Gjermania, në 8 muaj, 15.5 miliardë lekë vlera e importeve
Importet e mallrave me Gjermaninë gjatë tetë muajve të këtij viti llogariten në 15 miliardë e 569 milionë lekë, nga 13 miliardë e 229 milionë lekë që ishin në të njëjtën periudhë të vitit 2007. Sipas të dhënave të publikuara së fundmi nga Instituti i Statistikave (INSTAT), eksportet me Gjermaninë gjatë periudhës janar-gusht arritën në 1 miliard e 827 milionë lekë, ose 264 milionë lekë më shumë se në 8-mujorin e parë të vitit të kaluar. Importet nga Gjermania përbëhen kryesisht nga produkte kimike, makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi, si dhe tekstile dhe këpucë. Vlerën më të lartë të importeve e përbën grupi makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi, duke arritur në 8 miliardë e 975 milionë lekë. Referuar të dhënave të INSTAT-it, struktura e eksporteve përbëhet kryesisht nga ushqime dhe pije, artikuj tekstile dhe materiale ndërtimi. Për 8-mujorin e këtij viti vlerën më të lartë të eksporteve e shënoi grupi tekstile dhe këpucë, që arriti në 1 miliard e 214 milionë lekë. Republika Federale e Gjermanisë ka financuar direkt projekte të shumta në Shqipëri për zhvillimin ekonomik dhe social, që kapin vlerën e mbi 367 milionë eurove gjatë 17 viteve të fundit. Sipas burimeve nga zyra e Bankës për Zhvillim KfW në Tiranë, qeveria gjermane është aktive prej mbi 17 vjet në Shqipëri në sektorë strategjikë të ekonomisë, si atë të furnizimit me ujë të pijshëm dhe me energji elektrike, si dhe në atë të mbështetjes së ekonomisë private, në veçanti të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.