E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dosjet, ekspertë çekë do të monitorojnë procesin

Autori i Lajmit: Plarent Shehu
Ekspertë çekë do të vijnë në Shqipëri për të monitoruar zbatimin e ligjit të lustracionit, ose i njohur ndryshe si ligji i hapjes së dosjeve. Kryeministri Sali Berisha ka zhvilluar një takim me Trojkën e BE-së, të kryesuar nga ambasadorja e Republikës Çeke në Shqipëri, si përfaqësuese e Presidencës së radhës së BE-së, për të diskutuar çështje që kanë të bëjnë me ligjin për lustracionin. Në këtë takim, palët ranë dakord, që ekspertë çekë, të cilët kanë përvojë të rëndësishme me këtë ligj, të vijnë të ndihmojnë qeverinë shqiptare për zbatimin e tij. Takimi ishte në vijim të bisedimeve të nisura me zëvendëskryeministrin Pollo, disa ditë më pare, kur shefi i qeverisë ishte në një udhëtim disaditor në Davos dhe Uashington. Mësohet nga burime të brendshme pranë Kryeministrisë se ambasadorja çeke i ka shprehur dhe një herë kryeministrit Berisha, shqetësimin e Brukselit, që “Ligji i Dosjeve” ka probleme të mëdha ligjore dhe kushtetuese. Brukseli ka shkuar një hap më tej kur, përmes Trojkës, thuhet se i ka kërkuar Kryeministrit në këtë takim që të mos vazhdohet më tej me zbatimin e tij, duke ngritur autoritetin e verifikimit të figurës dhe se në Shqipëri është shumë e rëndësishme që të respektohet shteti i së drejtës dhe Kushtetuta. Me sa duket, një insinuatë e qartë se ngritja e këtij komisioni, ende pa pasur një vendim të Gjykatës Kushtetuese, do të interpretohej si presion ndaj kësaj Gjykate dhe vendimit të saj ndaj ankimimeve të bëra për ligjin e lustracionit nga disa grupime politike dhe shoqërore në vend. Mësohet, gjithashtu, se Trojka ka nënvizuar si shumë të rëndësishëm faktin që kuadri ligjor i Shqipërisë të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe normat komunitare, sidomos tani që është në prag të aplikimit për statusin e vendit kandidat në BE. Sipas të njëjtave burime, kryeministri Berisha mësohet të ketë garantuar Trojkën se nuk do të cenohen institucionet e pavarura, duke lënë të kuptohet se s`ka në plan të tërhiqet nga zbatimi i ligjit, duke e quajtur këtë detyrim personal të tijin përkundrejt shqiptarëve, i bindur se institucionet duhet të pastrohen nga njerëzit që kanë përgjegjësi për krimet e komunizmit. Megjithëse nuk ka një deklarim zyrtar nga qeveria për këtë takim me Trojkën Evropiane, në njoftimin zyrtar të Kryeministrisë për një tjetër takim, atë me shefen e diplomacisë greke, kryeministri Berisha ka hedhur një tjetër hap të vendosur për zbatimin e tij kur është shprehur se qeveria do të vlerësonte maksimalisht faktin, nëse ekspertë çekë do të mund të vinin në Shqipëri për të ndihmuar në zbatimin e ligjit, madje ka shprehur edhe një herë garanci se “Ligji i lustracionit” do të zbatohet në përputhje të plotë me parimet e shtetit ligjor dhe standardet e Strasburgut.
Ky lajm është publikuar: 10/02/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›