E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mes drejtësisë dhe politikës

 PROKURORIA DHE GËRDECI

A është kërkesa e Prokurorisë së Përgjithshme, për heqjen e imunitetit të ish-ministrit Fatmir Mediu, përpjekje për të vendosur drejtësinë në vend, apo pjesë e përplasjeve dhe lojërave politike brenda së djathtës në pushtet? Është ky një hap profesionalisht i sinqertë për të bërë drejtësi, apo përpjekje për ta mbyllur këtu rrethin e të hetuarve për katastrofën e Gërdecit dhe trafikun e armëve në Shqipëri?

Veprimi i fundit i prokurorisë ishte minimalisht i pritshëm për të gjitha ata që e kanë të qartë se çfarë ka ndodhur në Gërdec. Ky veprim po shoqërohet me trysni të lartë brenda politikës në Shqipëri. I akuzuari kryesor, deri tani, deputeti F.Mediu, ka reaguar ashpër kundër veprimit të prokurorisë. Ndër aktorët kryesorë të politikës, vetëm Presidenti i Republikës, nëpërmjet një deklarimipublik, e ka mbështetur qartazi hapin e prokurorisë.

Brenda PD-së, në pushtet, ekzistojnë dy qëndrime lidhur me këtë çështje e cila mund të shndërrohet, në mënyrë të përshkallëzuar, në një krizë për shumicën. Pavarësisht nga kjo, nuk ka asnjë dyshim se kjo shumicë do të mbështesë kërkesën e prokurorisë për t’i hequr imunitetin ish-ministrit të Mbrojtjes. Ndryshe kryeministri Berisha do të duhej të merrte përsipër të gjithë përgjegjësinë për kataklizmën.

E para gjë që mbetet për t’u qartësuar në vijim është nëse prokuroria do ta arrestojë ish- ministrin F.Mediu, ndërsa e dyta, nëse hetimi do të shkojë përtej ish-ministrit, duke prekur edhe kryeministrin Berisha. Kujtojmë se në trafikun e armëve dyshohet të jetë i përfshirë edhe djali kryeministrit Sali Berisha, ndërsa në Gërdec një nga viktimat “në punë” ka qenë edhe baxhanaku i tij.

Çështja Gërdec, po shndërrohet gradualisht në një betejë të fortë për pasardhësin e Berishës në krye të PD-së, në rast të një humbjeje të saj vitin e ardhshëm. Për aq sa mund të besohen deklaratat e tij, Berisha ka deklaruar hapur, në një prononcim të fundit, se nëse PD do t’i humbasë zgjedhjet e ardhshme ai nuk do të merret më tej me politikë aktive. Varësisht nga rezultati i skandalit të Gërdecit do të jetë edhe fundi i betejës mes grupeve në PD për të pasuar Berishën. Kësisoj, sfida më e madhe e Berishës deri në dorëzimin e mundshëm të pushtetit do të jetë alibia e tij për Gërdecin.

Reagimi i ish-ministrit Mediu dhe vartësve të tij politikë, duke shantazhuar prokurorinë, nga ana tjetër kërkesa e republikanëve për t’u përfshirë në qeverinë Berisha, me nivel ministri, jo për të pritur hetimet siç ishte premtuar, tregon se prokuroria do të mbetet akoma e sulmuar nga politika. Por, gjithsesi, prokuroria nuk mund të shmanget përballë dy faktorëve shumë të rëndësishëm: përballë opinionit të brendshëm (përfshirë këtu të gjithë faktorët civilë dhe politikë), qëkësaj here e ka të qartë plotësisht ndodhinë, dhe së dyti, përpara ndërkombëtarëve, në këtë rast amerikanëve, të cilët e dinë si drita e diellit se çfarë ka ndodhur në Gërdec.

“Gërdeci” është kështjella që mbart brenda të gjithë modelin e ndërtuar në Shqipëri, një model protagonistët e cilët duhen ndëshkuar, në mënyrë që shqiptarët ta ndërtojnë të ardhmen mbi baza të sigurta. Për “Gërdecin” të paktën duhet pyetur në prokurori, ose të shumtën duhet marrë si i pandehur, edhe kryeministri Sali Berisha.

Deri tani të gjitha betejat mes politikës shqiptare dhe prokurorisë janë fituar nga e para. Është çasti kur shqiptarët duhet të kapërcejnë vetveten. Aty ku futet drejtësia nuk ka vend për politikë. Është prova më e madhe e standardeve të drejtësisë shqiptare. Më së pari e pavarësisë së saj nga politika.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›