Nga Koperniku tek Ajnshtajni, idetë që ndryshuan pozitivisht botën
Filozofi i madh, Platoni mendonte se çdo njeri synon që të jetë një qenie njerëzore e realizuar. Sipas tij filozofia është mjeti kryesor për të realizuar këtë qëllim. Pavarësisht se bashkë me kohën ndryshojnë pamjet, idetë, qëllimet dhe njerëzit….disa prej tyre i rezistojnë ndryshimit për shkak të gjurmëve të thella që kanë lënë në kohët që u përkisnin.

Platoni
Platoni dhe ideja e ndërgjegjes
Platoni është i pari që ka hedhur idenë se drejtësia dhe virtyti janë çështje të brendshme, pra gjendje të brendshme të shpirtit. Më vonë, ky këndvështrim i tij u zhvillua nga krishtërimi dhe doli ajo që ata e quajnë ndërgjegje. Ideja e Platonit ishte një hap shumë i madh përpara në historinë e etikës dhe fesë perëndimore dhe pati një ndikim në zhvillimin e krishtërimit.
Koperniku dhe Teoria e Universit
Galileo Galilei nuk ishte i pari që sugjeroi rrotullimin e Tokës rreth Diellit. Këtë nuk e ka bërë i pari as Nikolla Koperniku, pasi burimet flasin për astronomin grek Aristarus, i cili një sugjerim të till e bëri 2000 vjet para tyre. Zbulimi i Galileos dha prova dhe fakte për këtë teori, e cila pati një ndikim të jashtëzakonshëm. Zbulimi kyç i Galileos ishte nisja e kërkimeve shkencore të yjeve, duke përdorur teleskopët, që do të mundësonin pamje shumë të thella të universit në krahasim me syrin.
Dekarti dhe deklarata Mendoj, pra jam
Me deklaratën Kogito ergo sum (Mendoj, pra jam), Dekarti vendosi të menduarit në qendër të kërkimit të tij. Në vend që të fillonte me fizikën dhe botën natyrore, ai e nisi me këtë veti njerëzore. Dekarti arriti që të bënte dallimin mes mendjes dhe materies. Ai njihet dhe si babai i filozofisë moderne.
Njutoni dhe Teoria e Gravitetit Universal
Teoria e Njutonit ishte demonstrimi i parë që matematika mund të përdorej për të kuptuar botën natyrore. Kështu mund të parashikojmë eklipset e ndryshme edhe një shekull para se të ndodhin, sepse sistemi i orbitave të planetëve është shumë i thjeshtë. Nëse Njutoni nuk do të kishte ekzistuar, atëherë ndoshta do të kishte kaluar një shekull a më shumë kohë para se dikush të kishte dalë në përfundimin e tij.
Ideja më e madhe ekonomike e Adam Smithit ishte se individët duhet të lihen të lirë të ndjekin interesin e tyre gjithmonë në kuadrin e së mirës së përbashkët. Kjo ide ishte revolucionarizuese, sepse, sipas saj, njerëzit nuk kanë nevojën e një despoti mbi kryet e tyre për të mbikëqyrur të mirën e përgjithshme. Gjithçka që njeriu ka nevojë është tregu.
Meri Uollstonekraft dhe liria e grave
Përligjja e të drejtave të grave (1792) është jashtëzakonisht e rëndësishme. Meri Uollstonekraft ishte e vetmja femër që i bëri ballë botës mashkullore për nxjerrjen e gruas nga kornizat e kukullës. Meri mendonte se gratë duhet të jenë të lira të zgjedhin për jetën e tyre, por megjithë përpjekjet e mëdha të saj vetëm pas Luftës II Botërore në vitet 60, gratë përqafuan idenë e Uollstonekraft.
Duket shumë e çuditshme, por analiza e Marksit në lidhje me kapitalin vlerësohet si shumë e rëndësishme duke e renditur atë në njerëzit që ndryshuan botën. Ai tha se konflikti në botë nuk është mes gjinive dhe racave, është mes 95% të popullsisë së botës që krijon pasuritë dhe vlerat dhe 5% të popullsisë që është pronare e të mirave.
Frojdi dhe teoria e nënndërgjegjes
Frojdi eksploroi rrugën përmes së cilës nënndërgjegjja drejton disa nga veprimet tona, e që na çon të bëjmë lëvizje që ndërgjegjja nuk do t`i kishte bërë kurrë, pasi nuk do të ishin në interesin tonë. Ai tha i pari që përmes ëndrrave, apo lapsuseve të të folurit njerëzit mund të kuptojnë shumë nga vetja e tyre e vërtetë.
Ajnshtajni dhe teoria e Relativitetit
Teoria e relativitetit e Ajnshtajnit ishte nga idetë e pakta që kishin një rëndësi jetike për botën dhe që e shëndërruan atë. Kjo teori është në thelb të çdo teorie moderne në lidhje me funksionimin e botës, duke nisur që nga elektriciteti, magnetizmi, transistorët etj. Pa relativitetin nuk do të kishim një pamje moderne të botës, atë që kemi sot.


