E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nga Manastiri i Ardenicës, tek kalaja e Ali Pashës

Trashëgimia kulturore dhe riviera, një perlë e turizmit shqiptar

Një rivierë e mrekullueshme, jo vetëm me detin dhe me larminë e bukur natyrore, por mbi të gjitha dhe me vlera të rralla të trashëgimisë kulturore, e cila josh çdo person që dëshiron të prekë bukuritë e natyrës shqiptare. Sezoni veror tashmë ka filluar dhe kjo bukuri natyrore dhe kulturore kërkon dhe promovimin e saj. Në këtë kuadër,

Ministria e Kulturës nën kujdesin e veçantë të ministrit z. Ferdinand Xhaferraj dhe mbështetjen e kompanisë TAÇI OIL por dhe të FSHF, organizoi fundjavën që lamë pas një udhëtim promovues të këtyre vlerave me gazetarë të mediave të shkruara dhe elektronike. Shqipëria ka se çfarë të ofrojë për pushuesit, që duan jo vetëm të kalojnë disa ditë në vendin tonë, por mbi të gjitha të ikin prej tij me një histori të mrekullueshme të trashëgimisë të pasur kulturore dhe arkeologjike, e shoqëruar kjo me bukurinë e bregdetit Adriatik dhe Jon. Njohja me këto vlera kulturore dhe natyrore filloi në këtë udhëtim me Manastirin e Ardenicës. Një vend, i cili njihet për historinë e tij ndër shekuj. Manastiri i Ardenicës shtrihet 10 km në veri të qytetit të Fierit, buzë rrugës kombëtare që lidh qytetin e Fierit me atë të Lushnjës në një pozitë dominuese në kodrat me të njëjtin emër, në lartësinë 237 metra mbi nivelin e detit. Manastiri mesjetar mban emrin e Marisë Hyjlindisë, ashtu si shumica e kishave të trevës së Myzeqesë, në të cilën ajo njihet si mbrojtëse e veprimtarisë kryesore ekonomike bujqësore. Punonjësit që kujdesen për të tregojnë se Manastiri, edhe pse në pamje të parë të lë përshtypjen e një objekti kulti të zakonshëm fsheh në brendësi të tij vlera mjaft të mëdha. Sa më shumë të futesh në labirinthet e historisë së tij aq më shumë dalin në dritë vlerat e tij. Këtu jetojnë dhe katër murgj, të cilët kanë studiuar në Shkollën Teologjike në Shën Vlash të Durrësit, pohon punonjësi që kujdeset për Manastirin, ndërsa më tej shton se vizitorët nuk mungojnë gjatë gjithë vitit. Sipas tij, joshja që i bën ky vend turistëve është jo vetëm për ikonat, por dhe për historinë e këtij vendi, që daton në vitin 1282 me nismën e perandorit Andronik II Paleolog të Bizantit, i cili e ngriti këtë tempull pas fitores mbi anzhuinët në Berat. Manastiri ishte i mirëmbajtur dhe kjo dhe falë politikave që janë ndjekur sa i takon trashëgimisë kulturore nga MTKRS, e më gjerë.


Apolonia, një tjetër vend atraktiv për vizitorët
Ndërsa udhëtojmë për të njohur vlerat arkeologjike dhe kulturore mbërrijmë në Apoloni. Një park për të cilin historia ka folur shumë dhe këtë e kupton sapo shkel në këtë vend. E para që veç bukurisë antike, aty sheh dhe grupe me turistë të huaj, nga vende të ndryshme të Europës por dhe nga kontinenti aziatik, të cilët të mrekulluar para këtij parku shprehen se është një vend unik turistik për vlerat që ai mbart. Kryeqendra e historisë së Fierit ka qenë qyteti antik i Apolonisë, i themeluar në shekullin e VI para Krishtit nga kolonë korkyras. Apolonia jetoi rreth 1200 vjet dhe në kulmin e lulëzimit të saj, në një sipërfaqe prej 140 ha banonin 60.000 banorë. Zhvillimi i madh kulturor që mori qyteti vërtetohet me faktin se në shekullin I p.e.s. Perandori i parë romak Augusti studioi në Apoloni. Pranë Apolonisë ndodhet Manastiri i Pojanit, një simbol i historisë dhe kulturës së shekullit të XIII-të. Me një stil bizantin ai konservohet si një kompleks arkitektonik mjaft interesant së bashku me kishën me interierët me dekorimet dhe pikturat murale të veçanta. Para 30-vjetësh ky manastir u shndërrua në një muzeum ku ruheshin statujat e periudhës Iliro-Helenike dhe asaj Romake, duke u shndërruar në këtë mënyrë në një qendër mjaft të rëndësishme kulturore artistike, që pasurohej dhe me zbulimet e reja arkeologjike. Apolonia është qendër e përhershme gërmimesh, dhe në vitet e fundit ka qenë qendër kërkimesh arkeologjike për një bashkëpunim shqiptaro-francez. Vizitorët nuk mungojnë gjatë gjithë vitit, tregon ciceroni i këtij parku. Të udhëhequr nën guidën e ciceronit të këtij parku, i cili tregon dhe punën që bëhet për të mbajtur këtë park arkeologjik, mësojmë se ky vend është atraktiv për shumë vizitorë. Kam shëtitur në shumë vende antike në botë për shkak të profesionit tim, por mund të them se kam mbetur e mrekulluar jo vetëm për pamjen, por dhe për historinë dhe vlerat që ka ky park, tregon një vizitore që ka ardhur nga Kina. Apolonia është një nga qendrat kryesore të qytetërimit në Mesdhe e njohur dhe si qytet shtet që kishte konceptin e demosit, në qeverisjes politike dhe sociale.


Riviera, perla e bregdetit shqiptar
Lëmë pas parkun e Apolonisë dhe grupi me gazetarë vijon udhëtimin drejt bregdetit jugor të vendit. Rivierën shqiptare e njohim për bukuritë e saj piktoreske, që mbetet një vend atraktiv për shumë pushues. Shefja e sektorit të marrëdhënieve me publikun në MTKRS, Irena Prici tregon se qëllimi i këtij udhëtimi është prekja nga afër me atë se çfarë ofron trashëgimia, natyra dhe bregdeti shqiptar. Veç saj grupi me gazetarë shoqërohej dhe nga z. Enver Bytyçi, dr. i marrëdhënieve me jashtë dhe publikun, z. Nikolla Lena dr. i përgjithshëm i politikave në art dhe kulturë, Mimoza Sofroni drejtoreshë e artit, z.Gëzim Halili specialist në drejtorinë e trashëgimisë kulturore dhe znj. Brikena Janina specialiste në drejtorinë e turizmit. Këta të fundit, të dy vlonjatë flisnin për bukuritë e rivierës pa harruar asgjë teksa shoqëronin gazetarët. Në Vlorë është ndalesa e radhës, një qytet i cili njihet për bukuritë e tij. Pushues të shumtë gjatë sezonit veror frekuentojnë këtë qytet. Ajo që na bëri përshtypje gjatë këtij udhëtimi veç hoteleve që ishin bërë gati për sezonin veror, ku nuk mungonin dhe ata me 5 yje, ishte dhe infrastruktura për të cilën ishte investuar jo pak. E ndërsa udhëtimi vazhdon, në çdo plazh të vendit infrastruktura rrugore ishte në gjendje shumë të mirë, e veç kësaj ishin dhe shumë investime të tjera në këto zona. Ndërkaq që gatimet tradicionale, por dhe shumë karakteristika të tjera të traditës nuk mungonin për ata që donin të kalonin disa ditë pushimi. Orikumi i njohur për vlerat e tij, sipas kryetarit të Bashkisë për këtë sezon janë marrë të gjitha masat për pushuesit. Ngjitemi në Parkun Kombëtar të Llogarasë, ku në lokalet e zonës mund të gjesh çdo gatim tradicional, i preferuar për të gjithë ata që ndalen aty. Udhëtimi vijon drejt plazheve Dhërmi, Livadh, Himar etj. E ndërsa infrastruktura të ofron një udhëtim komod, udhëtimi vijon duke prekur dhe shumë vende të tjera atraktive. Mbërrijmë në Porto Palermo, tek Kalaja e Ali Pashës. Edhe këtu nuk mungonin turistët, ku sipas punonjësve që kujdeseshin për këtë kala vjet ajo u vizitua nga 6 mijë turistë. Kalaja e Ali Pashait në Gjirin e Porto Palermos është kala e ndërtuar në një gadishull midis Himarës dhe Qeparos. Kalaja e vogël është e vendosur në një pozicion mjaft të bukur në një gadishull në gjirin e vogël tektonik të Porto Palermos (në antikitet e njohur si gjiri i Panormës). Kalaja ndodhet jo larg fshatit të Qeparoit. Kalaja ka formë trekëndore. Përmasat e saj janë 150 x 400 metra. Lartësia e mureve arrin në 20 metra. Ali Pashai e ndërtoi këtë kala për nder të së shoqes, Vasiliqisë. Në të njëjtën kohë ajo shërbente edhe si pikë kontrolli. Gadishulli ku gjendet kalaja është i mbuluar me shkurre mesdhetare gjithnjë të gjelbra, ndërsa nga bedenat hapet një pamje mjaft e bukur e detit. Kalaja e Porto Palermos ndodhet në gjirin me të njëjtin emër në bregun e detit Jon në Shqipërinë e Jugut. Vizita në kala ishte dhe fundi i këtij udhëtimi, por nëse do të zgjatej akoma sigurisht që na prisnin të tjera perla të natyrës dhe rivierës shqiptare. Një udhëtim në këto vende, nuk mjafton për të shpalosur vlerat e një pjese të rivierës shqiptare, por mjafton për të treguar që Shqipëria mbetet vendi me pasuri natyrore dhe kulturore unike në Evropë dhe më gjerë.

Nga Julia Vrapi

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›