E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qëndrimet e LSI-së, PS letër qytetarëve

 

Partia Socialiste ka përgatitur një letër që do u shpërndahet qytetarëve mbi zhvillimet politike të së majtës

TIRANË- Partia Socialiste ka gjetur një formë krejt origjinale dhe efikase për t’i shpjeguar qytetarëve në mbarë vendin atë se çfarë po ndodh me të majtën shqiptare, që pas pozicionimit të Lëvizjes Socialiste për Integrim kundër opozitës. Përveç konferencave për shtyp, kontakteve të përditshme me qytetarët, selia rozë për të sqaruar pozicionin e vet në lidhje me zhvillimet e fundit në kampin e majtë, ka hartuar një letër e cila do të shpërndahet në të gjithë vendin, derë më derë. Puna duket se do të fillojë nga dega e Tiranës, e cila ka shtypur me mijëra “trakte” të cilat në ditët në vijim pritet t’i shpërndajë në gjithë kryeqytetin dhe për të vazhduar më pas në gjithë Shqipërinë. Në tekstin që përmban letra sqaruese, që në fillim shprehet keqardhje për gjuhën që po përdor LSI dhe kryetari i saj Ilir Meta ndaj lidershipit të Partisë Socialiste. “Duke ndjerë keqardhje për gjuhën e papërshtatshme të letrës që zoti Ilir Meta ka shpërndarë derë më derë, Partia Socialiste ndan me Ju shqetësimin për energjinë negative që përçojnë mesazhet e tij kohët e fundit”, - thuhet në letër. Gjithashtu socialistët ftojnë qytetarët që të vlerësojnë me gjakftohtësi situatën dhe të mos bien preh e politikës së vjetër ku akuza dhe përbaltja shihen si mjeti i vetëm i përfitimit politik. Me anë të këtij materiali selia rozë bënë të ditur për qytetarët, por njëkohësisht edhe për ish-aleaten e saj LSI, se misioni i politikës është që të punojnë për vendin dhe jo për interesat e ngushta personale të individëve të ndryshëm. “Ne duam po ashtu të ndajmë me Ju bindjen se aleati ynë Ilir Meta dhe të gjithë politikanët shqiptarë duhet të mendojnë për miliona njerëz që nga politika presin njerzillëk e harbutllëk, presin zgjidhje të problemeve të tyre të panumërta e jo sherre për orekset e pak politikanëve, presin arsye për të besuar tek ardhmja e jo mllef që buron nga e shkuara”, - thuhet më tej në këtë letër. Mënyra e vetme, sipas socialistëve, për të arritur përmbushjen e këtij misioni është bashkimi i të gjithë shqiptarëve, pavarësisht bindjeve politike në një koalicion të madh, i cili do të bëjë të mundur dhe ndryshimin e këtij realiteti të dhimbshëm dhe integrimin e plotë të vendit në strukturat euro-atlantike. “Rruga jonë është rruga e një bashkimi të ri në Dialog me Shqipërinë. Rruga jonë është rruga e një politike të re me ndjenja atdhetare e vetëdije qytetare. Kjo është rruga e një partie të madhe që nuk jeton për kryetarin, po për çdo shqiptar e shqiptare, që përmes fuqisë së kësaj force të madhe opozitare dëshiron të ndryshojë Shqipërinë, duke fituar së bashku zgjedhjet dhe për ta bërë realitet ndryshimin në çdo pjesë të atdheut tonë”, përfundojnë socialistët letrën e tyre. Kjo letër vjen edhe si një kundërpërgjigje ndaj nismës së LSI-së, e cila prej ditësh ka nisur shpërndarjen nëpër gjithë Tiranën të një letre të ngjashme, por ku natyrisht akuzohet PS si kërcënuese e demokracisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›