Nga Olimpi në udhë pa krye
“Mos përzieni sportin me politikën!”. Kjo thirrje provokuese e qeveritarëve kinezë lidhur me kërcënimin për bojkot të Lojërave Olimpike të Pekinit të kësaj vere nuk gjen vërtetim në realitet. Sporti dhe politika gjithnjë kanë qenë të lidhura ngushtë.
Ka me shumicë shembuj të dukshëm. Olimpiket e Berlinit më 1936 u ngopën me propagandë naziste jo më pak se ngjarjet atletike. Gjatë Luftës së Ftohtë, “diplomacia e pingpongut” ndihmoi në ringjalljen e marrëdhënieve zyrtare mes Kinës dhe SHBA-ve. Më 1990, Gjermania u përfaqësua me një ekip të vetëm olimpik para ribashkimit të vendit.
Pohimi se politika dhe sporti mund të jenë të ndarë nga njeri-tjetri në epokën e sotme mediatike më shumë se në të kaluarën, është naiv. Pekinit iu dhanë Olimpiket për arsye të shumta ekonomike dhe politike, dhe se Kina i donte Lojërat për të njëjtat arsye. Tensioni i tanishëm mes Kinës dhe (kryesisht) opinionit publik perëndimor në prag të Olimpikeve të Pekinit është rezultat i moskompetencës, hipokrizisë dhe zemërimit, ky i fundit i ligjshëm, por potencialisht kundërproduktiv.
Moskompetenca e Kinës lidhur me krizën në Tibet gjithsesi nuk është befasuese. Regjimi kinez është plotësisht viktimë e pazotësisë së tij për t’u vetëreformuar. Kina i paOlimpiket si mundësi simbolike për të konsoliduar dhe kremtuar statusin e saj të ri në botë. Të kapur në befasi nga ngjarjet në Tibet, por gjithashtu nga vreri dhe popullariteti i atyre, që ata i quanin sentimente “antikineze”, qeveritarët e Kinës kanë përdorur metodat tradicionale të regjimeve autoritare, duke kthyer kokëposhtë, kundër kritikëve perëndimorë, nacionalizmin e thellë dhe ndjenjën e përuljes së qytetarëve të tyre.
Duket se sot kinezët pothuajse janë trullosur nga sjellja e supozuar e keqe ndaj pishtarit olimpik në Londër, Paris dhe San Francisko, si amerikanët më 2001-shin: “Përse na urrejnë kaq shumë?”, “Çfarë u kemi bërë?”. I vetizoluar nga realitetet politike globale dhe i paaftë për të rrokur kuptimin e termit “shoqëri civile”, regjimi kinez ndërsen publikun e tij të shprehë përçmim ndaj të gjithë atyre që nuk janë në gjendje të “respektojnë Kinën”, gjë e cila vetëm sa përforcon reagime negative.
Por hipokrizia e Perëndimit nuk është shumë më e mirë se moskompetenca e regjimit kinez. Në çastin kur bashkësia ndërkombëtare “i fali” Kinës Olimpiket, Perëndimi provoi se sa pak konsideratë ka ai në të vërtetë për të drejtat e njeriut dhe demokracinë. Ideja se regjimi kinez do të reformonte vendin, duke e shndërruar në një gjigant të hapur, të moderuar dhe dashamirës, ishin ose mashtrim dhe keqpërceptim shumë i madh, ose marrje e dëshirave për realitet.
Dilema e parashtruar nga Kina para regjimeve demokratike është e natyrshme. Të kapur ngushtë mes nevojës së tyre të ngutshme për financime dhe tregje dhe domosdoshmërisë për të reaguar ndaj sentimenteve të qytetarëve të vet, ato lëkunden mes dënimit dhe qetësimit të Kinës, duke u përpjekur të gjejnë një mënyrë koherente për të mbrojtur parimet e Perëndimit pa dëmtuar interesat e tij ekonomike.
Tani Perëndimit beson se ka gjetur një “rrugë të tretë”, duke kërcënuar me bojkot ceremoninë e hapjes së Olimpikeve, por jo të vetë Lojërave. Kështu, populli kinez, atletët e botës dhe planeti të uritur për “bukë dhe cirk” nuk do të lëndohen, kurse qeveritarët kinezë nuk do të “dalin pa u lagur” për shpërfilljen e tyre ndaj të drejtave të njeriut dhe opinionit publik ndërkombëtar. Problemi është se një opsion i tillë kërkon nga qeveritë vendosmëri absolute për të mbajtur fjalën.
Forca e indinjatës është përbërës i domosdoshëm i një bote transparente dhe të ndërvarur, që ka humbur privilegjin e paditurisë. Por reagimet selektive ndaj veprimeve të diktaturave mund të jenë problematike dhe kundërproduktive. Kina, me anë, si pozitive ashtu negative, është një fuqi që synon ruajtjen e statuskuosë dhe që nuk dëshiron të tronditë sistemin ndërkombëtar, - një fuqi, kryesisht e kënaqur me statusin e saj të ri, por që dhe nuk dëshiron të transformojë regjimin e vet, veçanërisht nga trysni të jashtme.
S’ja vlen të kemi iluzione: kurrfarë “kushtesh” të imponuara nga jashtë nuk do të çojnë në krijimin e “Kinës që ne meritojmë”, meqenëse kjo ndodhi pas Luftës së Dytë Botërore, kur nëpërmjet një procesi integrimi dhe pajtimi lindi “Gjermania që ne meritojmë”. Nëse kinezët reformojnë sistemin e tyre politik dhe përmirësojnë gjendjen e të drejtave të njeriut, kjo do të ndodhë jo si rezultat i ndonjë gjëje që kemi thënë ose bërë ne në Perëndim, por sepse kinezët e kuptojnë që mungesa e shtetit të së drejtës kompromenton shanset e ambicies së tyre afatgjatë për të qenë të fortë dhe të respektuar.
* Dominik Muazi (Dominique Moisi), themelues dhe Këshilltari i Lartë i IFRI-t (Institut Français pour les Relations Internationales – Insituti Francez i Marrëdhënieve Ndërkombëtare), është aktualisht profesor në Kolegjin e Evropës në Natolin, Varshavë.
Përktheu: Vladimir Mustaqi