Duke kaluar në Kuvend me (vetëm) 52 vota një prej ligjeve më të rëndësishme të aktualitetit shqiptar, atë të legalizimeve, shumica ka ribërë këto ditë një gabim historik. Po e përdorim këtë term, meqenëse kohët e fundit, liderë të ashtuquajtur të djathtë, janë shtënë keq pas historisë, mbetën duke i cilësuar të gjitha ditët dhe të gjitha ngjarjet si... historike; me pak fjalë, kanë humbur sensin e realitetit. Ndryshimet në Ligjin për Legalizimet, e vënë shtetin shqiptar në një rol diktues, pothuaj shtypës. ALUIZNI ka marrë tashmë kompetencat e pushtetit vendor, duke pasur të drejtën e dhënies së titujve të pronësisë(!) Merr goditje një nga parimet kryesore të demokracisë, që ka të bëjë me shenjtërinë e pronës private, për çka Shqipëria është zotuar kur ka nënshkruar MSA-në; merr goditje shpresa për kthimin dhe kompensimin e pronave të grabitura nga regjimi komunist; merr goditje dhe denatyrohet një nga prirjet themelore të demokracisë evropiane, që ka të bëjë me respektimin e pushtetit vendor; më së fundi, nuk ka asnjë garanci se ç'do të ndodhë nesër, nuk ka garanci edhe për ata që sot janë pronarë (të një kohe tjetër) dhe që këtë titull e kanë fituar me djersën e ballit. Pa e zbukuruar fare, kemi të bëjmë me një dhunim flagrant të të drejtave elementare dhe të përgjegjësive gjithaq. Duke vënë veton për ndryshimet në ligjin për legalizimet, pakicë-shumica e sotme iu thotë pak a shumë shqiptarëve: Thirrini mendjes, ky është një pushtet i "të fortëve", sado të përkohshëm qofshin ata. Mbylleni gojën! Lëvduar qoftë tranzicioni! Por a është ky mesazhi i sotëm - i zaptimit të pronave të të tjerëve - ai me të cilin filloi lëvizja studentore? A është PD-ja e sotme ajo që krijuan studentët dhe intelektualët në vitin historik 1990? A ia priste mendja ndokujt prej qytetarëve të Tiranës, që ndiqnin dhe përkrahnin me shpirt lëvizjen demokratike të dhjetorit, se një ditë kjo lëvizje do të degjeneronte në një forcë mëtonjëse, e etur për interesa periferike e të përzgjedhura? Këto pyetje kanë marrë prej kohësh një përgjigje sa mohuese, aq edhe të trishtë, që formulohet në dëshirën e të gjithëve për një Pol të Tretë; sikundër në dëshpërimin që një forcë e tillë, realisht e djathtë, realisht perëndimore, që respekton parimet e shenjta të sigurisë e të pronës, të ëndërruara aq shumë nga shqiptarët, nuk duket kund. Siç thotë diku Viktor Hygo: "Revolucionet mbarojnë në momentin kur plotësohen qëllimet personale të drejtuesve".

Pakicë-shumica që qeveris sot vendin, duke përjashtuar fare pak emra dhe personalitete (të dyzuara), aktualisht përbëhet nga: ministra që në raport me shefin e tyre, njohin vetëm dy fjalë: "Lepe! Peqe!"; nga nëpunës të emëruar prej partive për qëllime periferike, në përgjithësi pa kritere profesionale; patjetër edhe nga një numër jo i vogël banorësh të ardhur vonë në kryeqytet e përgjithësisht në Ultësirën Perëndimore, të cilët në përgjithësi vazhdojnë të gënjehen dhe do të gënjehen sa herë që të ketë zgjedhje... Pra, e keqja assesi nuk mbaron këtu. Në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, ato të vitit 2009, legalizimet sërish do të përdoren si një rrjetë për të peshkuar në masë votat e këtyre qytetarëve të përdorur; që realisht, kanë probleme me pronarët dhe ligjet (e paqëndrueshme të këtij vendi). Nuk mbahet mend qëkur ka filluar kjo histori e turpshme. Nuk mbahet mend sa herë është bërë dhe ribërë ligji për legalizimet. Duke analizuar problemet e pronës dhe duke folur për modernizimin e ekonomisë, specialisti i njohur Besnik Aliaj thotë: "Pa ndërtuar sisteme transparente të informacionit për këtë problem, pa identifikuar madhësinë reale të këtij problemi, pa identifikuar mjetet dhe burimet për të shlyer këtë faturë financiare-politike, madje pa pasur një plan veprimi konkret të qeverisjes mbi afatet kohore dhe përgjegjësitë institucionale, të mbështetura nga një pakt social dhe politik, kjo çështje do të vazhdojë të ndëshkojë seriozisht integrimin e Shqipërisë në botën moderne. ("Misteri i gjashtë") Le të rikthehemi edhe njëherë tek refreni "të mbështetura nga një pakt social dhe politik". Jemi shprehur edhe herë tjetër se ç'pleksja e problemit të kaosit rural, kërkon shumë maturi, lëshime të dyanshme dhe vendime thellësisht demokratike. Të kalosh në Kuvend ndryshime të tilla të rëndësishme - për një nga ligjet më jetike, fundja për atë fenomen që deri diku simbolizon tranzicionin shqiptar - me (vetëm) 52 vota, këtu mund të bëhet fjalë për gjithçka, vetëm për pakt social dhe politik jo. Ato vota janë thjesht një e treta e Kuvendit të Shqipërisë, që edhe kështu nuk përfaqëson siç duhet vullnetin e qytetarëve të këtij vendi. Askush nuk e di ku po e çon barakën shqiptare pakicë-shumica e sotme.

E ndërkohë, ajo që të shqetëson jo më pak në zhvillimet e fundit, përfshi edhe votimin e turpshëm për ligjin e legalizimeve, është heshtja e sforcuar e ndërkombëtarëve. Ka qenë një kohë kur ata ishin shumë më aktivë me atë se çfarë ndodhte në Shqipëri. Emisarët e BE-së flisnin herë pas here për respektimin e pushtetit vendor, për kthimin dhe kompensimin e pronave; OSBE shprehej shpesh për reformat dhe sidomos për proceset zgjedhore e reformën zgjedhore; FMN dhe Banka Botërore gjithashtu janë ndalur kohë pas kohe në nevojën e respektimit të parimeve demokratike në zhvillimet ekonomike; ambasadorë të vendeve më të përparuara formulonin me raste ndonjë kritikë për qeverinë (dhe qeveritë), sikundër edhe për politikën. Në përgjithësi, vonesat dhe padrejtësitë në kthimin dhe kompensimi e pronave, shikoheshin si pengesa serioze për zhvillimin e vendit. Prej disa muajsh, por sidomos që nga koha kur ndërkombëtarët "mbyllën sytë" dhe e ftuan Shqipërinë (me gjithë hallet dhe problemet e saj) në NATO, duket se tani ata rrinë e vështrojnë. Gjithsesi, barra kryesore e përgjegjësisë për këtë refren gati 20 vjeçar, i takon politikës shqiptare, tani më shumë se kurrë pakicë-shumicës së sotme. Më së fundi, një sjellje e tillë e papërgjegjshme, vazhdon të mbajë në nivelet më të ulëta investimet e huaja direkte në Shqipëri; zhvillimin e prodhimit vendas dhe të turizmit gjithashtu. Varfëria e vendit më problematik në rajon, është evidente; me PBB për frymë më të ulët dhe bilancin negativ tregtar më të lartë; për më keq, perspektiva e kësaj varfërie, është e frikshme. Thuhet se në Shqipëri gjenden më shumë se 60 për qind e rezervave të naftës të zbuluara deri tani në Ballkan. (Raport i kompanisë së shërbimeve gjeologjike amerikane, Gustavson Associates LLC's Resource Evaluation.) Nga 345 milionë fuçi, 198 milionë janë në nëntokën e Shqipërisë. Po ashtu, bëhet fjalë për 2.7 trilionë metër/kub gaz natyror. Thuhet se për nga mundësitë, Shqipëria është "sekreti" i fundit turistik në Evropë. E çfarë nuk është thënë e nuk thuhet! Ne jemi po ata që kemi qenë këtu e shumë vite më përpara; dhe rrezikojmë të mbetemi të tillë, përderisa prodhojmë ende vetëm demagogji, përderisa herë pas here i marrim vendimet e rëndësishme me (vetëm) 50 apo 52 vota, më shumë se të turpshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›