E Diel, 1 Nëntor 2026

Nga dje, në qarkullim 2 mijë lekë të reja

Banka e Shqipërisë hodhi dje në qarkullim kartëmonedhën e re me vlerë nominale 2000 lekë. E gjithë sasia e kartëmonedhave të rishtypura, të prerjes 2000 lekë, është e pajisur me elementet më moderne të sigurisë, por nga ana tjetër plotëson një boshllëk të madh midis dy prerjeve ekzistuese, me vlerën nominale më të madhe që janë 1000 lekë e 5000 lekë. Kartëmonedha ka si tematikë periudhën ilire dhe si përfaqësues është zgjedhur mbreti Gent,(v.181 Para Krishtit), portreti i të cilit është vendosur në pamjen e përparme të kartëmonedhës. Në pjesën e pasme, është vendosur pamja e amfiteatrit të Butrintit dhe lulja Gentiana. Periudha ilire nuk ka qenë e përfaqësuar deri tani në serinë e kartëmonedhave shqiptare. Si figurë u përzgjodh Mbreti Genti, pasi ky i fundit njihet nga historia si prerësi i monedhës së përbashkët për të gjitha qytetet ilire të kohës dhe si zbuluesi i vetive kuruese të bimës Gentiana, emri i së cilës vjen pikërisht nga emri i tij. Nga pamja, kartëmonedha e prerjes 2000 lekë, ka ruajtur të njëjtin koncept me kartëmonedhat e serisë që janë aktualisht në qarkullim, duke u bërë në mënyrë të natyrshme pjesë përbërëse e saj.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›