Nga Monarkia e Ahmet Zogut tek Sulltanati i Sali Berishës
ALEKSANDËR BIBERAJ
Duke shfletuar kalendarin politik enciklopedik për ditën e 1 shtatorit, fleta qëndroi në 1 Shtatorin e vitit 1928, ditë kur Asambleja Kushtetuese e Shqipërisë, e dalë nga zgjedhjet e parakohshme, do ta ndryshonte formën e regjimit (formën e qeverisjes) nga Republikë Parlamentare me President Ahmet Zogun në Mbretëri të Trashëgueshme (Monarki Kushtetuese) me mbret të shqiptarëve Ahmet Zogun. Propozimi do të vinte nga një grup deputetësh dhe do të miratohej nga Asambleja Kushtetuese. Mund të ishte zgjidhja më e mirë për kohët e trazuara që po kalonte Shqipëria dhe udhëkryqin në të cilin ndodhej apo mund të konsiderohej si një përqendrim absolut i pushtetit në duart e Ahmet Zogut këtë le tia lëmë historisë dhe historianëve për gjykim dhe vlerësim. Natyrisht, kur flasim për historianë duhet të kemi parasysh historianë të vërtetë, në kuptimin profesional dhe misionar të këtij profesioni të nderuar dhe jo historucë të modelit komunist, që vetëm e nxinë për 45 vjet monarkinë dhe Ahmet Zogun apo e atyre të tanishëm që vijnë po nga komunizmi dhe mbeten me të njëjtin mentalitet dhe psikologji (shto këtu edhe interesat karrieriste, ekonomike apo dhe servilizmin ekstrem), dhe përpiqen ta shesin para historisë Sali Berishën si arkitektin e Shqipërisë moderne, ndërkohë që krejt e kundërta është e vërtetë. Gjithsesi, qëllimi i këtij shkrimi nuk është aspak të analizojë atë që ndodhi para 84 vitesh, se sa të paraqesë krejt shkurtimisht atë që ndodhi në Shqipëri gjatë këtyre 84 viteve, me qëllim që të shohim se sa larg në kohë 1 Shtatorit 1928 jemi, por edhe sa afër në model, formë dhe mentalitet qeverisës jemi sot në 3 Shtatorin e vitit 2012. Që nga ajo kohë, Shqipëria kaloi disa forma regjimesh, ku kuptohet diktatura komuniste mbetet pjesa më e errët, më fatkeqe dhe më afatgjatë për shqiptarët. Monarkia e Ahmet Zogut që pushoi së ekzistuari me pushtimin fashist të Shqipërisë më 7 Prill 1939, u zëvendësua nga diktatura komuniste e Enver Hoxhës në vitin 1944, i cili, nëpërmjet një pushteti absolut, mbretëroi për 41 vjet (1944-1985), ndonëse nuk ishte mbret i shpallur juridikisht. Ahmet Zogu mbretëroi de facto duke qenë edhe de jure mbret, por nuk pretendoi për asnjë moment që të ishte edhe ZOT për shqiptarët apo ti zinte vendin ZOTIT, pasi objektet e kultit (xhamitë, kishat, teqetë) lulëzuan, klerikët u arsimuan dhe liria e besimit u respektua. Enver Hoxha, që mbretëroi de facto duke mos qenë de jure mbret, synoi të bëhej edhe ZOT për shqiptarët, duke i zënë vendin ZOTIT, pasi prishi objektet e kultit (xhamitë, kishat, teqetë), i persekutoi klerikët (duke i vrarë, duke i burgosur, duke i internuar dhe duke i syrgjynosur), ndaloi me ligj lirinë e besimit, duke e shpallur besimin në ZOT si herezi dhe vetë ZOTIN non grata, të padëshiruar dhe të jashtëligjshëm.
Për të gjithë ata që e kanë jetuar kohën e komunizmit ose që kanë lexuar për atë kohë, është më se e qartë se Enver Hoxha u kujdes shumë që ti zinte vendin Ahmet Zogut në panteonin e historisë së kombit shqiptar, pasi nuk linte rast pa e nxirë dhe pa e anatemuar atë, personalisht vetë apo nëpërmjet historiografisë dhe propagandës komuniste në shërbim të tij.
Në Dhjetorin 90, pas 46 vitesh sundim të komunizmit, Shqipëria u fut në rrugën e demokracisë pas rënies së komunizmit, atje ku edhe lindi në Kremlin. Shqiptarët patën shumë shpresa se vendi do të ecte dhe do të përparonte shumë shpejt në rrugën e demokracisë, të ekonomisë së tregut dhe të prosperitetit kombëtar. Natyrisht që shumë ndryshime kanë ndodhur gjatë këtyre 22 viteve dhe kjo për meritë të sakrificës së qytetarëve shqiptarë, por demokracia dhe ekonomia e tregut vazhdojnë të mbeten hibride, sipas modelit made in Albania. Përse ndodhi dhe vazhdon të ndodhë kjo!? Natyrisht që një përgjigje e kompletuar kërkon kohë dhe analiza analitike, por gjithsesi një përgjigje të shpejtë, por të saktë dhe të vërtetë mund ta japim.
Edhe pse jemi në mes të Europës dhe po jetojmë në kohë moderne të qytetërimit perëndimor, kemi 22 vjet që nuk jemi monarki dhe nuk kemi mbret juridikisht, por kemi sulltan de facto, i cili ka plot 44 vjet në politikë (1968-1990 si komunist dhe 1990-2012 si demokrat komunist), duke ia kaluar edhe Ahmet Zogut dhe Enver Hoxhës. Kur i intereson sulltanit ta nxijë Zogun njëlloj si Enveri e quan non grata dhe e flak nga Shqipëria brenda 24 orëve dhe kur i intereson ta lavdërojë e ngre në qiell dhe premton edhe mazoleum për familjen mbretërore. Të njëjtën gjë bënë edhe me Enver Hoxhën, kur i intereson ta lavdërojë e quan komandantin legjendar të batalioneve partizane dhe kur i intereson ta nxijë e quan diktator, ndonëse në vitin 90 erdhi nga varka e familjes së tij dhe me bekimin e tyre dhe me teserën e PPSH-së në PD. Nga këto qëndrime kontroverse, nuk është e vështirë për të kuptuar se, cili qëndrim është real dhe cili është hipokrit, cili është i vërtetë dhe cili është fallco. Po të shikosh Shqipërinë e sotme, fatkeqësisht ngjan shumë me Shqipërinë e vitit 1928, vërtet sot nuk kemi një mbret të shpallur de jure, por kemi një Kryeministër sulltan që ka uzurpuar dhe kontrollon të gjitha pushtetet, legjislativin, ekzekutivin, sistemin e drejtësisë, median, ekonominë, biznesin dhe gjithçka tjetër, më keq ndoshta se Ahmet Zogu dhe Enver Hoxha, duke krahasuar kushtet respektove, si dhe duke marrë parasysh faktorin kohë dhe hapësirë. Shqipëria, si në vitin 1928, është e zhytur në kaos të plotë, në flakë, në vjedhje, në grabitje dhe në korrupsion galopant, në krime, në vrasje dhe në vetë-vrasje, në papunësi dhe në varfëri ekstreme, në injorancë të thellë qeverisëse dhe në mungesë totale të shtetit. Sot kemi krizë politike, krizë ekonomike, krizë morale, sociale, psikologjike dhe më e keqja, krizë besimi dhe humbje e shpresës për një të ardhme më të mirë. Nga kombi më optimist në Europë në fillim të viteve 90 për një të ardhme më të mirë, sot rrezikojmë të jemi kombi më pesimist në Europë për të ardhmen tonë, pasi ka humbur shpresa, besimi dhe e ardhmja duket tepër e pasigurt dhe e zymtë, sidomos për rininë. Kemi edhe një brez të humbur që nga viti 1990, në morinë e brezave të humbur që nga 1928 apo 1944. Sot me 3 shtator, si dikur më 1 Shtator 1928, mblidhet edhe seanca e parë e sesionit të vjeshtës parlamentare dhe Kryeministri sulltan do të bëjë ritualin e zakonshëm, do të mbledhë grupin parlamentar për të treguar përrallat e verës, rekordet e notit, rrugët më të mira në botë ku humbasin çdo ditë jetë qytetarësh shqiptarë, dhe pse jo edhe rekordet ekonomike, pasi ia kemi kaluar Gjermanisë, Kinës dhe mbarë botës. Të njëjtën gjë do të bëjë edhe në seancën plenare. Nuk do të ishte aspak çudi që me atë grup parlamentar që ka sot, me propozim të një grupi deputetësh, Shqipëria të shpallej nga seanca e sotme parlamentare me votat e mazhorancës Sulltanat Kushtetues dhe i Trashëgueshëm me sulltan të shqiptarëve Sali Berishën. Tentoi ta bënte me referendumin për projekt-kushtetutën në vitin 1994, por dështoi, në këtë farë Parlamenti dhe me këta farë deputetësh edhe mund ta bëjë dhe mirë do të ishte ta bënte. Të huajt, si gjithmonë, do të vraponin ta uronin të parët dhe të shpreheshin se Shqipëria është vend sovran dhe i pavarur dhe se ky ishte vullneti i shqiptarëve, dhe do të përpiqeshin që të na mbushnin mendjen se Sulltanati është modeli më i mirë dhe më demokratik i qeverisjes për Shqipërinë dhe shqiptarët, nënkupto se kështu dhe kaq meritoni. Ata njëlloj do të vazhdonin të merrnin rrogat e majme dhe honorarët nga taksa-paguesit e vendeve të tyre, por do të kishin më shumë privilegje, profite, dhurata dhe shpërblime për lobingjet nga Sulltanati, pasi dihet q