Nga PDK, me dashuri
Behgjet Pacolli është afër realizimit të ëndrrës së tij të madhe për t’u bërë President i Kosovës.
Në Ditën e Shën Valentinit, të hënën, Këshilli Drejtues i Partisë Demokratike të Kosovës hoqi dorë nga kandidatura e Jakup Krasniqit dhe shfaqi dashamirësi ndaj kushteve të Aleancës Kosova e Re.
Votim nuk kishte, por vendimi u tha se u mor me konsensus.
Për ministri do të vendoset gjatë ditës së sotme, por tri postet kyçe janë përcaktuar se kujt do t’i takojnë: PDK’ja mban Kryeministrin dhe Kryeparlamentarin, e AKR’ja merr Presidentin.
Vendimi u konfirmua nga Hajredin Kuçi, Nënkryetar i PDK’së.
“Partia Demokratike e Kosovës ka vendosur që të hyjë në koalicion me AKR’në. Ka vendosur që pozitat kryesore të ndahen. Natyrisht edhe pozita e Presidentit t’i takojë AKR’së”, tha ai, pas mbledhjes.
Vendimi i PDK’së vjen pas shumë debatesh të brendshme dhe tendencash që Presidenca t’i takojë Jakup Krasniqit. Njerëz afër Sekretarit të Përgjithshëm të PDK’së kishin kërcënuar këtyre ditëve se nuk do ta votojnë Behgjet Pacollin nëse anashkalohen kërkesat e tyre.
Të hënën, të gjithë duket se janë pajtuar me vendimin e Këshillit Drejtues.
Por, Jakup Krasniqi nuk është shprehur publikisht për vendimin.
“Sonte nuk dua të flas. Faleminderit”, ka thënë Krasniqi, i kontaktuar nga Expressi mbrëmjen e së hënës.
Hajredin Kuçi, para gazetarëve, ka lënë të kuptohet se PDK’ja është unike.
“Çdokush që e di tabelën e shumëzimit, e di që numrat për koalicion janë”, ka thënë ai, duke komentuar spekulimet se mbështetësit e Jakup Krasniqit mund të mos votojnë për Behgjet Pacollin, çka do ta çonte vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme.
Sipas Nënkryetarit Kuçi, PDK’ja tash do të negociojë për ndarjen e ministrive.
“Për ministri do të negociohen në mes të grupit të PDK’së dhe AKR’së”.
“Në kuadër të PDK’së ekziston vetëm një post që është punë e kryer, ai i Kryeministrit. Për të tjerat, pozita do të diskutohet dhe merret vendim ditëve në vijim”, ka deklaruar Kuçi.
Përveç me AKR’në, Këshilli Drejtues i PDK’së ka vendosur që PDK’ja të ketë në koalicion edhe Listën Ibrahim Rugova dhe partitë që përfaqësojnë komunitetet pakicë në Kosovës.
Në takimin treorësh të anëtarëve të Këshillit Drejtues, sipas burimeve të Expressit, ka pasur edhe pakënaqësi të shumta sa i përket postit të Presidentit, por që në fund të gjithë janë pajtuar që zgjidhja e vetme është pranimi i kërkesës së AKR’së për ta marrë Presidencën.
Ndryshe, data e konstituimit të Parlamentit të ri të Kosovës është caktuar për 24 shkurt, por burime të Expressit thonë se kjo mund të ndodhë më herët.
“Sipas të gjitha gjasave, Parlamenti konstituohet të premten, më 18 shkurt”, ka treguar në kushte anonimiteti një zyrtar i PDK’së.
Në ndërkohë që PDK’ja bën përpjekje për konstituimin e Parlamentit brenda kësaj jave, Behgjet Pacolli ka filluar të mbledhë vota për vete edhe në grupet e tjera parlamentare.
Një zyrtar i afërt me Kryetarin e AKR’së ka thënë për gazetën se Pacolli në dy ditët e fundit ka takuar kryetarë të disa partive minoritare dhe zyrtarë të lartë të partive shqiptare.
“Kryetari Pacolli është takuar mbrëmë me disa zyrtarë të LDK’së dhe me disa deputetë të partive minoritare dhe ka marrë mbështetjen e tyre se do ta votojnë për President në Parlamentin e Kosovës”, ka thënë një zyrtar i AKR’së.
Pacolli, po ashtu të hënën në mesditë, është parë së bashku me Daut Haradinajn nga AAK’ja.