E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nga dita e sotme ne Greqi fillon nje vale grevash te zgjatura

Nga dita e sotme në Greqi fillon një valë grevash të zgjatura, kundër masave të qeverisë për uljen e pagave dhe reduktimin e vendeve të punës në sektorin publik.

Në këto momente, sindikalistë kanë bllokuar hyrjet e ministrisë së brendshme dhe asaj të reformës administrative, ndërsa greva e punonjësve të ndërmarrjes shtetërore të naftës ka krijuar shqetësim te qytetarët që po nxitojnë të mbushin me karburant serbatorët e automjeteve të tyre.

Grevë të zgjatur kanë paralajmëruar edhe doganierët.

Ndërkaq, vazhdon situata kritike me plehrat në rrugët e Athinës dhe Selanikut, pavarësisht apeleve të qeverisë për pasojat në shëndetin publik.

Pavarësisht përfundimit të bisedimeve midis qeverisë greke dhe Trojkës, ende nuk është kyçur kësti i gjashtë i kredisë.

Lideri i opozitës, Antonis Samaras, ka përjashtuar mundësinë e bashkëqeverisjes me PASOK-un dhe ka kërkuar shpalljen sa më shpejt të zgjedhjeve të parakohshme.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›