E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përfitimet dhe sanksionet edhe për studentët dhe pensionistët

Njësitë vendore do të blejnë kuponët për familjet me ndihmë ekonomike
Qeveria bëri të ditur dje vendimin, për kompensimin e çmimit të pajisjes me letërnjoftimin elektronik të disa kategorive.
Gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave, kryeministri Sali Berisha, duke i’u referuar vendimit, për sa i përket personave në ndihmë ekonomike, informoi se kuponët do të blihen nga komuna dhe pas paraqitjes së faturave, do t’u mbahet vetëm 200 lekë për kupon.
“Kryetarët e komunave detyrimisht duhet të blejnë kuponët për të gjithë qytetarët në ndihmë ekonomike dhe sociale. Qeveria do të shtojë në ndihmën ekonomike të muajit që vjen, në përputhje me faturat që do të sjellin, të gjithë shumën e përdorur për blerjen e kuponëve dhe në ndihmën mujore ekonomike, atyre që kanë detyrimin për të paguar  do t’u mbahen 200 lekë për çdo person në ndihmë ekonomike në familje. Nëse një familje ka 5 votues, në ndihmën ekonomike do të derdhen 5 mijë lekë dhe ajo do të paguajë gjithsej 1 mijë lekë për kuponët”, tha kryeministri.
Në lidhje me studentët, kryeministri Berisha tha se kuponët për letërnjoftimet do të blihen nga fakultetet dhe studentët duhet të paguajnë për to, gjithashtu, 200 lekë.  
“Fakultetet të blejnë kuponët dhe do t’ua japin studentëve, të cilët do të kenë subvencionin prej 1 mijë lekësh dhe do të dorëzojnë vetëm 200 lekë. Studentët duhet të paraqesin letërnjoftimin për të hyrë në provim”, shtoi kreu i qeverisë.
Gjithashtu për pensionistët e fshatit dhe ata me pensione minimale në qytet, qeveria, informoi kryeministri, do të vendosë në datën e pensionit të parë të muajit maj, shumën e përcaktuar prej 1 mijë lekë dhe ata do të paguajnë vetëm 200 lekë për letërnjoftim, duke e marrë atë me 1/6 e çmimit të saj. Kryeministri tha se edhe sanksionet do të jenë gjithashtu shumë të qarta.
“Në rast se paratë merren dhe nuk blihet letërnjoftimi, atëherë nuk do t’u jepet pensioni tjetër”, tha kryeministri.
Duke konsideruar se pajisja me letërnjoftim është një detyrë e jashtëzakonisht rëndësishme shoqërore përsa i përket votimit, kryeministri theksoi se dokumenti i identitetit është i detyrueshëm në qarkullimin e qytetarëve në të katër anët e vendit dhe botës.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›