E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nga Laçi Rama premtoi përgjysmimin e familjeve të varfra, nga Lezha dje premtoi shtimin e ndihmës ekonomike

Edi Rama tjetërson brenda 24 orësh premtimin për zbutjen e varfërisë
Nuk kanë kaluar as 24 orë nga dalja e parë publike për detajimin e paketës sociale të programit elektoral të Partisë Socialiste dhe kryesocialisti Edi Rama filloi që të relativizojë premtimin e dhënë në qytetin e Laçit se nëse ai do të fitonte në 28 qershor në fund të mandatit të parë qeverisës, varfëria do të përgjysmohet.
Edi Rama, i cili qëllim të vetëm të tij ka të sajojë e publikojë nga një program elektoral për çdo ditë, ndërsa prej tri ditësh kur ka promovuar “Programin e ri qeverisë të Partisë Socialiste”, vetëm për varfërinë, ka ofruar dy zgjedhje të ndryshme dhe të kundërta. Ndërsa nga Laçi, dy ditë më parë, premtoi përgjysmimin e familjeve që trajtohen me ndihmë ekonomike, dje nga Lezha, premtoi diçka tjetër, jo përgjysmimin e familjeve që trajtohen me ndihmë ekonomike, por shtimin e vlerës në lekë, të kësaj ndihme ekonomike, duke hequr dorë kështu edhe nga ideja e punësimit të mundshëm të pjesëtarëve të këtyre familjeve.
“Ajo që do të përbëjë shtyllën themelore të këtij programi, do të jetë zëvendësimi i ndihmës ekonomike si lëmoshë, me ndihmën ekonomike si mundësi reale si punësim dhe kontribut të drejtpërdrejtë në komunitet e në shoqëri. Unë jam besimplotë, se në fund të mandatit tonë të parë, varfëria ashtu siç e matim sot, do të përgjysmohet. Vlerësimi ynë është se varfëria reale, është rreth 40 % dhe në zonat malore kalon mbi 50 %. Aktualisht 1 në 5 shqiptar jeton me më pak se 2 $ në ditë, ndërsa 1 në 10 jeton me më pak se 1 $ në ditë. Vetëm për të paguar ujin, energjinë dhe bukën, në një muaj, është më shumë se sa ndihma ekonomike që i jepet një familje të varfër. Dhe përgjigja e duhur ndaj varfërisë, nuk është lëmosha, por punësimi”, pati deklaruar Rama në Laç, jo më larg se dy ditë më parë.
E megjithatë dje nga qyteti i Lezhës ai premtoi krijimin e një fondin të integrimit social, çka në fakt është skema e përbuzur prej tij e “lëmoshës”.
“Ky fond brenda 2010 do bëjë që familjet e varfra të përfitojnë 50 % më shumë. Në 2011 përfitimi do të jetë dyfish në fund të mandatit të parë përfitimi i ndihmës ekonomike 4 herë më i madh. Të gjitha këto, duke punuar në drejtin të nxjerrjes nga skema e ndihmës familjet, duke stimuluar punësimin e tyre”, deklaroi ai dje nga Lezha.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›