E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria në zi, shuhet legjenda Panajot Pano

Një infarkt i merr jetën mbretit të futbollit shqiptar
Shqipëria është sot në zi për një humbje të madhe të saj. Tashmë do të jemi të detyruar t’i japim lamtumirën “mbretit”, legjendës së futbollit shqiptar Panajot Panos. 19 janari 2010 do të mbetet si dita e fundit e jetës për futbollistin më të mirë shqiptar të të gjitha kohërave, e legjendës më të madhe e të papërsëritshme. Zemra e “mbretit” të top-këmbës shqiptare ka pushuar së rrahuri larg, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku gjendej prej disa kohësh. Shqiptarët kanë ulur sot flamurin në gjysmështizë. Kjo, sepse nëse Brazili krenohet me Pelen, Argjentina me Maradonën, ne shqiptarët kishim Panajotin tonë. Iku para kohe nga kjo jetë, në moshën 71-vjeçare. Lojtarin “fluturues”, të cilin nuk kishte kundërshtar që ta markonte, e ka tradhtuar zemra pas një infarkti, duke na thënë të gjithëve “lamtumirë”.
Por loja dhe golat e “Pushkashit të vogël”, sulmuesit të Partizanit e të Kombëtares, do të mbesin përjetësisht të gdhendura në arkivin e topkëmbës kuqezi. I lindur në Durrës, më 7 mars 1939, ai vlerësohet si njëri nga futbollistët më të mëdhenj të Shqipërisë. Në moshën 12-vjeçare e nisi karrierën e tij si portier, por cilësitë e tij të rralla e shndërruan atë si sulmuesin më të madh me fanellën e Tiranës e Partizanit, përpos ndonjë ndeshje ndërkombëtare si i huazuar me Dinamon, me të cilat ka shkëlqyer. I pari që dalloi cilësitë e jashtëzakonshme të nxënësit 13-vjeçar të shkollës “10 Korriku” dhe e inkuadroi në një ekip sportiv ishte ish-trajneri Kombëtares së Shqipërisë, Adem Karapici. Ka shkëlqyer gjithmonë dhe ka qenë protagonist duke u shpallur kampion i Shqipërisë në 1961, 1962-1963, 1963-1964 dhe fitues i Kupës së Shqipërisë në 1961, 1964, 1966, 1968, 1975, autor i mbi 100 golave ndërkombëtarë, e mbi 500 të tillë në 700 ndeshje gjatë karrierës së tij të gjatë futbollistike.
U nda nga fusha e blertë 35 vjet më parë, në vitin 1975, për të qenë përjetësisht e lidhur me të. Dikush e quan një “Pele shqiptar”, dikush një “Pushkash i vogël”, ndërsa një tjetër e konsideron magjistar përpara portës, si një “Gerd Myler në versionin shqiptar”. Por Pano gjithmonë e quante veten thjesht një futbollist. Ndërsa ekspertët e quanin një gjeni. “I shpejtë si era, energjik, depërtues, i papërmbajtshëm, bomber i vërtetë”. Këto janë disa nga përcaktimet e bëra prej gazetarëve dhe radiokronistëve të kohës për Panajot Panon, legjendën e futbollit shqiptar dhe ish-futbollisti i famshëm i Partizanit që, gjatë karrierës së tij futbollistike ka luajtur mbi 700 ndeshje, 100 prej të cilave ndërkombëtare, përfshirë edhe ato miqësore të klubeve dhe ekipeve Kombëtare e Olimpike.
Në nëntor të vitit 2003, me rastin e jubileut të UEFA-s, ai u shpall “Lojtari i artë” (“Golden player”) i Federatës Shqiptare të Futbollit. Në vitin 2005, ai u shpall “Futbollisti më i mirë i shekullit”, një listë kjo e publikuar nga FIFA me 100 sportistë nga një për çdo vend, ndërkohë që vitin e kaluar, pikërisht me rastin e 70-vjetorit të lindjes, legjenda shqiptare, më i njohuri në botë, Panajot Pano, u dekorua me urdhrin “Nderi i Kombit” nga Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi. Kjo ishte medalja e tij e tetë personale, duke e shndërruar kështu në sportistin e vetëm shqiptar që ka marrë këtë titull. Mjeshtri i Merituar i Sportit, Panajot Pano, mbetet sportisti më popullor në Shqipëri, një “Pele” shqiptar. Jeta e tij ka qenë vërtet intensive dhe me shumë ngjarje, që nuk harrohen.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›