Nga Loro Boriçi te Bekenbauer, ja vlerësimet për gjeniun Pano
Elozhet
Vlerësime maksimale për “Lojtarin e Artë” jo vetëm nga miqtë, por edhe nga kundërshtarët
Epitetet dhe vlerësimet për legjendën e futbollit shqiptar, Panajot Pano janë të pafundme. Pikërisht ashtu si e meriton një gjeni i vërtetë. Elozhet nuk kanë ardhur vetëm nga miqtë, ish-shokët e skuadrës apo trajnerët, por edhe prej kundërshtarëve. Një prej më të mëdhenjve që ka folur me superlativa për kualitetin e “Lojtarit të Artë” në vendin tonë ka qenë “Kaizeri” Franc Bekenbauer. Pano është përballur në dy raste me lojtarin më të mirë të të gjitha kohërave në Gjermani, i cilësuar edhe si një prej emrave më të mëdhenj në historinë e futbollit. Bekenbauer ka thënë: “Më pëlqyen të gjithë futbollistët e përfaqësueses shqiptare dhe e kam të vështirë të bëj dallime. Ne në Gjermani njohim më shumë Panon, por më pëlqeu shumë edhe kundërshtari im direkt Bizi”. Në sfidën e vitit 1967, në takimin e përfunduar në barazim 0-0, ylli kuqezi nxori jashtë lojës mbrojtësin Uilli Shulc, ndërsa skuadra e Helmut Shën nuk arriti të kualifikohej në fazën finale të Euro 1968. Qendërmbrojtësi, i cili u bë “viktima” e gjenialitetit të Panos, deklaroi: “Asnjë lojtar tjetër, si në vendin tim ashtu edhe jashtë, nuk kishte guxuar të më sillte rrotull dhe të më gjunjëzonte ashtu si ka bërë Pano. Ai është një lojtar i madh”. Ndërsa trajneri Shën shtonte: “Shqipëria ka një kapiten të madh si Shllaku dhe një futbollist të madh si Pano”. Katër vjet më pas, në një tjetër përballje ndërmjet Shqipërisë dhe Republikës Federale Gjermane stafi teknik i kundërshtarëve mori masa për të neutralizuar sulmuesin kuqezi: Pano është mbuluar nga vetë kapiteni Bekenbauer.
Loro Boriçi, “Mjeshtri i Merituar i Sportit”, ka thënë për Panon: “Me lojtarë si ai në skuadër gjithçka bëhet më e lehtë dhe me pak kujdes mund të arrish majat”. Ish-trajneri i Partizanit, Rexhep Spahiu, shprehej: “Më mirë të kesh Panon me një këmbë në fushë, sesa një lojtar tjetër me të dyja këmbët”. Xhavit Demneri, trajneri i parë i futbollistit legjendar mburrej me të drejtë për zbulimin e tij: “Kam evidentuar Panajot Panon”, ndërsa “Mjeshtri i Merituar” Refik Resmja e cilësonte “më të madhin mes të mëdhenjve”. Për Zihni Gjinalin ai ishte “më i miri në vend”, Miço Papadhopulli ëndërronte që “ta shihja sërish duke luajtur”, ndërsa për Mehdi Bushatin “nëse do të kishte mundësinë për të lëvizur lirshëm, Pano mund të luante me skuadra si Juventus, Milan apo edhe Real Madrid”.
#