Presidenti Topi ngushëllon familjen Pano
Mesazh
Humbja e Panajot Panos nga një infarkt në zemër ka prekur miliona shqiptarë, adhurues te mbretit të futbollit tonë. Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i shprehu ngushëllimet më të ndjera familjes Pano për ndarjen nga jeta të futbollistit të shquar. “Dëshiroj t’ju gjendem pranë shpirtërisht në këto çaste dhimbjeje të thellë për humbjen e njeriut tuaj të pazëvendësueshëm, Panajotit tonë të shtrenjtë, duke ju shprehur ngushëllimet e mia më të sinqerta! - thekson Topi. Sportisti i rrallë, korifeu i futbollit shqiptar, që me lojën e mahnitshme, shpirtin e tij luftarak dhe sidomos me golat e paharruar do mbetet ngaherë i gdhendur në historinë e futbollit shqiptar dhe në kujtesën e tifozëve e sportdashësve, do të vazhdojë ngaherë të admirohet jo vetëm nga ata që e njohën personalisht dhe patën fatin të luajnë me të apo kundër tij, por ai do të vazhdojë të kujtohet si një legjendë e gjallë e sportit shqiptar. Duke ndarë me ju dhimbjen për humbjen e parakohshme të “Nderit të Kombit”, të gjithë shqiptarët dhe të huajt do t’i jenë përjetësisht mirënjohës për gjithçka Panajot Panos”, përfundon deklarata.
#