Nga Kina në Fier, i riu që ndërtoi suksesin në atdhe: Kthehuni, ekonomia po rritet

TIRANË, 3 prill /ATSH/ Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale historinë e Alvaro Shehajt, një të riu nga Fieri, i cili pasi përfundoi studimet në Kinë dhe punoi për dy vite atje, u kthye në Shqipëri dhe arriti sukses në biznesin e tij familjar.
“Me shembullin e Alvaros, i cili pas studimeve në Pekin u rikthye në Shqipëri dhe hapi një biznes familjar për prodhimin e qeseve plastike në Fier”, shkroi Rama.
Shehaj, i cili kreu studimet për katër vite në Pekin dhe më pas punoi në një kompani franceze për dy vite, vendosi të kthehej në Shqipëri duke parë zhvillimet ekonomike në vend.
“Kur u ktheva, fillimisht punova në një kompani franceze për gati dy vite dhe më pas iu bashkova biznesit të familjes. Biznesin e kishin hapur prindërit e mi dhe tani e menaxhoj unë. Ne prodhojmë qese plastike, kemi 25 punonjës dhe kontrata në Shqipëri dhe Kosovë. Biznesi po ecën shumë mirë”, u shpreh Shehaj.
Ai apeloi të rinjtë shqiptarë që të kthehen dhe të investojnë në vendin e tyre, duke theksuar se klima e biznesit është në rritje.
“Duke nisur nga eksperienca ime dhe ajo e miqve të mi, mund të them se ekonomia shqiptare është në rritje. U bëj thirrje të rinjve të kthehen dhe të kontribuojnë në vendin e tyre, të investojnë në biznese, sepse mundësitë po rriten”, përfundoi ai.
/a.f//r.e/