E Shtunë, 31 Tetor 2026

Demokraci apo shtet ligjor?

EDUARD ZALOSHNJA

Që prej vitit 1996, paaftësia e politikës shqiptare për të prodhuar zgjedhje të pastra ka mbetur një shqetësim konstant për ata që analizojnë zhvillimet politike në Shqipëri. Një shqetësim më se i drejtë ky, pasi mbajtja e zgjedhjeve të pastra është kusht i domosdoshëm për shëndoshjen e demokracisë së re shqiptare. Por a janë ato një kusht i mjaftueshëm për ...arritjen e një demokracie të shëndoshë?
Shembuj të ndryshëm nga historia e afërt dhe e largët i japin përgjigje negative kësaj pyetje. P.sh., Berisha i fitoi më se pastër zgjedhjet e marsit '92, por qeverisi si një autokrat. Ai i siluroi të gjithë kundërshtarët e tij në pushtetin ekzekutiv, dobësoi pushtetin gjyqësor e parlamentin, dhe i bëri shantazh mediave të pavarura. Një skenë të ngjashme mund ta gjesh edhe në Rusinë e Vladimir Putinit, i cili erdhi në fuqi pas zgjedhjeve të pakontestuara nga njeri. Ndërsa në Venezuelën e pasur me naftë, demagogu Hugo Chavez, i cili u zgjodh president me një shumicë të ndjeshme votash, është kthyer tashmë në një mini-diktator. Si rezultat i politikave të tij autokratike, 68% e venezuelianëve jetojnë sot nën kufirin e varfërisë.
Një demokraci, e cila bazohet në ndërrimin e pushtetit nëpërmjet zgjedhjeve të pastra, mund të quhet e shëndetshme kur zgjedhjeve të pastra iu bashkëngjiten edhe funksionimi i shtetit ligjor, ndarja e pushteteve dhe respektimi i të drejtave themelore të njeriut e të pronës private. Në Evropën Perëndimore e Qendrore, tradita e lirisë dhe ligjit është zhvilluar përpara se demokracia të bëhej sistemi dominues i qeverisjes. Kjo u arrit si rezultat i disa zhvillimeve të rëndësishme, siç ishin ndarja e fesë nga shteti, Rilindja Evropiane, Iluminizmi Francez dhe lindja e kapitalizmit dhe e shtresave të mesme qytetare.
P.sh., Anglia konsiderohej si shtet ku sundonte ligji e liria 200 vjet më parë, ndërkohë që vetëm 5% e popullsisë së saj kishte të drejtë vote. Më afër në kohë, Hong-Kongu mbahej deri vonë si një nga vendet më të lira në botë politikisht dhe ekonomikisht, pavarësisht se për dekada ishte thjesht një koloni e Britanisë, ku nuk zhvilloheshin fare zgjedhje. Në Perëndimin e sotëm, zgjedhjet e lira dhe institucionet e shëndosha të shtetit ligjor janë të ndërthurura pazgjidhshmërisht me njëra-tjetrën. Por në vendet në zhvillim ato nuk janë gjithnjë bashkë - zgjedhje të lira po zhvillohen pothuajse kudo, por jo kudo po lulëzon një demokraci e shëndoshë.
Duke u kthyer te Shqipëria, duket se këmbëngulja e BE-së që forcimit të shtetit ligjor të mos i jepet më pak rëndësi se sa mbajtjes së zgjedhjeve të lira e të pastra, reflekton atë që Paddy Ashdown, politikani britanik që administronte dikur Bosnjën, shkruan rreth eksperiencës boshnjake të Perëndimit: "Ne menduam se zgjedhjet e lira dhe të pastra përbënin përparësinë më të lartë, dhe si pasojë, e matëm suksesin tonë me numrin e zgjedhjeve që mund të organizonim. Rezultati, pasi shumë vjet kanë kaluar, është se boshnjakët janë lodhur nga votimet. Për më tepër, fokusimi jonë kryesisht tek votimet ngadalësoi përpjekjet tona për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin, të cilat kanë përkeqësuar cilësinë e jetesës në Bosnjë dhe kanë trembur investitorët e huaj. Në retrospektivë, ne duhej t'i kishim vënë vetes si përparësi ndërtimin e shtetit ligjor, sepse çdo gjë tjetër varet prej tij: funksionimi i ekonomisë, liria dhe drejtësia e sistemit politik, zhvillimi i shoqërisë civile dhe besueshmëria e policisë dhe gjykatave".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›