Kastriot Islami: Në 8 maj 2011, PS humbet 35% të bashkive të fituara në 17 shkurt 2007

PS në këto zgjedhje, si në 2009-ën, pa platformë dhe pa program kombëtar- fjalimi i Ramës në çeljen e fushatës, retorikë e ashpër dhe konfliktuale, mbart frikë dhe dëshpërim
Analiza: Tkurrje të votave të PS për bashkinë Elbasan, ku si favorit sheh Durim Hushin, bashkinë Durrës, ku Ferdinand Xhaferaj mund të fitojë me 7300 vota, ndërsa po ashtu edhe për bashkinë e Tiranës koalicioni “Aleanca për Qytetarin”, dukshëm thotë Islami, është në avantazh të lehtë ndaj opozitës së Partisë Socialiste
Sekretari për çështjet ligjore në Partinë Socialiste, Kastriot Islami, përmes një analize matematikore, duke marrë si referencë rezultatin elektoral të zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit, deklaron se PS dhe koalicioni i majtë në 8 maj 2011, do të humbasin 35% të bashkive të mëdha në vend, të fituara në 17 shkurt 2007. Islami thotë se strategjia elektorale e Edi Ramës, është sa eunuke aq edhe dëshpëruese, përsa kohë në shtabet e zgjedhjeve s’janë përfshirë sekretarët e PSSH si p.sh, ai i organizimit elektoral (Kastriot Islami), programin elektoral (Andis Harasani), organizimin partiak (Blendi Klosi), çështjet ligjore e koordinimin (Fatmir Xhafaj) etj, prej dy vjetësh nuk janë thërritur në mbledhje e veprim, duke bërë kështu që, struktura elektorale e PS-së të jetë inekzistente e për rrjedhojë të mos jetë funksionale në këtë periudhë fushate zgjedhore. “Duhet thënë se në disa raste ajo rezulton e zëvendësuar në mënyrë ad hoc me struktura paralele dhe jo profesionale në mënyrë adekuate”- thotë Islami, në analizën e tij të botuar në të përditshme “Panorama”. Deputeti socialist dhe njëherazi sekretari për çështjet ligjore në PS, Kastriot Islami, kritikon dhe metodologjinë e përzgjedhjes së kandidatëve socialistë, duke deklaruar se seleksionimi nuk ka qenë transparent dhe se ka mbizotëruar rruga klienteliste. “Kanë munguar kriteret e meritokracisë, të bazuara në vlerat individuale, kontributet, aftësitë e kapacitetet politiko-profesionale dhe integriteti i kandidatëve. Nuk janë respektuar kërkesat statutore për konkurrim dhe pjesëmarrjen e forumeve partiake e nuk është kryer votimi i kandidaturave alternative, duke hedhur më tepër në koshin e plehrave parimin një anëtarë një votë”- thotë Islami. Sipas tij, kjo strategji veprimi e Edi Ramës krijon demotivimin e strukturave partiake, çka mund të çojë deri në veprime të brendshme kundër suksesit elektoral. “Më e rëndë situata mund të jetë në zonat ku PS fitoi në 2007-ën nga koalicioni me LSI dhe njësitë vendore ku në sherret dhe mosmarrëveshjet janë përfshirë direkt apo indirekt edhe deputetet e PS”- vijon Islami. Në kontenstin e një koalicioni të PS-së, të presupozuar të madh, Islami vëren se 22 partitë aleate të selisë rozë, nuk janë produktive elektoralisht. Në këtë sens, ai paralajmëron se aleanca PD-LSI, përbën një rrezik të madh për bashkitë e fituara nga PS në 2007-ën, falë koalicionit me Lëvizjen Socialiste për Integrim. “Koalicioni opozitar ende nuk ka një objektiv të qartë të shpallur elektoral dhe natyrshëm kjo përbën edhe një mangësi tjetër të kësaj fushate. Nga 12 bashkitë kryesore të vendit, vetëm 5 prej tyre mund të parashikohet me një probabilitet të pranueshëm rezultati i zgjedhjeve 8 maj 2011. Vetëm për 5 bashkitë: Shkodër, Dibër, Kukës, Gjirokastër e Fier, mund të jepet një fazë parashikimi orientues për rezultatin zgjedhore të 8 majit, bazuar në vlerën e të dhënave të zgjedhjeve vendore të vitit 2007. Për 7 bashkitë e tjera, Durrës, Elbasan, Tiranë, Vlorë, Korçë, Lezhë dhe Berat, parashikimi rezulton më i vështirë dhe i ndikueshëm nga faktorë: si p.sh kandidati, cilësia e fushatës elektorale në funksion të qytetarëve dhe performanca e LSI-së dhe PDIU-së. Dhe në këtë moment, në bazë të këtyre faktorëve dhe kësaj analize parashikuese, gjithmonë nisur nga të dhënat në shifra të zgjedhjeve të 2007-ës, rezulton se 25-35% e 12 kryetarëve aktualë të bashkive kryesore, do të ndryshonin”- deklaron deputeti socialist, Kastriot Islami. Si përfundim, ai parashikon tkurrjen e votave të PS-së për bashkitë Elbasan, ku si favorit sheh Durim Hushin, bashkinë Durrës, ku Ferdinand Xhaferaj mund të fitojë me 7300 vota, ndërsa po ashtu edhe për bashkinë e Tiranës koalicioni “Aleanca për Qytetarin”, dukshëm thotë Islami, është në avantazh të lehtë ndaj opozitës së Partisë Socialiste.
...