E Diel, 1 Nëntor 2026

Toka falas, Bashkia e Lezhës josh investitorët me përvojën hungareze

Shumica e shqiptarëve e fiksuan Viktor Tushën në debatin televiziv të pak më shumë se një viti më parë, kur shkëlqeu përballë kandidatit konkurrent të PD-së për Bashkinë e Lezhës. Pak ditë më vonë fitorja me 57.71 % të votave, ndaj 41.89 % të kundërshtarit konfirmoi supermacinë. Një vit më pas i njëjti, kandidat dhe fitues nën siglën e LSI-së, nuk ka humbur aspak nga shkathtësia që e karakterizon.

Nga Lezha, Ferdinand Dervishi

Ka grisur me dorën e vet gjithçka të vjetër dhe pa vlerë, ka bllokuar të gjithë lejet e ndërtimit, ka thyer të gjitha protestat dhe ndërhyrjet. Filozofia është e thjeshtë. Që të barazohet koha duhen projekte, pa projekte nuk mund të bësh asgjë më tepër se një rrëmujë që një ditë do të gremiset. Kështu zyrat e bashkisë janë kthyer në zyra projektesh, kurse ata që i mbështesin janë specialistë nga studio të njohura italiane. Madje, nuk ka asnjë projekt që të mos jetë konsultuar nga specialistë të huaj. "Tani jemi gati. Kërkojmë një investim nga shteti, qoftë nga fondacione të huaja, ata na kërkojnë projektin dhe ne ua hedhim në tavolinë, pa u lënë kohë të marrin frymë", flet Viktori pa u nxituar. Por zgjidhja më e goditur duket se është ajo e Parkut Industrial. Kryebashkiaku ka menduar të ftojë aty biznesmenë të huaj si dhe vendas menjëherë, pasi të qërojë hesapet me pronësinë e tokës. Ajo do i kalojë shtetit dhe biznesmenët, që kanë dëshirë të investojnë, s'do të kenë nëpër këmbë pronarët e tokës që të hanë shpirtin. Pasi hesapet do jenë vetëm me shtetin.
Zoti Viktor, ju takuam pasi mësuam për idenë tuaj të Parkut Industrial. Mund të na thoni shkurtimisht se çfarë planesh keni për Lezhën dhe zhvillimin e qytetit?
Duke qenë se jo vetëm për Lezhën, një nga problemet mbetet masakra urbane, ne kemi investuar më tepër në këtë pikë. Duke kuptuar se industria e ndërtimit është konsideruar si e vetmja fitimprurëse dhe kërkesat janë ende shumë të mëdha, ne jemi duke hartuar një plan të përgjithshëm rregullues. Fatkeqësisht në 17 vite nuk ka pasur një plan rregullues që të përballonte zhvillimet e kohës. Kështu duke parë situatën kaotike të ndërtimeve, me urgjencë bllokuam të gjitha lejet e ndërtimeve, pasi gjithçka po ecte mbi studime pjesore dhe jo mbi një plan të përgjithshëm rregullues. Një studim pjesor nuk mund të sigurojë të gjithë elementët e infrastrukturës në dobi të njeriut dhe në funksion të zhvillimit. Por këtë problem e zgjidh vetëm plani i përgjithshëm rregullues.
Mund të na e tregoni më hollësisht këtë iniciativë?
Patjetër. Unë e kam ndarë në dy faza. Faza e parë është ajo e përcaktimit të gjendjes reale të qytetit, dixhitalizimi i hartave, fotot aerometrike etj. Kjo fazë është realizuar tashmë me ndihmën komunës së Ankonës në Itali, me anë të një projekti, dhuratë në vlerën 70 mijë euro. Të njëjtët na kanë dhuruar edhe logjistikën për të lexuar këto harta si dhe kanë trajnuar personelin. Tani jemi në fazën e krijimit të një database që do të kthejë hartat nga dydimensionale në tredimensionale. Njëkohësisht po mblidhen të dhëna për studimin gjeologjik, sizmologjik, lëvizjet demografike etj. Faza e dytë ka të bëjë me përcaktimin e zonave, ku do të jetë ajo industriale, ajo intensive, rezidenciale etj. Këtë fazë të dytë jemi duke e realizuar me ndihmën e komunës së Viçencës në Itali, madje e drejton profesor Franko Xanela, që është njëkohësisht shefi i Urbanistikës në komunën e Viçencës. Saktësisht ky ka qenë edhe prioriteti kryesor i punës sime, apo ajo më kryesorja që u premtova qytetarëve përgjatë fushatës elektorale të një viti më parë. Dua të shtoj këtu se në planin e përgjithshëm rregullues është përpunuar imtësisht edhe kontakti që kufijtë e bashkisë kanë me ato të komunave të fshatrave. Madje, kjo është bërë me marrëveshje me komunat, gjithmonë për të realizuar një plan rregullues sa më jetëgjatë dhe funksional. Natyrisht unë u kam premtuar qytetarëve lezhjanë edhe zgjidhjen e të tjera problemeve, siç janë problemet e infrastrukturës, ujit të pijshëm, kanalizimeve etj. Por në këtë drejtim është punuar paralelisht dhe kemi pasur të njëjtin rezultat pozitiv. Ndërkohë që aktualisht kemi në proces sistemimin e të gjitha qendrave të lagjeve, flas për zona që nuk i prek projekti i përgjithshëm.
Cilat janë disa nga projektet më të mëdha aktuale?
Së shpejti do të realizohet "Shëtitorja e Drinit", që vjen pas pastrimit të tij. Jemi në fazat e fundit të tratativave për rrugën e Kalasë, rreth 1 km, që do të ndihmojë shumë turizmin si dhe në të njëjtin stad jemi edhe për shtrimin e rrugës së spitalit.
Ju përmendët turizmin. Tashmë qytetet që kanë resurse turistike nxitojnë të bëhen gati për sezonin e verës. Sa e keni vlerësuar këtë?
Së pari, duhet t'ju them se Lezha ka një zonë të pasur arkeologjike, madje një zonë shumë pak të eksploruar. Kemi një histori arkeologjike mbase më shumë se 2400-vjeçare të qytetit të Lezhës, kemi muret e vjetra ilire të qytetit që mendohet të jetë themeluar në vitin 325 para Krishtit, kemi kisha të vjetra shumë interesante, por edhe zbulime aktuale arkeologjike si për shembull një mozaik të sapodalë në dritë, rreth 2200-vjeçar. Po kështu Lezha është e pasur edhe me arkeologjinë e mesjetës, kemi Kuvendin e Lezhës, kalanë mesjetare, vendvarrimin e Skënderbeut etj. Lidhur të gjitha këto me pozicionin gjeografik, det, lumë, lagunë, kodër, mal, mendojmë se realizohet një ofertë optimale turistike që do të shërbejë si shtysë për zhvillimin ekonomik, fatkeqësisht të munguar. Mund t'ju them se tani në Lezhë janë duke punuar dy grupe arkeologësh të huaj, njëri gjerman dhe tjetri francez. Gjermanët janë duke gërmuar pranë vendvarrimit të Skënderbeut dhe kanë gjetur një mozaik të shekullit të dytë para erës sonë. Ndërsa shkolla franceze e Romës është duke gërmuar në qafën e kalasë ku janë zbuluar disa varre të shekullit 3 dhe 7 të erës sonë. Varret kanë qenë të paprekura dhe dëshmojë luftërat e bëra në këto kohëra. Ne aktualisht po punojmë që në fillim të sezonit turistik rruga e Kalasë të jetë gati. Jemi në tratativa të marrim një fond nga Komuniteti Evropian. Projekti prej 1.2 milionë euro është gati. Kështu do të lidhen së bashku dy zonat turistike të qytetit dhe turistët do ta kenë gati infrastrukturën e munguar. Kemi menduar gjithashtu edhe për një fond për rehabilitimin e kalasë. 
Në vitin 2007 Lezha është kthyer në "Park Arkeologjik Kombëtar". A keni pasur favore nga shteti?
Asgjë. Ministria e Financave nuk na ka dhënë asnjë mbështetje financiare, ndërkohë që është e vështirë që zonat arkeologjike dhe antike të mirëmbahen që të jenë të vizitueshme. Gjithsesi koha po na thotë se ndihma nga investitorë të huaj po rezulton me efikase se ndihma, apo detyra për ndihmë, e Qeverisë.
Qëllimi i takimin tonë ishte ideja interesante e Parkut Industrial. A mund të na e shpjegoni më hollësisht?
Eshtë një iniciativë kurajoze e vënë në funksion të thithjes së investimeve të huaja dhe jo vetëm. Pra, ideja jonë është të realizojmë një park gjigand industrial në veri të qytetit, atje ku janë edhe ndërmarrje të tjera si fabrika e konservave, e tullave, e përpunimit të mishit etj. Një ide që na ka lindur pasi kemi vënë re se problemi më i madh që hasin investitorët e huaj është mungesa e garancive të pronësisë mbi tokën, ku do të projektohet ndërtimi i biznesit. Pra, ka pasur shumë raste kur biznesmenë, premtues të huaj janë larguar pa kthyer më kokën pas vetëm për shkak të pretendimeve të privatëve për truallin e ndërtimit të biznesit. Po kështu pretendime ka pasur edhe për infrastrukturën rrugore, kanalizimet, energjinë elektrike. Kështu ne erdhëm te ideja e një parku gjigand industrial që do të ishte pronë e bashkisë. Nisur nga trualli, e përfunduar te infrastruktura, të gjitha marrëdhëniet do të jenë me shtetin. Kjo do të shmangë problemet me investitorët qoftë të huaj, qoftë vendas. Pasi ata janë të mbrojtur dhe njëkohësisht investimi i tyre është i garantuar. Mendojmë se kjo ofertë do të rrisë kurajën e tyre. E njëjta skemë ka funksionuar në disa vende nga më të zhvilluarat e ish-lindjes komuniste, siç janë Hungaria e Rumania. Njëkohësisht ne jemi në tratativa me komunitete investitorësh italianë nga Torino, Ankona, Viçenca, Kampobaso. Madje, kemi pasur kontakte dhe kemi vënë re interes. Ata janë bërë edhe më optimistë kur u kemi komunikuar se në Lezhë u garantohet edhe një fuqi punëtore e specializuar, pasi ne këtu kemi dy shkolla profesionale, një shtetërore dhe një private.

Mensa e të varfërve
Sipas kryebashkiakut të Lezhës, Viktor Tushaj, aktualisht është duke u bërë një projekt për ndërtimin e një mense për të varfrit. Ushqimi do të jetë falas për të gjithë ata që e kanë të pamundur ta sigurojnë. Po kështu është menduar që me kalimin e kohës mensa të largojë apo të pakësojë lypësit në rrugë.

Qendra ditore për pleqtë
Bashkia e Lezhës ka realizuar edhe një qendër ditore për moshën e tretë, që do të inaugurohet këto ditë. Me qëllim që të moshuarit të mos ndihen vetëm qendra është e pajisur me aksesorë të ndryshëm ku ata mund të marrin informacion apo të luajnë. Po kështu në shërbim të tyre do të ketë edhe mjek apo psikolog.

Dy lagunat e Lezhës
Kune e Vain, me sipërfaqe rreth 1800 hektarë janë dy lagunat që i përkasin Lezhës. Ato janë të njohura e të vlerësuara në Mesdhe për florën e faunën e pasur. Gjenden pranë qytetit dhe lidhen me detin Adriatik. Duke shprehur opinionin e specialistëve dhe vizitorëve të ardhur nga vende të ndryshme, lagunat e Lezhës janë mjaft atraktive. Aty shkohet për një shëtitje në natyrë, për ajrin e pastër, aromën e pyllit e flladin e detit. Por edhe për gjueti sportive, peshku e shpendësh të ndryshëm të egër. Në Kune e Vain numërohen rreth 92 lloje shpendësh.

Nenkryetari
"Me pushtetin qendror kemi marrëdhënie relativisht të mira", thotë nënkryetari i Bashkisë së Lezhës, Arjan Barbullushi. Ai ka mbushur tetë vite mes të njëjtave probleme që shqetësojnë qytetin, pasi është nga më të vjetrit në administratën e bashkisë dhe njëkohësisht njohës i mirëfilltë i zhvillimeve. "Vetëm gjatë muajve të parë të këtij viti shifra e investimeve të shtetit në Lezhë i afrohet 1 milion eurove. Kemi një lagje të re në qytet, Kodër-Marlekajn, të populluar kryesisht me të ardhur nga zona të thella të vendit. Këtu, me ndihmën e çmuar të deputetit Preç Zogaj, kemi bërë shkollën fare të re si dhe ujësjellësin", shton Barbullushi.

Muret unikale
Skema e mureve mbrojtëse të Lezhës përfshin një gjatësi prej 2600 metrash. Historiani i lashtësisë, Polibi, ka fiksuar përshtypjen shumë të madhe, që i bën këto mure mbretit Filipi i V i Maqedonisë. Pjesa e sipërme e quajtur Akrolis është pjesa më speciale e fortifikimit. Muret përmbajnë veçoritë e ndërtimit të stilit epirioto-ilir. Nga një llogaritje e përafërt del se janë afro 100 mijë metër kub gurë dhe mbi 80 mijë copë blloqe. Kjo kryevepër inxhinierike ndërtimore është e pashembullt në territorin shqiptar.

Qyteti antik
Qyteti i Lezhës është themeluar në vitin 385 para Krishtit nga Dionisi i Sirakuzës. Qyteti ka luajtur rol të veçantë në historinë iliro-shqiptare. Pozicioni gjeografik së bashku me rrethinat e tij, kanë bërë që Lezha qysh në lashtësi të jetë një ndër qendrat tregtare e politiko-ushtarake më të rëndësishme.Në jetën ekonomike të Lissusit që në antikitet ka ndikuar fakti se ai ka qenë stacion hyrës i rrugës Shëngjin-Kosovë, rrugë e cila kalonte nëpër Zadrimë për Kukës e më tej.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›