E Diel, 1 Nëntor 2026

'Nga Gjermania për në Gjermani' – një libër i ri i Gynter Gras-it

Nobelisti i letërsisë Gynter Gras prezantoi në Gëtingen librin e tij të ri "Nga Gjermania për në Gjermani". Grasi asnjëherë nuk e ka fshehur qëndrimin e tij refuzues ndaj mënyrës si u realizua bashkimi gjermano-gjerman. Një lexim në sallën e leksioneve të një universiteti, përpara një publiku që përbëhet kryesisht nga studentë, në fakt premisat më të mira për një diskutim intensiv e ndoshta edhe kundërthënës. Veçanërisht, kur autori i leximit quhet Gynter Gras, i cili njihet për tezat e tij provokuese. Por edhe pse premisat ishin të favorshme: mbrëmja nuk nisi dhe aq mbarë për nobelistin. Me të filluar leximi atij i ra gota e verës dhe vera iu derdh në pult dhe në dorëshkrim. Por rrjedha e mëtejshme e leximit për fat të keq ishte disi e thatë. Ndonëse ky dëm u shmang shpejt. Referimi i Grasit u kthye në një lloj leksioni frontal. Ai qëndroi në pultin e referuesit një e orë e gjysmë pa pushim duke mos lënë asnjë hapësirë për pyetje. Nga pulti ai referoi mbi optikën e tij ndaj botës në vitin 1990, duke u ndalur veçanërisht në historinë e ribashkimit gjermano-gjerman, gjë që Grasi asokohe e shihte me mjaft pesizmizëm. "Investuesit gjermano-perëndimorë teksa shohin ndërmarrjet e RDGJ-së (ish - Republika Demokratike e Gjermanisë) interesohen vetëm për shitjen e tyre. Pritet një ushtri juristësh administrate nga Perëndimi për administrimin e landeve. Pra nëpunës kolonialë. Njerëzit në RDGJ do të jenë përsëri ata që do ta pësojnë". Ky libër i ri nuk është një analizë historike, por një ditar. Ngjarjet politike si ´rrjedhojë mbingarkohen nga një numër i madh anekdotash dhe hamendësimesh private, që ia vështirësojnë publikut dëgjimin me vëmendje për një kohë kaq të gjatë. Një nga pjesëmarrëset: "Një ditar që të lexohet nuk është ndonjë histori me një fillim dhe një fund, nuk është diçka që të mbërthen dhe që mund ta dëgjosh kaq gjatë". Një tjetër pjesëmarrëse: "Ai është një orator i mirë, por mund të kish folur më shkurt. Ndaj tani më duhet të dal, sepse sikur zgjati shumë". Edhe tek ata që mbetën në sallë, diskutimi pasues u gjallërua me vështirësi. Grasi ishte i gatshëm për një debat politik me studentët. Tek e fundit nuk është rastësi që ditari u botua pikërisht në 20 vjetorin e rënies së murit të Berlinit. Grasi vazhdon t´i përmbahet qëndrimit të tij si atëherë: "Ajo që ne përjetuam në vitin 1990, bashkimi gjerman, ndodhi si me sustë, ky ishte fillimi i borxheve që po vazhdon edhe sot. Edhe në qëndrimin e kapitalizmit pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik kuptoheshin shenjat paralajmëruese të asaj çka po vuajmë sot". Me teza të tilla Grasi gjeti mbështetje të gjerë në auditor. Fakti që ai prezantoi librin e ri të tij, mbeti - edhe për atë vetë - në plan të dytë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›