E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nga Turi i Francës, tek këto hallet tona...

Para ca ditësh, gazeta angleze “Expres”, duke dashur të bëjë portretin e Shqipërisë si një prej drejtimeve më të mundshme turistike për këtë vit, ndër 10 karakteristikat më të spikatura të saj përmendte edhe faktin se është nga të rrallat vende në botë, që ende nuk ka mundur të fitojë një medalje olimpike! Më shumë se një kureshtje për vizitorët e huaj, ky element duket si një fyerje e dinjitetit shqiptar, që kështu siç po zhvillohen ngjarjet, po humbet gjithnjë e më shumë. Ne mund ta tundim sa të duam atë “flamurin” e renditjes mujore të FIFA-s, ashtu siç dikush tjetër mund të spekulojë sa të dojë me krahasimin që u bën standarteve tona me ato të vendeve më të zhvilluara të botës, madje duke na renditur pas superfuqive ekonomike, por realiteti që na përplaset në fytyrë është tjetër gjë, i cituar më sipër edhe prej asaj të përditshmes angleze, të paktën për sportin. 

Nisur nga komentet dhe analizat e përjavshme të botuara në këtë gazetë, disa dashamirës apo kolegë të mitë, kanë vërejtur se jo vetëm futbolli tek ne është në pikë të hallit, por edhe sportet e tjera gjithashtu, po zbehen për nga masiviteti e cilësia, aq sa duket se po shkojnë drejt zhdukjes së tyre. Është diçka që shihet qartë dhe me sa duket, dëmi që po i bëhet sportit shqiptar ka mundësi të jetë i pariparueshëm për të ardhmen. Turi i Francës, gara më e famshme çiklistike botërore, që po zhvillon këto ditë edicionin e tij të 100-të, veç mrekullisë magjepsëse që i jep gjithkujt që ka mundësi ta ndjekë, sidomos nëpërmjet ekraneve televizivë, ku spektatori si në pëllëmbë të dorës sheh gjithçka të bukur që shpalosin pamjet e jashtëzakonshme të majëmaleve me borë, fushat e pamata e të sistemuara deri në përsosmëri, fshatrat e qytetet qindravjeçarë me hijeshinë e përjetshme të kështjellave e ndërtimeve të tjera po aq brilante, ku përmes tyre e mijëra kilometrave rrugë të tjera po aq cilësore pedalon armata e pjesëmarrësve, një shqiptari të ndershëm e të vëmendshëm nuk ka se si të mos i bëjë përshtypje ai realitet i mahnitshëm atje, me këtë të vendit tonë varfanjak dhe të katandisur kështu, në këtë gjendje mjerane. Atyre shqiptarëve që kanë zgjedhur të jetojnë jashtë këtij vendi, nuk ia ndalon kush nostalgjinë apo dhembshurinë që kanë ende për këtë trevë, por ne që endemi e rropatemi prej kohësh këtu, nuk ka përse të vazhdojmë të mashtrohemi përjetësisht me këtë gjendje haluçinante në të cilën na kanë futur prej kohësh pushtetarët tanë të të gjitha ngjyrave e të çdo kallëpi. Pikërisht, tek përcjell këtë garë të Turit të Francës dhe shoh ato rrugë përndritëse që përshkojnë çiklistët brigjeve të pafund të atij bregdeti tejet të pastër, deri në virgjëri, nuk mund të mos më shkojë mendja tek ky bregdeti ynë i mbuluar nga betoni i ndërtimeve të shëmtuara, me dhe pa leje, dhe të një katrahure të pashembullt të një “stili” arkitekturor ala shqiptar, ku katet e shtesat shtohen sipas qejfit e prej të cilave ujërat e zeza vazhdojnë të derdhen pamëshirshëm në ujin ku lahen mijëra fëmijë, të rinj e njerëz të të gjitha moshave, jo vetëm nga vendi, por edhe nga jashtë tij! Për të kaluar pastaj në “profesion”, tek sporti ynë, në krahasim me atë çfarë paraqet gara 100-vjeçare e Francës. Ndërsa atje garon një armatë e pafund çiklistësh, përkundrazi, ky sport tek ne është drejt zhdukjes, ashtu siç e kam vënë në dukje këtë fakt edhe gjatë komenteve të botuara në të shkuarën, kur kam thënë se edhe kur zhvillohet ndonjë garë e rastit, me disa itinerare të shkurtra e krejt anonime, jashtë vëmendjes së spektatorëve, aty marrin pjesë formalisht vetëm ca kalamaqër, që përveç pasionit si fëmijë, me atë çfarë paraqesin, nuk kanë asgjë tjetër të përbashkët me portretin e kampionëve të dikurshëm...

 E ndërsa Turi i Francës vazhdon në rrjedhën e tij normale, qëkurse është krijuar prej 100 vjetësh, ashtu siç janë vënë në rrugë të mbarë prej sa e sa kohësh edhe veprimtari të tjera sportive nëpër të gjithë botën, tek ne ndodh ajo që më shumë se rritje e zhvillim, mund të quhet ngecje në vend ose rrënim. Jo vetëm çiklizmi paraqitet i tillë, por edhe sportet e tjera, përjashto peshëngritjen, që me vështirësi përpiqet ta ruajë traditën e trashëgiminë, kanë të njëjtat probleme e halle të mbijetesës, se për cilësinë as që bëhet fjalë. Po ashtu, futbolli i klubeve nuk ka se si të veçohet nga ky qerthull që duket ende pa rrugëdalje dhe ku eliminimet nëpër kupat europiane janë bërë si një refren i përjetshëm, paçka se Kukësi po kërkon të bëjë përjashtim në këtë gjendje amullie ku ndodhemi.     

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›