E Shtunë, 31 Tetor 2026

Demokristianët italianë: kontributi vizionar me vlera historike

Cikli mbi të djathtën europiane

Një kthim i kokës prapa në kohë, do na bënte padyshim të ndalonim tek historia, ideologjia që përfaqësonte dhe figurat më të spikatura të Partisë Demokristiane Italiane. E njohur edhe nga një brez i gjerë shqiptarësh në vitet shtatëdhjetë e tetëdhjetë, ajo ishte partia që dominoi jetën politike dhe qeverisjet në vendin fqinj për rreth gjysëm shekulli

Nëse në numrin paraardhës, preferuam të trajtonim shkurtimisht rolin, profilin, historinë e sukseve e dështimeve të dy prej partive më emblematike të së djathtës italiane pas viteve nëntëdhjetë dhe ikonave të tyre; Silvio Berluskoni dhe G. Fini, sigurisht se një kthim i kokës prapa në kohë, do na bënte padyshim të ndalonim tek historia, ideologjia që përfaqësonte dhe figurat më të spikatura të Partisë Demokristiane Italiane. Ajo ka qenë shumë e njohur edhe nga një brez i gjerë shqiptarësh që e mbajnë mend mirë atë, sidomos në vitet shtatëdhjetë e tetëdhjetë.

Partia Demokristiane, merita dhe dominancë gjysëmshekullore
Partia Demokristiane e Italisë (Democrazia Cristiana, DC), ishte partia që dominoi jetën politike dhe qeverisjet në vendin fqinj për rreth gjysëm shekulli, deri në ditën kur vendosi të shkrihej pas dyshimeve e akuzave për korrupsion në proceset e vitit 1992-94. Partia në fjalë ishte pjesërisht një pasuese e Partisë Popullore Italiane (Partito Popolare Italiano), themeluar në vitin 1919 nga Don Luigi Sturzo, por shpallur ilegale nga regjimi fashist i Duçes në vitin 1925. Idenë e tij e vazhdoi në ilegalitet lideri i saj e kryeministri i mëvonshëm për disa mandate i Italisë, ikona e pastërtisë morale e politike, Alcide De Gasperi. Pasi  fashizmi ra, në vitet e para pas Luftës II, sigurisht se kjo parti ishte e detyruar të qeveriste në koalicione të gjera, ku përfshiheshin edhe komunistët. Por në maj të vitit 1947, partia mundi të korrte suksesin më të madh në historinë e saj të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare në vend. Në prill të vitit 1948, kjo u arrit edhe falë mbështetjes së plotë të Kishës Katolike dhe SHBA-ve. Kjo përbën edhe hapin më madhor në përcaktimin përfundimtar të Italisë drejt vlerave veriatlantike, duke hedhur përfundimisht poshtë iluzionet për ndonjë përkatësi, ndikim apo rrezik sovjetik, i cili në atë kohë ishte shumë prezent. Kjo, sigurisht që ishte dhe mbetet njëra nga meritat e politikat më vizionare të liderëve të saj në atë kohë, duke i dhënë Italisë vendin që i takonte në bashkësinë e vendeve më demokratike e më përparimtare të botës.

Luhatje përtej pozicioneve tradicionale
Kësisoj, nga viti 1948 deri në vitin 1992, DC ishte dhe partia më e madhe në Parlamentin Italian, duke kryesuar apo marrë pjesën kryesore në koalicionet qeverisëse me partitë më të vogla - si: Liberalët, Republikanët dhe Social Demokratët  - dhe pas vitit 1963, edhe me Partinë Socialiste. Duke e bazuar shumicën e elektoratit në bazën katolike të vendit, kjo parti, me kalimin e kohës lëvizi nga pozicionet reformiste përkohësisht, drejt pozicioneve më konservatore. Një qeveri jetëshkurtër e DC-së udhëhequr nga Fernando Tambroni (1960), ishte dhe ajo që mbështetej në bashkëpunimin me Lëvizjen Sociale Italiane ( e hamendësuar shpesh si pasardhëse e ideologjisë fashiste e pretendente reale e së djathtës italiane). Në fund të viteve ’60, ndikimi politik në rritje i fraksionit të saj të majtë, udhëhequr nga Amintore Fanfani, bëri që partia më pas të lëvizte drejt pozicioneve të qendrës, duke tentuar akoma më majtas në bashkëpunimin me socialistët.

Fraksione dhe liderë 
Jeta e kësaj partie mund të karakterizohej nga lufta mes fraksioneve e korrenteve brenda saj, të identifikuara secila nga individë me personalitet të spikatur politik, siç ishin: Alcide De Gasperi, Giuseppe Dossetti, Antonio Segni, Amintore Fanfani, Giulio Andreotti, Aldo Moro dhe Francesco Cossiga.

Aldo Moro, terrorizmi dhe skandalet
Shumë nga anëtarët e PDK-së italiane u sulmuan në vitet 70-të dhe në disa raste madje u vranë në mënyrë brutale nga terroristët, asokohe konkretisht nga “Brigadat e Kuqe”.
E tillë ishte dhe vrasja e njërit prej liderëve të saj më emblematikë, Aldo Moro në vitin 1978. Aldo Moro (  23.10. 1916 –09.05. 1978)  ishte sigurisht njëri nga politikanët më të famshëm italianë; zgjedhur pesë herë President i Këshillit të Ministrave dhe President i Partisë Demokristiane. Ai u rrëmbye më 16 mars 1978 e u gjend i vrarë më 9 maj nga “terroristët e kuq”, të cilët me vrasjen e tij arritën dhe kulmin e veprimtarisë së tyre kriminale, nga e cila Italia vuajti rreth tri dekada me radhë. Moro konsiderohej një mediator i aftë dhe sidomos spikaste në afrimin politik të fraksioneve të kundërta në parti. Shumë teori konspirative lulëzuan mbi vrasjen e tij më pas. Por, sigurisht se qënia në pushtet për një kohë të gjatë do të jepte edhe efektet e veta negative, duke sjellë përfshirjen e disa anëtarëve të saj në vitet ‘ 60, në disa skandale e afera korruptive; pas akuzave e dyshimeve të hedhura nga opozita, asokohe, vetë Presidenti i Republikës, Giovanni Leone, u detyrua të jepte dorëheqjen pas një skandali ku në qendër ishte kompania e aeroplanëve “Lockheed”. Vite më vonë, në 1992, një hetim u çel në Milano. Operacioni mbante emrin e njohur “Duart e pastra”. Nga ky operacion u arrit të zbuloheshin lidhje korruptive të niveleve të larta, të cilat shkaktuan arrestime spektakolare dhe disa dorëheqje. Pas dy viteve debatesh publike e sjellje faktesh me bazë aferat korruptive, Partia Demokristiane Italiane vendosi shkrirjen në vitin 1994.
Disa nga liderët e saj - ndër të tjerë - edhe Giulio Andreotti, disa herë kryeministër e ministër dhe njëkohësisht ikonë e partisë, u akuzan për lidhje me Mafian, por shumëçka prej tyre nuk u vërtetua kurrë.

Vitet ‘ 80: Koalicioni me socialistët 
Në vitet ‘ 80, koalicioni i ashtuquajtur  "Pentapartito" ( dmth i pesë partive) i përbërë nga Kristiandemokratët, Partia Socialiste Italiane, Partia Socialdemokrate Italiane, ajo Republikane dhe ajo Liberale, nisi punën në qeverisje. Synimi kryesor i saj ishte të mbante larg pushtetit Partinë Komuniste Italiane. Gjithsesi, pas një rezultati zhgënjyes në zgjedhjet e 1983 ( me vetëm 34.8%), demokristianët ishin të detyruar t’ia linin lidershipin e qeverisjes Sekretarit asokohe me shumë ndikim të Partisë Socialiste, Bettino Craxi. Craxi ndenji në postin e kryeministrit për katër vjet, duke udhëhequr një qeveri ku socialistët (përveç faktit se kishin kryeministrin) ishin vetëm partnerët më të rinj dhe më minorë, pasi  Demokristianët kishin portofolet kyçe të Punëve të Jashtme e atë të Punëve të Brendshme. Craxi dhe partia e tij, PSI, synonte të zinte vendin e komunistëve në krahun e majtë të politikës italiane si një parti e së majtës së reformuar, por ajo kurrë nuk mori më shumë se 14% të votave në rang kombëtar, dhe në fund, edhe lideri i tyre u detyrua të shkonte në ekzil si pasojë e aferave korruptive. Në vitet nëntëdhjetë, disa nga politikanët e hetuar në procesin e "Mani Pulite" u liruan , shpesh edhe si pasojë e formaliteteve e afateve ligjore.

Vitet ‘ 90: Shkrirja dhe ripozicionimi në skenën e re politike
Në janar 1994 Sekretari i fundit, Mino Martinazzoli, vendosi të ndryshonte emrin e partisë - e cila asokohe po vuante nga rezultatet shumë të ulëta në zgjedhjet lokale të vitit 1993 -  në “Partia Popullore Italiane”. Pierferdinando Casini dhe Clemente Mastella, duke përfaqësuar fraksionin e qendrës së djathtë në parti ( të udhëhequr më parë nga Arnaldo Forlani) vendosën  të themelojnë një parti të re, të quajtur “Qendra Kristian-Demokrate” dhe të bënin kësisoj një aleancë të re me partinë e re të Silvio Berluskonit, “Forza Italia”. Një fraksion me orientim majtist, themeloi njëkohësisht “Kristianët Socialistë”, të cilët vendosën të hynin në koalicion me Partinë Demokratike të së Majtës (PDdS). Gjithsesi, në mënyrë llogjike, shumica e ish-anëtarëve të demokristianëve, vendosën automatikisht të hynin në grupimin e suksesshëm të pasviteve nëntëdhjetë, partinë “Forza Italia” të udhëhequr nga Silvio Berluskoni, apo edhe në atë të Gianfranco Fini-t, “Alleanza Nazionale”.

* Autori është koordinator i Institutit të Kërkimeve Politike “Alcide De Gasperi”  në Tiranë

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›