PD, zyrtarizon ngritjen e komisionit hetimor
Hetim aferave korruptive të Edi Ramës me lejet e ndërtimit
Partia Demokratike zyrtarizoi dje kërkesën për komisionin e dytë hetimor parlamentar për kryebashkiakun e Tiranës, Edi Rama. Komisioni që do të hetojë lejet e ndërtimit të miratuara nga këshilli i rregullimit të territorit në 22 mars 2009, sipas deputetit të mazhorancës Ferdinand Xhaferit do ta ketë të lehtë të vërtetojë shkeljet e kreut të selisë rozë.
“Grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka nisur formalizmin e kërkesës për ngritjen e komisionit hetimor që do të hetojë praktikat dhe procedurat e dhënieve të lejeve të ndërtimit nga kryetari i bashkisë së Tiranës, Edi Rama. Ky zotëri në shkelje flagrante me ligjin dhe duke masakruar parimet e qeverisjes në shërbim të qytetarëve e kthen mbledhjen e Këshillit të Rregullit të Territorit të Tiranës në një instrument të interesave korruptive të tij”, tha Xhaferri.
Deputeti i selisë blu, vuri në dukje se “korrupsioni është aq i dukshëm, aq evident, sa tre javë mjaftojnë për ta nxjerr Edi Ramën lakuriq përpara shqiptarëve dhe politikën e tij të re”.
“Ne kemi akuzuar zotin Fatos Nano se bëri disa prokurime të drejtpërdrejta dhe e quanim atë si një nga rastet më klasike të korrupsionit. Ky zotëria ka kaluar çdo masë, nga 30 leje ndërtimi, 19 të tenton t’ia japë ish shefit të urbanistikës së bashkisë së Tiranës, dhe përfaqësuesit në KRT, e kuptoni që këtu nuk bëhet fjalë më as për korrupsion, as për konflikt interesash, as për monopole, kjo është mafie e pastër. Kjo është edhe arsyeja pse Edi Rama nuk dorëzon planin rregullues të kryeqytetit”, tha Xhaferri.