E Diel, 1 Nëntor 2026

Nga administrata në parti, jo anasjelltas

Partia Demokratike duket se po përgatit një prurje të re brenda saj. Qasja për këtë ardhje të mundshme në strukturat e partisë, por edhe në anëtarësinë e saj, është deklaruar se do të jetë kryesisht nga administrata. Por a është pikërisht administrata vendi prej ku duhet tërhequr anëtarësia e re në një parti politike apo a janë njerëzit e administratës ata të cilët konsiderohen si edhe më të devotshmit për të përformuar strukturat e partisë?

Në një këndvështrim, administrata është vendi i njerëzve apolitikë me një kufizim edhe ligjor, edhe instiktiv të afeksioneve politike. Sa më distancë të mbajnë nga politika, aq më të sigurt e kanë vendin e punës nga reformat që sillen prej ndërrimit të pushteteve. Por ndërkohë, administrata është edhe vendi i vetëm për një parti në pushtet që të masë kualitetin e njerëzve të saj, qoftë të atyre që tashmë janë konsideruar në strukturat drejtuese të partisë, e qoftë të atyre që mund të kenë prirje apo qëllim marrjen me politikë dhe strukturat partiake. Fakt është se partia kur është në pushtet, pothuajse nuk ekziston si parti, por vetëm si strukturë drejtuese e qeverisë, njerëzit e saj zënë vendet politike të qeverisjes dhe jo pak edhe vendet e administratës civile. Nëse PD-ja kur ishte në opozitë, gumëzhinte nga njerëzit në zyrat e saj, sot atje nuk gjen asnjeri dhe me të drejtë pasi përgjegjësia është zhvendosur nga nevoja për të fituar pushtetin në detyrimin për ta ushtruar atë.

Të gjitha hamendjet rreth shndërrimit të kapaciteteve administrative në kapacitete politike mund të qëndrojnë, por në fund të fundit, është shans për një parti politike që të ndërmarrë fushatë rekrutimi ndër njerëz që në njëfarë mënyre e kanë kryer “stazhin”, bile edhe kanë ndërtuar një rreth cilësish përmes të cilave edhe mund të identifikohen, nëse ka një vullnet për të identifikuar më të mirët, e mes tyre të tërhiqen ata që pranojnë angazhimin partiak.

Deri tani pothuajse në të gjitha vitet e tranzicionit janë partitë politike ato që kanë ushqyer administratën me njerëz. Sa herë kanë ardhur në pushtet, i kanë mbledhur administratorët edhe nga fundi i dheut dhe i kanë kopsitur nëpër zyrat që menaxhojnë shtetin. Partitë kanë nuhatur me kujdes kudo, tek të papunët, tek shitësit, organizatat joqeveritare, universiteti, biznesi privat etj. etj. për të gjetur administratorë që deri diku, përveçse përshkruheshin cilësisht të mirë, plotësonin edhe ndonjë konditë politike.

Edhe pse pas çdo ndryshimi të pushteteve administrata ka pësuar ndryshime, ndonjëherë edhe jashtë çdo kriteri profesional, gjithsesi një numër jo i vogël zyrtarësh ia kanë dalë të kalojnë dallgët e ndryshimeve të pushteteve. Sot kemi një administratë që në më shumë se gjysmën e saj ka siguruar vazhdimësinë edhe kur pushtetet kanë ndërruar.

Kështu që deklarata e dalë nga zyrat e PD-së, dashje pa dashje na konfirmon një gjë të re për shoqërinë shqiptare, vektorin e ndryshuar të prurjeve në ambientin politik, pra nga administrata në parti dhe jo tërësisht anasjelltas.

Edhe sikur PD-ja të mos rinovojë veten esencialisht nga prurjet e administratës, dhe ka shumë arsye për të ndodhur kështu, shkëndija “spontane” e mbledhjes së kryesisë së PD-së është një sinjal që dëshmon rritjen e seriozitetit të administratës shqiptare. Në mos ndodhtë tani ka filluar të ndodhë, njerëzit që menaxhojnë, ajo shtresë që përfaqëson kapacitetet e një shoqërie po zë vend në shumë lloje vendimmarrjesh përfshirë edhe ato që krijohen te partitë politike. Kjo përveçse konfirmon stabilitetin e administratës publike hedh një hap tjetër, stabilizon edhe këndvështrimet, prej të cilave shihet reformimi apo ndryshimi i administratës.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›